Fondacioni për Liri dhe Demokraci

Kryetari i PD, Basha ka falënderuar Fondacionin për Liri dhe Demokraci, kryetarin e bordit, anëtarët e bordit dhe drejtorin ekzekutiv. “Ky është një aktivitet i përbashkët i Fondacionit për Liri dhe Demokraci të Partisë Demokratike, i Institutit Ndërkombëtar Republikan të Partisë Republikane amerikane, me pjesëmarrje natyrisht të deputetëve dhe funksionarëve të Partisë Demokratike, të shoqërisë civile, në veçanti të organizatave, të cilat në këto vite janë marrë me çështjen e transparencës dhe korrupsionit. Dua t’i falënderoj nga zemra për interesin që kanë treguar këtë mëngjes, dy ditë para nisjes së Kampionatit Europian dhe dy ditë pas përfundimit të takimit të shumëpritur dhe pa rezultat midis Kryeministrit dhe kreut të opozitës.
Jemi midis dy momenteve, njëri sportiv dhe tjetri jo dhe aq sportiv, por interesi i pjesëmarrësve në këtë takim tregon atë që dimë të gjithë ne se korrupsioni dhe transparenca janë dy probleme të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Dua të përshëndes dhe drejtuesit e Institutit Republikan për vëmendjen e veçantë që i jepni këtij problemi kaq të mprehtë, jo thjesht për opozitën, por për Shqipërinë, për shqiptarët, për qytetarët, për biznesin, për median”, tha Basha.