Haki Çako në Prokurori: Pajisja u përdor për përgjime pa njoftuar Prokurorinë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, tashmë i pezulluar nga detyra, ka pranuar para hetuesve që aparatura e përgjimit ka bërë përgjime në Shqipëri.
Pasditën e 17 majit, kur Haki Çako është marrë në pyetje nga prokurorja Anisa Qilimi ka pranuar se kjo pajisje, përveç trajnimit është përdorur nga forcat operacionale të policisë për gjurmimin dhe identifikimin e numrave të telefonit të personave me rrezikshmëri shoqërore. Burimet thonë se, Çako ka pranuar se me këtë aparaturë është bërë gjurmimi i numrit të telefonit të Vladimir Gjutës dhe më pas arrestimi i tij në rrugën e “Kombit”. Ky veprim hetimor ndaj Gjutës, me këtë pajisje përgjimi burimet thonë se është kryer pa miratimin e prokurorit. Përveç këtij rasti, që Çako e ka theksuar para hetuesve, ai ka thënë se me këtë pajisje janë arrestuar edhe persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk i kujtoheshin. Për prokurorët, ky pohim i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, që tashmë është pezulluar me vendim Gjykate, tregon edhe njëherë se pajisja është përdorur për gjurmime dhe identifikim të numrave të IMEI pa lejën e Prokurorisë dhe në kundërshtim me ligjin. Gjithashtu, në dosjen e Prokurorisë thuhet se, Çako ka qenë kontradiktor në komunikimin me prokurorët. Pasi më 9 maj me një shkresë të dërguar pranë Prokurorisë, Haki Çako konfirmon se ka hyrë në Shqipëri një aparaturë e quajtur “IMSI Catcher”. Në këtë shkresë, në pikën dy ka thënë se kjo aparaturë është sjellë nga specialistët e Policisë italiane në kuadër të bashkëpunimit me Policinë e Shtetit për trajnime. Dhe në pikën tre, Çako thotë se, kjo pajisje shërben për të identifikuar numrat IMEI dhe nuk shërben për përgjim. Tetë ditë më pas, thuhet në dosjen, gjatë marrjes në pyetje në prokurori, Çako ka thënë se aparati IMSI Catcher është në gjendje të identifikojë numrat IMEI të çdo aparati telefonik dhe se nuk ka asnjë dijeni për regjistrimin doganor të hyrjes së kësaj pajisje. Edhe pse ligji e ngarkon atë për të marrë masa për të siguruar hyrjen, administrimin dhe përdorimin e një pajisje specifike, “IMSI Catcher”. Kjo pajisje, thuhet në dosje, ka hyrë në territorin e vendit tonë pa iu nënshtruar regjimit doganor të përkohshëm në bazë të legjislacionit doganor dhe pa marrë autorizimin përkatës nga Prokurori i Përgjithshëm, si autoriteti i vetëm që jep lejen për përdorimin e mjeteve të tilla.

Prokuroria-italianëve: Ku është aktualisht pajisja IMSI catcher dhe në pronësi të kujt është

Burimet zyrtare pranë Prokurorisë së kryeqytetit, i thanë “ABC News” se, prokurorja e çështjes Anisa Qilimi i ka drejtuar 8 pyetje autoriteteve të drejtësisë italiane në lidhje me aparaturën e përgjimit, që dyshohet se është përdorur në Shqipëri në mënyrë të paligjshme. Burimet thanë se, letër-porosia është dorëzuar pranë Ministrisë së Drejtësisë, e cila do ta adresojë atë tek homologët italian, duke i kërkuar kthimin sa më të shpejt të përgjigjeve. Mësohet se prokurorja Qilimi, ka kërkuar nga autoritetet e drejtësisë italiane që të di se ku është aktualisht pajisja IMSI catcher dhe në pronësi të kujt është?! Mbi bazën e cilës marrëveshjeje është sjellë në Shqipëri për trajnime dhe çfarë rruge ka ndjekur?! Cilët janë programet e trajnimit dhe nga kush janë miratuar?! Gjatë trajnimit në Shqipëri çfarë programe janë përdorur dhe cilët numra janë identifikuar?! Kush janë personat që e kanë përdorur në Shqipëri dhe cilat janë personat e trajnuar? Gjatë trajnimit nga kush administrohej pajisja?? E disa pyetje të tjera që pritet që autoritetet e drejtësisë italiane t’i përgjigjen për të hedhur dritë mbi ligjshmërinë e përdorimit të pajisjes së përgjimit në Shqipëri.
Nga ana tjetër, burimet e “ABC News” kanë mësuar se kjo pajisje është përdorur në disa raste pas mesnate në disa burgje të vendit, për të identifikuar numrat që të dënuarit me rrezikshmëri të lartë shoqërore kanë në përdorim. Nuk dihet se me miratimin e cilit zyrtar shtetëror kjo makineri me pajisjen e përgjimit ka hyrë brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit. Burimet thanë që në asnjë rast, operatorët e kësaj aparaturë nuk kanë dorëzuar ndonjë vendim prokurori apo gjykate për kryerjen e procedurës së identifikimit të numrave të telefonit që të burgosurit kishin në përdorim.
Ndërkohë, burimet pranë Prokurorisë i thanë “ABC News” se makina me pajisjen IMSI Catcher i instaluar brenda tij, ka qëndruar gjithë kohës në repartin e forcave të posaçme operacionale të Policisë së Shtetit që ndodhet në afërsi të zonës së njohur si “21 dhjetori”. Kjo e dokumentuar me foto nga oficerët e Prokurorisë, të cilët mesditën e datës 13 maj kanë kërkuar sekuestrimin e këtij mjeti bashkë me pajisjen brenda. Por 10 minuta, pasi oficerët kanë mbërritur në ambientet e këtij reparti për ta sekuestruar, mjeti është larguar nga inxhinieri i IT-së, Entiol Xhelilaj  për të mos e dorëzuar pranë oficerëve të Prokurorisë. Për këtë veprim, Prokuroria e ka proceduar penalisht Xhelilajn për akuzën e “shpërdorimt të detyrës” dhe “veprimeve që pengojnë në zbulimin e të vërtetës” në bashkëpunim.