Franca ka cilësitë për të fituar Europianin

Franca mund të fitojë titullin kampion Europe. Sulmuesi i Atleticos së Madridit, Antoine Griezman është i bindur që gjelat kanë kapacitetin e duhur për t’i shkuar deri në fund turneut që do të zhvillohet pikërisht në shtëpinë e tyre. 25-vjeçari që shihet si një nga vlerat e shtuara të formacionit të Didier Deschamps, ka bindjen se me pak fat, Franca mund të rikthehet të mbizotërojë kontinentin.
“Ne kemi futbollistë të mëdhenj që luajnë në skuadra të mëdha, kështu që mendoj se kemi skuadrën për të fituar titullin kampion Europe. Por duhet të jemi të fortë, duhet të fitojmë 3 ndeshjet e para dhe më pas të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh Griezman.
Që një skuadër të triumfojë në një turne madhor nuk janë vetëm cilësitë ato që vlejnë. Sigurisht që në një kompeticion të tillë duhet një grup sa më i bashkuar i rrethuar nga një atmosferë pozitive. Sulmuesi i Les Blues evidenton që të gjithë këta faktorë janë pro skuadrës.
“Ekziston një atmosferë e këndshme në skuadër teksa është një grup i mirë futbollsitësh. Ka shumë humor midis nesh dhe na pëlqen shoqëria me njëri-tjetrin. Kjo reflekton edhe në fushë. Ne japim 100% për njëri-tjetrin dhe përpiqemi gjithmonë të ndihmojmë shokun e skuadrës. Kemi futbollistë të rinj në moshë, por edhe me eksperiencë. Kjo është diçka e mirë për Francën”, tha ai.
Kualitetet e Francës në repartin e sulmit kanë bërë që gjelat të shihen si skuadra favorite për të fituar Europianin, por Griezman mendon se në garë janë edhe skuadra të tjera, të cilat janë mësuar me të tilla kompeticione. “Është Gjermania apo edhe Spanja. Jam i bindur gjithashtu që edhe Italia do të arrijë në 4 më të mirët. Atëherë ne duhet të kemi fatin me vete në momentet e vështira”, përfundoi Griezman.