Kreu i KiE, Jagland mbështetje Nishanit për çështjen e pronave

Official visit by Bujar NISHANI, Président of Albenia, to Thorbjørn Jagland, Secretary General of the Council of Europe. Visite officielle de Bujar NISHANI, Président de l'Albanie, à Thorbjørn Jagland, Secrétaire Général du Conseil de l’Europe.

Në kohën kur në Shqipëri ligji i ri i qeverisë për pronat, është duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, presidenti Bujar Nishani më 16 maj i është drejtuar me një letër Sekretarit te Përgjithshëm të Këshillit të Europës, Thornbjorn Jagland ku i ka shfaqur shqetësimin e tij mbi këtë ligj. Tre javë më pas, Sekretari i Përgjithshëm, Jagland ka siguruar Nishani se shqetësimi i tij po mbahet ne konsideratë. “I dashur President, Ju falënderoj për letrën Tuaj të datës 16 maj në vazhdën e takimit tonë të shkëlqyer të 26 marsit ku ripërtëritët përkushtimin tuaj ndaj Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe zbatimin e saj në Shqipëri. Shqetësimet tuaja lidhur me Ligjin e ri ‘Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave’ që mesa di po shqyrtohet tani nga Gjykata Kushtetuese, i kam mbajtur parasysh me vëmendje. Sikurse e dini, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës po e mbikëqyr nga afër çështjen, në kuadër të zbatimit të vendimit pilot ‘Manushaqe Puto kundër Shqipërisë (nr. 604/07)’ të dhënë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut më 31 korrik 2012. Në bazë të kërkesës suaj, kam siguruar që letra juaj të sillet në vëmendjen e Komitetit para takimit të tij të ardhshëm që do të mbahet në qershor 2016. Në përfundim, dëshiroj të ripërsëris mbështetjen time për bashkëpunimin dhe ndihmesën e ofruar nga Këshilli i Evropës ndaj autoriteteve shqiptare në këtë proces të rëndësishëm” thuhet në letrën që Jagland i drejton Nishanit.