Italia tërheq shefin e misionit të Interforcës, Michelle Grillo

Italia ka tërhequr shefin e Misionit Interforcë Michello Grillo pas akuzave se bashkëshortja e saj qëndronte pas shitjes
së pajisjes së përgjimit.
Ai është shefi i misionit policor italian, Interforce, që vepron në Tiranë. Për herë të parë rreth përfshirjes së mundshme të tij në debatin për pajisjen e përgjimit shkruajti gazeta më e madhe italiane, Corriere Della Sera. Sipas saj, shefi i Interforce ishte personi që përflitej për pajisjen, për shkak të lidhjeve familjare që ai kishte me kompaninë IMSI Catcher që e kishte prodhuar pajisjen.
Ndërkohë, deri më tani nuk bëhet ende i ditur se kush do të jetë emri që do të zëvendësojë Michele Grillo-n, ndërsa priten të zbardhen të tjera detaje rreth këtij vendimi. Ditën e djeshme, gjykata caktoi masën “pezullim nga detyra” për kreun e Policisë së Shtetit, Haki Çako, në lidhje me çështjen e pajisjes së përgjimit. Sipas hetimeve të organit të akuzës, dyshohet se kjo pajisje u përdor nga Policia e Shtetit për përgjim, ndërsa Çako akuzohet për “Shpërdorim detyre”. Prej kohësh opozita ka akuzuar Policinë e Shtetit, si dhe ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri se ka përdorur një pajisje përgjimi, pa dijeninë e Prokurorisë. Fill pas këtyre akuzave Prokuroria nisi hetimet, ndërsa shumë herë u përfol për emrin e Michele Grillo-s.
Emri i Grillos është përmendur jo pak herë në media. Në korrikun e vitit 2015, Michele Grillo, shefi i misionit të Interforcës italiane në Tiranë, udhëtoi bashkë me drejtorin e policisë, Haki Çako e të tjerë me një avion mbi Jugun e vendit. Avioni ishte i pajisur me disa radarë specialë që diktonin mbjelljet me kanabis. Ishte një udhëtim sa për shfaqje, për të dhënë mesazhin se situatën e kemi nën kontroll. Por nuk vonoi shumë dhe në shtator të 2015 në Itali autoritetet italiane kapën një avion të vogël me 400 kg kanabis në një pistë sportive. Ngjarja bëri bujë dhe të arrestuarit ishin një qytetar italian dhe një shqiptar. Reagimi ishte i menjëhershëm dhe droga u dyshua si e ardhur nga Shqipëria. Por në kulmin e presionit mbi një trafik droge me avionë dhe vetëm 2 muaj pas aksionit me radarë, shefi i Interforcës në Tiranë, Michele Grillo, doli në “Top Channel” dhe deklaroi se avioni nuk ishte ngarkuar në Shqipëri, por kishte bërë lëvizje vetëm brenda Italisë. Por Grillo u përgënjeshtrua nga Guardia di Finanza dhe Policia e Shtetit italian, e cila në komunikatën zyrtare shkruante se sasia e drogës ishte ngarkuar në Shqipëri dhe komunikata qartësonte se avioni kryente transportin nga Shqipëria drejt Italisë.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha publikoi komunikatën zyrtare të policisë italiane dhe përgënjeshtroi publikisht Grillo-n. Ky ishte rasti i parë, kur u pa qartësisht se shefi i Interforcës, Michele Grillo, ishte përfshirë në lojë politike në krah të ministrit Tahiri, duke deformuar faktet dhe duke mashtruar publikisht për të fshehur implikimin e palës shqiptare në trafikun e drogës. Ishte interesante se si Grillo kurdisi një spektakël në korrik, gjasme për të identifikuar me radarë parcelat e kanabisit, ndërsa në shtator u implikua në një skenar politiko-mediatik për të fshehur trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë me avionë. Por emri i Grillo-s ka dalë së fundmi dhe në skandalin e përgjimeve. Ai është italiani që dyshohet si personi kyç që ka mundësuar pazarin e sigurimit të një aparature të sofistikuar përgjimi, madje dyshohet se ai është dhe personi që ka mundësuar futjen e saj në Shqipëri nëpërmjet logjistikës së Interforcës. Por tashmë janë bërë dy raste ku del emri i tij, rasti i parë me drogën dhe rasti i dytë me aparaturën përgjuese dhe Grillo duket se është italiani i punëve të pista të Saimir Tahirit.