Histori spiunazhi në Shqipëri me pajisje nga Italia

Pezullimi nga detyra i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë shqiptare nuk është lënë jashtë vëmendjes nga mediat e huaja.
Më gjerësisht, rasti është pasqyruar në mediat italiane.
“Histori italiane spiunazhi” e quan në titull, e përditshmja “Il Secolo XIX”. “Shpërthimi i skandalit të përgjimeve që çoi në pezullimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë shqiptare dhe arrestimin e dy zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Brendshme, prek edhe Italinë”, shkruan “Il Secolo XIX”.
Deputetët shqiptarë akuzojnë Romën se ka pajisur policinë shqiptare me “IMSI Catcher-in”, një Big Brother elektronik. Sipas të përditshmes “Il Secolo XIX”, pajisja hyri në Shqipëri në mënyrë të fshehtë në 11 mars përmes kanaleve diplomatike. Më tej thuhet, se i pari që hodhi bombën për ekzistencën e një pajisje të tillë ishte ish-kryeministri Sali Berisha.
Drejtori i Policisë shqiptare Haki Çako u pezullua me urdhër të Gjykatës së Tiranës, ndërsa drejtori i Seksionit Operacional Artion Duka dhe vartësi i tij, Entiol Xhelilaj morën masën e arrestit shtëpiak.
“Këto masa u morën në bazë të një hetimi, i cili po vë në siklet policinë italiane dhe Ministrinë e saj të Brendshme”, shkruan e përditshmja italiane.
Portali i njohur on-line “Blitz Quotidiano” e quan një histori shqiptare spiunazhi me përgjime që kryen me makineri italiane. Në shkrim sqarohet se, “IMSI Catcher” përgjon bisedat e telefonave celularë përmes një antene të vogël mes shumë transmetuesve të mëdhenj të valëve celulare, pa e vënë re askush.
Është një pajisje që përdoret nga policitë e gjithë botës, por që policia shqiptare e ka futur pa autorizimin e Prokurorisë, me ndihmën e autoriteteve italiane. Kjo çoi në pezullimin nga detyra dhe hetimin të drejtorit të përgjithshëm të policisë Haki Çako, vijon artikulli.
Por pavarësisht akuzave, shkruan “Blitz Quotidiano”, ish-drejtori i Policisë italiane Alessandro Pansa, kishte sqaruar përmes një letre se, aparatura ishte konfiguruar nga ekspertët italianë për të mos përgjuar biseda e mesazhe telefonike, por kishte vetëm qëllime trajnimi.
Por konfigurimi i pajisjes nuk modifikohet, shkruan “Blitz Quotidiano”, dhe as nuk mbledh të dhënat e trafikut.
Edhe “Osservatorio italiano” shkruan se në mënyrë të pazakontë kryeministri Edi Rama i kërkon falje Italisë për pezullimin e Çakos për shkak të përgjimeve. Rasti ka marrë vëmendjen edhe të mediave prestigjioze amerikane të lexuara në të gjithë botën, si “Uashington Post”.