Krenar për Shqipërinë

Ermir Lenjani është një ndër futbollistët e shumtë kuqezi të rritur dhe formuar në Zvicër dhe që fati u ka rezervuar si kundërshtar në takimin debutues të “Euro 2016” pikërisht përfaqësuesen helvete. Për 26-vjeçarin, që flet për “Neue Zurcher Zeitung” është një miks emocionesh pozitive, pasi jeta e tij është e ndërthurur mes Kosovës, Shqipërisë dhe Zvicrës. “Ndeshja me Zvicrën është e veçantë, ka diçka të bukur dhe më jep një ndjesi shumë pozitive. Do të kem rastin për t’u përballur me skuadrën e vendit ku jam rritur dhe më ka dhënë mundësinë për t’u bërë ky që jam sot. Familja la Prishtinën në vitin 1992 dhe u vendos në Gibsëil pranë Zyrihit. Më pas jetuam në Winterthur, ku shoh edhe të ardhmen time pas karrierës futbollistike”, u shpreh Lenjani.
Mirënjohës për mundësinë që i ka dhënë Zvicra, por krenar për të qenit shqiptar. Lenjani nuk u shpëton dot ndjenjave patriotike. “Kur mendoj Zvicrën, në mendje më vijnë malet tona. Dëgjoj fjalën Shqipëri dhe menjëherë kujtoj shqiponjën dykrenare. Unë kam përfituar shumë nga të dyja kulturat. Jam krenar që në venat e mia rrjedh gjak shqiptar, por Zvicra u ka dhënë mundësi shumë bashkëpatriotëve të mi që të kenë sukses në jetë”, tha ai.
Dëshira për ta nisur me fitore Europianin dhe për të bërë të lumtur fansat kuqezi është e madhe.
“Edhe pse jam shumë i lidhur me Zvicrën, në ndeshjen e parë të Europianit do të jap maksimumin për skuadrën time për të bërë të lumtur dhe krenarë fansat tanë. Për mua është nder që përfaqësoj Shqipërinë. Familja dhe miqtë ndihen krenarë me mua, dhe kjo më jep motiv dhe energji për të bërë më të mirën për Shqipërinë. Kam lidhje të forta edhe me Kosovën, vendlindjen time, nga ku u largova vetëm kur isha 3 vjeç. Udhëtoj shpesh në Shqipëri dhe Kosovë dhe kur nëna më gatuan ushqime tradicionale ndihem vërtet në shtëpinë time”, tha Lenjani.
Ekspertët ndërkombëtarë të statistikave, kanë zbuluar se një skuadër ka shanse të kalojë fazën në grupe të Euro 2016 edhe pa shënuar ndonjë gol. Një lajm shumë i mirë për Shqipërinë që ka probleme në fazën ofensive në krahasim me përfaqësueset e tjera. Omar Çauduri, një bloger i njohur për studimet statistikore, ka përllogaritur nëpërmjet programeve kompjuterike përqindjen e mundësisë së kualifikimit si e treta më e mirë në grup dhe rezulton se me 3 pikë, të siguruara pas tre barazimeve 0-0, një skuadër ka 87 për qind mundësi që të kalojë mes 16 më të mirëve, probabilitet i cili vlerësohet si shumë i lartë në gjuhën e matematikës.
Kuptohet që e njëjta përqindje është për çdo lloj barazimi me gola, për sa kohë që ekipi merr nga një pikë në secilën ndeshje. Me 4 pikë, ndonëse me një golavarazh negativ, mundësia e kalimit të grupit është minimalisht 92 përqind, duke arritur 100 përqind nëse golavarazhi i përgjithshëm pas tre ndeshjeve është 0 apo pozitiv.
Ndaj “parkimi i autobusit” nuk do të jetë një ide e keqe për kuqezinjtë, të cilët nëse ia dalin mbanë të ruajnë të paprekur rrjetën e Berishës në fazën në grupe, i kanë të gjitha shanset të shtyjnë qëndrimin e tyre në Francë përtej 19 qershorit.