FMN: Klima e biznesit nuk u përmirësua, reformat kanë ngecur

Përmirësimi i klimës së biznesit dhe marrja e masave domethënëse për të reduktuar nivelin e lartë të NPL-ve janë dy reformat që nuk kanë marrë notë kaluese në raportin e fundit të FMN-së, që vlerëson zbatimin e rekomandimeve nga Konsultimet e Artikullit IV të vitit 2014. FMN ka publikuar dje raportin e vendit për vitin 2016 për konsultimin e artikullit IV.
Në tabelën për zbatimin e rekomandimeve, përmirësimi i klimës së biznesit dhe mosreduktimi i NPL-ve janë dy reformat që janë vlerësuar të pamjaftueshme. Pozitivisht janë vlerësuar reforma e pensioneve, shlyerja e detyrimeve të prapambetura dhe moskrijimi i detyrimeve të reja, përmirësimi i menaxhimit të borxhit, lehtësimi i politikës monetare dhe reforma e energjisë. Në nivel të moderuar kanë qenë zbatimi i reformës së administratës publike, marrja e masave për mbikëqyrjen e jo bankave, përmirësimi i cilësisë së statistikave dhe forcimi i pavarësisë së INSTAT.
Në përgjithësi, FMN vlerëson që zbatimi i programit ka qenë i fortë, me autoritetet që kanë zbatuar disa reforma ambicioze dhe të vështira. Objektivat e programit janë përmbushur në përgjithësi. Konsolidimi fiskal po ndodh dhe borxhi publik vlerësohet se ka arritur kulmin në vitin 2015. Reformat në pensione dhe energji dhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura janë piketa të rëndësishme. Megjithatë, reformat e tjera kritike për përmirësimin e mjedisit të biznesit, duke përfshirë ato që lidhen me të drejtat e pronësisë, uljen e NPL, reformat gjyqësore dhe të qeverisjes kanë ngecur.
FMN vlerëson se, reformat strukturore për përmirësimin e mjedisit të biznesit janë kritike për të forcuar konkurrueshmërinë e Shqipërisë. Renditja e Shqipërisë në anketën e të Bërit Biznes ka mbetur prapa kolegëve të rajonit. Si sfidat kryesore për konkurrencën, sondazhet në vend vlerësojnë se janë: (i) boshllëqe kritike të infrastrukturës që kufizojnë tregtinë dhe rrisin koston e biznesit, (ii) informaliteti i gjerë që çon në investime dhe produktivitet të ulët, (iii) procedurat komplekse tatimore që rrisin barrën për bizneset, (iv) zhvillimi i dobët financiar me qasje shumë të kufizuar në financimin e kapitalit, dhe (v) një sistem joefikas gjyqësor që nuk mbron të drejtat pronësore në mënyrë adekuate dhe pengon zbatimin e ligjit. Më gjerësisht, institucionet e dobëta dhe qeverisja e dobët janë kufizime të rëndësishme për përmirësimin e klimës së investimeve.
Sipas FMN-së, reforma të mëtejshme strukturore për përmirësimin e mjedisit të biznesit do të jenë të rëndësishme për forcimin e aftësisë konkurruese të Shqipërisë dhe për të përshpejtuar rritjen. Fokusi duhet të jetë mbi reformat vendimtare për përmirësimin e klimës së biznesit, duke përfshirë të drejtat pronësore dhe gjyqësorit. Duhen përshpejtuar përpjekjet për të vendosur kadastrën ligjore për regjistrimin e pronës, për të forcuar të drejtat e pronës, një pengesë kryesore për investimet. Progresi në reformën gjyqësore duhet të udhëhiqet nga rekomandimet e Komisionit të Venecias. Shqipëria gjithashtu ka nevojë për të mbështetur luftën kundër informalitetit, të thjeshtojë procedurat e mbledhjes së taksave dhe përmirësimin e qeverisjes. Së fundi, diversifikimi i eksporteve përtej mallrave dhe tekstile me vlerë të shtuar të ulët do të jetë e rëndësishme për rritje të qëndrueshme, dhe do të kërkonte investime shtesë në arsim dhe infrastrukturë.
Që prej nënshkrimit të marrëveshjes së zgjeruar me fondin në fillim të 2014-ës, FMN vlerëson se autoritetet kanë zbatuar reforma ambicioze dhe të vështira strukturore, duke përfshirë pensionet dhe sektorin e energjisë elektrike. U paguan detyrimet e prapambetura. Një proces konsolidimi fiskal ambicioz është duke u zhvilluar. Këto arritje kanë lejuar përmirësimin e vlerësimit të renditjes së kredisë. Megjithatë, reformat e tjera kritike për përmirësimin e mjedisit të biznesit, duke përfshirë ato që lidhen me të drejtat e pronësisë, zgjidhjen e NPL-ve, gjyqësorit, dhe qeverisja, kanë ngecur.
Rritja ekonomike është duke u forcuar gradualisht, ndërkohë që presionet inflacioniste janë të ulëta. Rritja e GDP-së u përshpejtua në 2.6 për qind në vitin 2015, nga 2.0 për qind në vitin 2014, i nxitur nga prodhimi më i lartë i energjisë elektrike për shkak të reshjeve të jashtëzakonshme, një përmirësim në turizëm, dhe një gjallërim në ndërtim. Megjithatë, rritja mbetet nën potencial. Inflacioni total është shumë i ulët (0.3 për qind në mars 2016), duke reflektuar çmime të ulëta të ushqimeve dhe karburantit, si dhe venitjen e efekteve bazë nga ndikimi i përmbytjeve të vitit të kaluar, ndërkohë që inflacioni bazë mbetet negativ, duke reflektuar dizinflacionin e importuar dhe frenimin e brendshëm.
Prioriteti kryesor i Politikave është që të vazhdojë uljen e dobësive fiskale, ndërkohë që përparon me reformat strukturore për të arritur rritje të qëndrueshme.
Duke pasur parasysh perspektivën e çmimeve më të ulëta të mallrave për të ardhmen e parashikueshme dhe një shërim të ngadaltë në Evropë, Shqipëria do të duhet të riorientohet drejt një modeli të rritjes më të larmishëm dhe të hapur. Implementimi i shpejtë i reformave strukturore do të jetë kritik për të forcuar konkurrencën, për të përmirësuar klimën e investimeve dhe të nxisë rritjen më të fortë. Negociatat për anëtarësim në BE do të sigurojë një shtytje të fortë për të çuar përpara këto reforma, vlerëson FMN.