Lambert: Siguri maksimale në “Euro 2016”

Në Francë të gjithë janë gati për Euro 2016-të, duke filluar që nga organizatorët e evenimentit, te skuadrat pjesëmarrëse për të vazhduar me tifozët, por edhe forcat e sigurisë. Frika nga ndonjë sulm i mundshëm terrorist ekziston ende, edhe pse organtizatorët e Euro 2016, janë të bindur se kompeticioni që do të zhvillohet në Francë do të rezultojë i gjithi një spektakël futbolli. Në një konferencë për shtyp, vetëm pak orë përpara startit të Euro 2016-të, presidenti i komitetit organizativ të evenimentit, Jacques Lambert, theksoi se siguria në Francë do të jetë maksimale.
“Ne kemi punuar fort gjatë kësaj kohe që në Euro 2016-të, siguria e skuadrave pjesëmarrëse dhe tifozëve të mos vihet për asnjë moment në rrezik. Ky është një turne sportiv dhe duhet të mbetet i tillë. Euro 2016-të duhet të sjellë pozitivitet te njerëzit dhe të mos ndikohet nga frika dhe negativiteti i ndonjë sulmi të mundshëm terrorist. Të gjithë kemi bindjen, se në Francë do të zhvillohet një festë e vërtetë futbolli”, tha presidenti i komitetit organizativ të evenimentit.
Më pas, Lambert i siguroi fansat se nuk duhet të kenë frikë të udhëtojnë nga një qytet në tjetrin apo të ndjekin skuadrat e tyre në stadiumet ku ato do të luajnë. “Mesazhi ynë është i qartë, tifozët nuk duhet të kenë frikë nga ajo që mund të ndodhë në Euro 2016-të, apo nga ndonjë stadium në veçanti. Nuk kemi marrë asnjë sinjal që nuk e dinë mediat mbi ndonjë sulm terrorist, por jemi të shqetësuar për faktin se, fjalët se diçka e tillë mund të ndodhë, do të ndikonin drejtpërdrejtë në mobilizimin e skuadrave pjesëmarrëse, arbitrave, tifozëve etj. Shpresojmë shumë që vëmendja e të gjithëve të jetë vetëm te Europiani dhe te fusha e blertë”, u shpreh Lambert.
Në këtë konferencë për shtyp të organizuar me rastin e fillimit të Euro 2016-të, ishin të pranishëm edhe DJ i famshëm David Guetta si dhe sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Theodore Theodoridis, i cili në fjalën e tij bëri një koment për ish-presidentin Michel Platini, duke nënvizuar se ky i fundit pavarësisht dënimit që ka marrë nga Komisioni i Etikës në FIFA do të jetë i pranishëm në Francë gjatë ndeshjeve të Europianit.