Fanellë gjigante për Armando Sadikun

Nga ai gol i 11 tetorit 2015 në Armeni, që vulosi kualifikimin e Shqipërisë në Kampionatin Europian, e deri te tre golat radhazi në miqësore. Armando Sadiku është njeriu i momentit në Kombëtare, duke entuziazmuar tifozët. Mbi të gjitha mbështetësit në Elbasan, që i kanë dedikuar një fanellë gjigante, të vendosur në qendër të qytetit.
Me përmasa 6 metra e gjatë dhe 2,8 metra e gjëra, fanella kuqezi me numrin 10 u vendos në muret e Kalasë së Elbasanit, për të qenë e dukshme në bulevardin qëndror të qytetit. Një vlerësim për 25-vjeçarin, që është lojtari i vetëm nga Elbasani në ekipin Kombëtar. Pozitat e Armando Sadikut kanë marrë kuotë në sulmin kuqezi, aq sa De Biasi duket se do t’i besojë një fanellë titullari për ndeshjen e parë të grupit, kundër Zvicrës.
Fanella e Armando Sadikut nuk është rasti i vetëm, pasi në Kampionatin Europian, tifozët shqiptarë kanë vendosur të mahnisin kontinentin. Për ndeshjen e 15 qershorit kundër Francës, tifozët kanë përgatitur një flamur gjigant, me sipërfaqe afro 11 mijë metra katrorë, që do të hapet në qytetin e Marsejës dhe ku të angazhuar do të jenë afro 500 persona.