Italianët e kërkojnë për trafik droge, Rama e bëri deputet

Ish-oficeri i policisë, Dritan Zagani, ka folur për një telefonatë nga Guardia di Finanzia, në të cilën i kërkonin të dhëna për një kandidat për deputet të Partisë Socialiste.
“Kam nevojë të më thuash çfarë përfaqëson për ligjin shqiptar shtetasi X.Y., dhe nëse njihej për aktivitet kriminal në Shqipëri apo jo”, ishte kërkesa e kolegut nga Italia, i cili i tha se ky emër rezultonte i implikuar në hetimet e tij.
Zagani tregon se nuk e njihte atë emër. Por e dëgjoi po atë mbrëmje në një rrethanë të pazakontë:
Rastësisht shikoj liderin e opozitës së atëhershme që po prezantonte një nga kandidatët për deputet ….!!! Mbeta për disa minuta pa fjalë dhe fillova të flisja me vete, si ka mundësi, o po e dëgjoj gabim apo më ngjante se ishte një emër i njohur për mua. Atë natë e lashë me aq se thashë mbase më kujtohej gabim emri që miku im më kërkoi informacion dhe prita të nesërmen sa vajta në zyrë. Mbi tavolinën e punës shikoj në një fletë nga ato të verdhat me ngjitje që e kisha vendosur në cepin e monitorit të pc. Çuditërisht ishte i njëjti emër me atë që kisha parë të prezantohej nga opozita si kandidat për deputet”.
Po cili është personazhi në fjalë?
Zagani nuk e tregon. Jep vetëm një të dhënë, që lehtëson kërkimin.
“Sot kjo fotografi më thotë që unë duhet të bëja më shumë. Kjo foto më sjell në mendje një kujtim të trishtë. ..!!!!”.
Më poshtë, statusi i plotë në Facebook i ish-oficerit të policisë, Dritan Zagani, i njohur për publikun pas denoncimit të tij se ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, mbron trafikantët e drogës.
Kjo foto më sjell në mendje një kujtim të trishtë. ..!!!!
…Ishte diku maji i vitit 2013, në zyrën time në Drejtorinë e Policisë Fier, periudhë parazgjedhore dhe sapo kishte filluar fushata elektorale për zgjedhjet e 2013.
Në punë e sipër më bie telefoni, shikoj që po më merrte një koleg nga G di F, ish-drejtues i misionit në Vlorë që pas largimit nga misioni kishte marrë detyrën në një qytet në brigjet e Adriatikut si komandant dhe ku ishte rritur në gradë. Me këtë okazion po uroja për ngritjen në gradë dhe pas fjalëve të kortezisë si dy kolegë që kishim ngelur edhe shumë miq më pyet se ku po punoja tani. (Kishte dëgjuar që më kishin lëvizur nga Vlora). Pas kësaj bisede të përgjithshme më pyet nëse nga funksioni që kisha e ndihmoja dot në lidhje me një çështje hetimore që kishte në punë e sipër sepse donte të kuptonte kush ishte një shtetas shqiptar që i rezultonte i implikuar në hetimet e tij.
I them ti më thuaj çfarë nevoje ke dhe të shikoj çfarë mundem të të ndihmoj. Në këto kushte më thotë në një hetim kam nevojë të më thuash çfarë përfaqëson për ligjin shqiptar shtetasi X.Y., dhe nëse njihej për aktivitet kriminal në Shqipëri apo jo.
Unë në fakt atë emër e dëgjova për herë të parë dhe ishte nga një qytet në Shqipërinë e Mesme që e njihja pak ose aspak edhe si qytet, kështu që nuk isha në gjendje të jepja asnjë mendim për të sepse nuk dija gjë, por për të qenë korrekt me kolegun dhe mikun tim (duhet ta theksoj që ishte një nga miqtë e shumtë që kisha njohur nëpërmjet punës në Vlorë nga drejtuesit e G di F ), i them që nuk e njoh, por do të shikoj çfarë mundem të mësoj me anë të kolegëve apo ndonjë burimi që ka të dhëna në lidhje me këtë problem.
Kështu mbylla bisedën me kolegun italian dhe së bashku me të dhe ditën e punës në zyrë. Pas disa orësh isha në shtëpi dhe po dëgjoja lajmet në TV kishte filluar fushata zgjedhore me gjithë “madhështinë” e prezantimit të kandidatëve për deputetë dhe kështu rastësisht shikoj liderin e opozitës së atëhershme që po prezantonte një nga kandidatët për deputet ….!!!
Mbeta për disa minuta pa fjalë dhe fillova të flisja me vete, si ka mundësi, o po e dëgjoj gabim apo më ngjante se ishte një emër i njohur për mua. Atë natë e lashë me aq se thashë mbase më kujtohej gabim emri që miku im më kërkoi informacion dhe prita të nesërme sa vajta në zyrë. Mbi tavolinën e punës shikoj në një fletë nga ato të verdha me ngjitje që e kisha vendos në cepin e monitorit të pc në të cilën kisha emrin që miku më pyeti një ditë më parë. Çuditërisht ishte i njëjti emër me atë që kisha parë të prezantohej nga opozita si kandidat për deputet. Ça të thoja apo bëja? Nuk kisha fare idenë as se kush ishte.
Pak ditë më vonë kur miku im më mori prapë për të më pyetur i thashë shkurt, më vjen keq, por është në një qytet ku nuk njoh njeri, si dhe as ndonjë polic që të më ndihmojë, kështu s’të ndihmoj dot.
Sot pyes veten, a duhet të bëja më shumë apo bëra mirë që nuk hyra më shumë në atë verifikim që më kërkoi miku im?
Sot kjo fotografi më thotë që unë duhet të bëja më shumë, edhe pse faktikisht ishte jashtë çdo juridiksioni apo mundësie reale për mua. Prapë them që kam bërë gabim dhe jo se mund të bëja kushedi se çfarë, por të paktën sot nuk do të ndihesha keq me veten kur shikoj këtë foto dhe shikoj se kush përfaqëson ligjvënësit në vendin tim. Kjo më bën të besoj që nëse ky është realiteti i trishtë i vendit tim, të gjithë kemi pjesën tonë të fajit në një formë a tjetrën të gjithë jemi fajtorë dhe duhet të bënim secili atë që mundet. Mbase nuk do të arrinim në këtë ditë ku jemi, kushedi mbase jo, por tani që jemi në këtë gjendje thjesht konstatojmë se çfarë gabuam. Unë e di që kam gabuar në disa raste dhe do të bëj çfarë të mundem për ta korrigjuar gabimin. Më mirë vonë se kurrë!!