Detyrime të reja bizneset, ku shkuan 300 milionë eurot e FMN?

237

Edmond SPAHO

Miratimi i marrëveshjes me Republikën Federale të Gjermanisë për financimin e linjës 110 Kw të unazës së jugut është një lajm i mirë. Nëpërmjet saj i hapet rrugë realizimit të një projekti të filluar nga qeverisja e Partisë Demokratike në mandatin e saj të dytë. Ndërtimi i linjës 110 Kw do të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me energji elektrike në sasi dhe cilësi në zonat e jugut të vendit një pjesë e të cilave kanë potenciale të larta për zhvillimin e turizmit, por për fat të keq vazhdojnë të vuajnë ndërprerje të furnizimit me energji elektrike edhe në pikun e sezonit turistik. Nga ana tjetër ndërtimi i kësaj linje do t’i shërbejë së tepërmi rritjes së eficencës të sistemit elektroenergjetik shqiptar, duke përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën e transmetimit, e cila në zonat e jugut ka pasur probleme jo të vogla. Investimet e kryera në 10 vitet e fundit në sistemin elektroenergjetik shqiptar në kaskadat e hidrocentraleve dhe turbinat e prodhimit të energjisë, në linjat e transmetimit dhe nënstacionet e tensionit të lartë në të gjithë vendin bëjnë të mundur jo vetëm furnizim më të mirë me energji elektrike të qytetarëve dhe ekonomisë, por rrisin ndjeshëm kapacitetet e shkëmbimit të enrgjisë me vendet e rajonit të cilat kanë krijuar tashmë një treg të unifikuar. Realizimi i investimeve në hidrocentrale si ato në lumin Devoll e Vjosë, por edhe dhjetëra hidrocentraleve me kapacitete më të vegjël do mundësojë shkëmbim më të mirë dhe më të shpejtë të kapaciteteve prodhuese të vendit duke rritur më tej edhe eficencën e tyre. Eshtë rasti që edhe një herë, ashtu si edhe në financimin e projekteve të tjera në sektorin e energjisë, por edhe në fusha të tjera të ekonomisë, të falenderojmë qeverinë e Republikës Federale Gjermane dhe popullin gjerman për ndihmën e pakursyer që na japin për zhvillimin e vendit tonë dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë.
Të nderuar kolegë,
Tashmë po mbyllet muaji i gjashtë në zbatimin e buxhetit të vitit 2016 dhe në shumë raste organizata të ndryshme ndërkombëtare përfshirë FMN kanë dhënë vlerësimet e tyre për performancën e ekonomisë dhe të qeverisë. Qeveria flet papushim për kapërcimin e krizës, përmirësimin e ambientit të biznesit dhe krijimin e premisave për rritje ekonomike. Situatës rozë që paraqet ajo i korrespondon një gjendje diametralisht e kundërt përshkruar nga organizatat e pavarura dhe vetë biznesi.
Ende nuk është mbushur një muaj nga koha kur Dhoma Amerikane e Tregtisë publikoi vrojtimin e saj ku 60% e anëtarëve mendojnë se ambienti i biznesit është përkeqësuar ose është shumë i përkeqësuar krahasuar me një vit më parë. Ky konstatim është në të njëjtën linjë me konstatimin e Dhomës së Bizneseve Gjermane të cilët paralajmëruan largime të investitorëve të tyre për shkak të arbitraritetit nga organet shtetërore dhe rritjes pa fre të taksave. Përkeqësimi në klimën e të bërit biznes është evidentuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar si një nga faktorët kryesorë që po pengon rritjen ekonomike dhe daljen nga kriza. Fondi Monetar tashmë edhe zyrtarisht i ka kërkuar qeverisë shqiptare të bëjë më shumë në drejtim të përmirësimit të klimës së të bërit biznes, pasi gjendja aktuale nuk është premtuese për arritjen e treguesve ekonomikë. Këto paralajmërime kanë rënë në vesh të shurdhër, pasi qeveria nëpërmjet qendrimeve arrogante ka hedhur poshtë ankesat e biznesit për rritje të taksave dhe arbitraritet të organeve tatimore dhe doganore. Për qeverinë dhe kryeministrin ka vetëm biznese të cilët abuzojnë, nuk kanë dëshirë të paguajnë taksat dhe përpiqen të deformojnë imazhin e një qeverie që bën reforma të cilat në të vërtetë i kupton si reforma vetëm qeveria. Para tre javësh FMN publikoi raportin për Shqipërinë ku evidentoheshin një mori kritikash dhe vërejtjesh për të ashtuquajturat “reforma” të qeverisë. Sipas FMN për të përmirësuar klimën e të bërit biznes nevojiten masa për të zgjidhur çështje si ajo e pronave, e kredive të këqija, taksave dhe reforma në drejtësi.
FMN vlerëson se borxhi publik është nga më të lartët në rajon dhe përbën një risk në nivel makroekonomik (në 20 vendet e Europës Juglindore jemi të dytët pas Serbisë për madhësinë e borxhit). FMN vlerëson se rritja ekonomike e Shqipërisë është nën potencialin e saj. FDi janë kryesisht të fokusuara në sektorin e hidrokarbureve. Pjesa më e madhe e tyre vlerësohet të përbëhet nga TAP dhe hidrocentrali i Devollit. Sipas raportit të FMN të ardhurat fiskale janë më të ulta krahasuar me vendet e rajonit, dhe kjo ka ardhur si pasojë e dizenjimit fiskal të ndjekur nga qeveria dhe eficenca e ulët e sistemit. Implementimi i taksimit progresiv mbi të ardhurat personale dhe heqja e tatimit mbi biznesin e vogël kanë ndikuar negativisht në sistemin e taksimit dhe eficencën e tij. Ndërkohë që vendet europiane kanë një humbje në rreth 15% në të ardhurat nga TVSH, për Shqipërinë vlerësohet të ketë një humbje nga TVSH prej 34%-39%. Por nuk janë vetëm këta tregues të cilët krijojnë alarm. Investimet e Huaja Direkte për tremujorin e parë 2016 rezultuan në masën 144 milionë euro, plot 44% më të ulta sesa investimet e huaja direkte të tremujorit të parë të vitit paraardhës. Vlera e FDI për tremujorin e parë 2016 rezulton të jetë më e ulët edhe sesa vlera e FDI për tremujorin e parë 2014.
Kreditimi i ekonomisë gjatë muajit prill 2016 rezulton të jetë 1.6% më i ulët sesa kreditimi i muajit prill 2015. Kjo ulje është e ndikuar nga rënia me 3% e kreditimit të bizneseve, një nga treguesit kryesorë të ngërçit ekonomik që po përjeton Shqipëria.
Akoma më keq paraqitet gjendja në sektorët e tregtisë së jashtme. Eksportet në muajin maj 2016 shënuan vlerën 21 mld lekë, duke u ulur me 2.9% krahasuar me muajin prill 2016 si dhe u ulën me 14.8% krahasuar me muajin maj 2015. Importet në muajin maj 2016 shënuan vlerën 51 miliardë lekë, duke u ulur me 2.5% krahasuar me muajin prill 2016 kurse deficiti tregtar në maj 2015 rezulton të jetë 48.6% më i lartë sesa deficiti tregtar në muajin maj 2015. Eksportet gjatë periudhës janar-maj 2016 rezultojnë 8% më të ulta sesa në periudhën janar-maj 2015 kurse importet janë 9.5% më të ulta për të njëjtën periudhë krahasimi. Situata është mjaft e zymtë me investimet publike. Sot që flasim niveli i realizimit të investimeve publike është 25% më i ulet se sa plani i qeverisë për periudhën janar-qershor 2016 dhe 25% më i ulët se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Të çudit se si është e mundur që të mos realizohen investimet publike kur qeveria pretendon që jo vetëm e ka realizuar planin e mbledhjes së të ardhurave, por e ka tejkaluar atë. Akoma më diskreditonjës është fakti i bërë publik nga Fondi Monetar Ndërkombëtar që qeveria ka krijuar detyrime të prapambetura në likuidimin e bizneseve. Ky fakt rrëzon edhe tullën e fundit me të cilën mburrej kjo qeveri, atë të likuidimit të detyrimeve të prapambetura.
Mori 300 milionë euro borxh nëpërmjet marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të shlyer detyrimet e prapambetura dhe rezultati është që qeveria ka krijuar detyrime të reja të pa likuiduara ndaj biznesit për punimet e kryera. Natyrisht që me të drejtë na lind pyetja që në kushtet kur investimet publike janë 25% më pak se plani si është e mundur që të mos paguhen bizneset dhe të krijohen borxhe të reja? Përgjigjen ta japin koncensionet e qeverisë, ku paraja rrjedh lumë dhe taksat e shqiptarëve bëhen rrush e kumbulla. Qindra milionë euro koncesione të panevojshme për check-up, dializa, sterilizime apo shërbime të tjera tek të cilat shteti ka investuar dhe mund t’i kryejë vetë, por koncesionohen që të majmet Nushja, Kryeministri dhe tërë soji rreth tyre. Qershia mbi tortë në arritjet negative të qeverisë është raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ku vetëm për një vit organet shtetërore apo ndryshe qeveria Rama i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit 920 milionë euro humbje. Si të mos mjaftojnë këto, për çdo ditë duhet të dëgjojmë nga mëngjesi në darkë, televizion më televizion, seancë për seancë në Parlament siç do bëjnë edhe sot, konferencë për konferencë për arritjet madhështore të qeverisë Rama, të pandehura ndonjëherë në këto 25 vitet e fundit, të cilave shqiptarët në shenjë mirënjohje po i përgjigjen me largime masive nga vendi.