Ekonomia në pikiatë, të gjitha fondet e investimit në rënie

Edhe viti 2016 nuk arriti dot t’i shpëtonte një ndryshimi që Ministria e Financave do t’i bëjë buxhetit të shtetit. Nëse problemet kryesore një vit më parë ishin mungesa e të ardhurave, këtë herë vijon të mbetet shqetësim mënyra sesi shpenzohen paratë. Sipas të dhënave të publikuara të treguesve fiskalë, shpenzimet publike nuk janë realizuar në masën 150 milionë dollarë për 4 muajt e parë të vitit, duke e bërë të pashmangshëm rialokimin e fondeve.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha se rishikimi i buxhetit do të bëhet dhe se do të ketë një rialokim të fondeve, por jo pa marrë më parë një miratim nga misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Deri në prill të këtij viti, qeveria duhet të kishte shpërndarë 129 miliardë lekë fonde, por nga kjo shifër janë alokuar vetëm 114 miliardë lekë. Rënia është me 10 miliardë lekë ose me 8.5% edhe nga viti i mëparshëm, i cili në fakt nuk u shqua për një ecuri të mirë të shpenzimeve. Qeveria u detyrua të ndryshonte fokusin e veprave publike 3 herë gjithsej.
Por cilat kanë qenë arsyet në vonesën e hapjes së punimeve publike? Financat kanë pohuar se ka pasur probleme me hapjen e prokurimeve të veprave të mëdha.
Në tërësi, për katër muajt e parë, shpenzimet nuk janë realizuar në të gjitha drejtimet. Fondet për investimet në vepra publike kanë një rënie 2.4 miliardë lekë krahasuar me planin, 2.3 miliardë mungojnë te shpenzimet operative dhe 2.7 miliardë lekë u mungojnë buxheteve të pushtetit vendor.
Janë gjithsej 4 projekte të mëdha të qeverisë, të cilat së fundi janë zhbllokuar dhe do të nisë zbatimi i tyre. Burime nga Ministria e Financave thonë për Revistën “Monitor” se, alokimi i këtyre fondeve pritet të përmirësojë ecurinë e shpenzimeve në buxhet.
Janë 15 milionë euro, të cilat do të fillojnë të shpërndahen në formë subvencioni për fermerët. Numri i aplikimeve shkoi në 1500 dhe pas shqyrtimeve, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të nisë shpërndarjen e tyre. Me këto para, financat besojnë se do të përmirësohet ecuria e shpenzimeve, por po ashtu pret edhe rritje të prodhimeve të fermerëve, të cilat do të rritin ekonominë.
11 milionë dollarë, 50% e parave që janë derdhur në buxhetin e shtetit nga privatizimi i kompanisë së sigurimeve INSIG do të shkojnë për fillimin e punimeve të Unazës së Madhe të kryeqytetit. Ministria e Financave thotë se, pjesa tjetër e këtyre parave do të shkojë për uljen e borxhit publik. Gjithsej, shteti shqiptar mori nga INSIG 22 milionë dollarë.
Debate të shumta ka pasur lidhur me mënyrën sesi qeveria “Rama” është duke përdorur paratë e buxhetit të shtetit. Opozita e ka akuzuar shpesh për mungesë vizioni dhe për shkurtim të fondeve në buxhet që sjellin në të vërtetë rritje ekonomike. Në fakt, e vërteta është se buxheti për investime publike është shkurtuar ndjeshëm dhe prioritet kanë pasur vepra të vogla, të cilat lidhen më shumë me fasadat…
Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike, thotë se shqetësimi kryesor i këtyre viteve të fundit ka qenë pesha specifike që shpenzimet kapitale kanë pasur, nëse krahasohen me shpenzimet e tjera. Nëse dikur, shpjegon ai, investimet në vepra të mëdha renditeshin të parat sa i përket volumit të parave që ndaheshin në buxhet, sot ato janë në vend të tretë. “Problemi më i madh janë fondet, të cilat janë dhënë në këto vite për shpenzime kapitale. Orientimi që u është bërë këtyre parave nuk ka pasur në fokus lehtësimin e jetës së qytetarëve, pasi paratë e buxhetit janë taksat që ata paguajnë. Këto shpenzime kanë shkuar për zbukurime fasadash, projekte të vogla nëpër qendrat e qyteteve apo rikonstruksione zyrash. Që të rritet punësimi dhe përmirësimi i jetesës së qytetarëve është e dëshirueshme që qeveria të investojë para në vepra publike, të cilat kanë në fokus infrastrukturën”, shprehet Zef Preçi.
Por për Gjergj Buxhukun, qeveria duhet patjetër që të përfundojë veprat e nisura në infrastrukturë, përndryshe ato do të sjellin dëme të konsiderueshme, pasi do të kërkojnë para shtesë nga buxheti. “Nuk janë realizuar shpenzimet, njëherë duhet të mbyllin problematikat që ka. Mënyra më e mirë për t’i përdorur me efektivitet është të përfundojnë veprat publike, sepse vetëm kështu merr oksigjen ekonomia!”