Fidanishtja e Saje qorrit e Edvin Shullazit në Nivicë

Zbulohen të tjera plantacione me kanabis në Tepelenë. Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar të tjera fotografi nga parcelat me kanabis sativa në Nivicë të Tepelenës, ku shihen fidanishtet e kultivuara me lëndë narkotike kanabis sativa. Berisha akuzon Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri se po lejojnë kultivimin e drogës në vend.
“Fidanishtja e Saje qorrit dhe Edvin Shullazit në Nivicë, Tepelenë! Sb”, shkruan Berisha në Facebook. Prej disa ditësh, Berisha publikon në Facebook fotografi të parcelave me kanabis, për të cilat thotë se i përkasin ministrit Tahiri.
Një ditë më parë, Berisha publikoi në rrjetin social Facebook një video të parcelave me kanabis në luginën e Luftinjës në Tepelenë, për të cilën akuzon Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin Tahiri. “Video nga arat e Saje qorrit dhe Edvin Shullazit në luginën e Luftinjës! sb”, shkruan ish-Kryeministri Berisha.
Në zonat e thella malore po hapen territore të reja për kanabisin. Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ka ngritur si shqetësim dje se droga po kultivohet në të gjitha zonat malore, ndërsa policia nuk ka mundur ta parandalojë. Gjatë një takimi me prefektin dhe drejtues të Policisë së Shkodrës, kryebashkiakja Ademi është shprehur se, ky fenomen është më i shtuar në zonat malore, ku banorët janë shumë të varfër. “Prandaj, pjesë e parandalimit është jo vetëm verifikimi, por duhet parë bashkë jo vetëm, por edhe qeveria qendrore duhet të shohim problematikën për zhvillimin e këtyre zonave”, u shpreh Ademi.
Parcelat me kanabis lulëzojnë në të gjithë vendin me dijeninë e krerëve të policisë dhe inspektorëve të fshatrave. I gjithë Jugu i vendit është i mbushur me kanabis nga trafikantët e lidhur me zyrtarët e lartë të policisë dhe qeverisë. Për të gjitha parcelat e mbjella me drogë janë në dijeni krerët e  policisë dhe inspektorëve të fshatrave, pasi ata marin pjesën e tyre nga kjo fushatë hashashi që ka kohë që po lulëzon. Sipas burimeve, për mbjelljen e hashashit, garancia është e plotë nga strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunimin edhe me kontigjentin kriminal. Krerët e policisë bashkëpunojnë me trafikantët e drogës dhe për çdo rrënjë kanabis të mbjellë marrin 50 euro.
Plantacionet me kanabis lulëzojnë edhe në Krujë, ku mbjelljet masive të drogës bëhen në bashkëpunim mes pushtetarëve, banditëve të krimit që pasurohen bashkërisht me drogën që mbjellin. Bëhet e ditur se në Krujë janë prerë pyje e shkurre për të mbjellë kanabisin. Në fshatrat Zezë, Verion, Greps, Bura, Mukje, Kurcaj lulëzon kanabisi pa asnjë problem për policinë. Sipas burimeve, për mbjelljen e hashashit garancia është e plotë nga strukturat e Policisë në bashkëpunimin me ish-dhe kontigjentin kriminal. Kjo situatë është edhe në fshatrat Thumanë, Derven, Gramez. Këto zona ngjajnë me fshatrat kolumbiane ku përveç manisë për të përfituar lekë ka dhe frikë se ai që nuk paguan kërcënohet me burg ose me gjoba të tmerrshme nga sekserët që kontrollojnë zonën dhe japin garanci.
Gjatë ditëve të fundit, policia ka ndërmarrë disa aksione për shkatërrimin e parcelave me kanabis, të cilat janë pa pronarë, por arat me kanabis të pushtetarëve nuk preken nga policia. Këto ara jo vetëm që nuk preken, por ruhen me forca të armatosura.
Trafikantët e mbështetur nga policia kanë angazhuar edhe mercenarë të armatosur me kallashnikov që ruajnë fushat e mbjella me lëndë narkotike. Gjatë ditëve të fundit janë asgjësuar mijëra rrënjë kanabis në Vlorë, Sarandë dhe Elbasan, por nuk janë prekur parcelat me kanabis që i përkasin krerëve të policisë. Këto parcela ruhen nga mercenarët e paguar nga trafikantët e drogës.

R.POLISI