“Daily Mail”: Ja si e kalon grupin Shqipëria

Kualifikimi historik i Kombëtares shqiptare në ‘Euro 2016’ ka kthyer vëmendjen e shumë medieve ndërkombëtare, të cilat analizojnë kuqezinjtë dhe mundësinë për të kaluar fazën e grupeve. Tabloidi britanik “Daily Mail” shkruan se, Shqipëria pavarësisht trajnerit shumë të mirë i duhet fat për të kaluar Grupin A.
Ish-mbrojtësi i Kombëtares së Anglisë, Martin Keown, parashikon ecurinë e skuadrave, por ndalet gjatë edhe te filozofia e trajnerëve dhe liderët e 24 skuadrave pjesëmarrëse.
Në grupin A, Keown cilëson si favorite Francën dhe Zvicrën, ndërsa nuk kursen elozhet për trajnerin e Shqipërisë Gianni De Biasi.
“Në vitin e 5 të aventurës së tij te Shqipëria, trajneri i Shqipërisë është nderuar me titullin Nder i Kombit pas kualifikimit historik të Shqipërisë në Euro 2016. Në vitin 2006, ai ka arritur të ngjisë Torinon në Serinë A, por u largua nga skuadra vetëm tre ditë përpara debutimin sezonal në sezonin 2006-2007. Por sa larg parashikohet të shkojë Shqipëria në ‘Euro 2016’? Keown thekson se kuqezinjve u duhet shumë fat për të siguruar kualifikimin në fazën tjetër edhe pse vitin e shkuar ata e kanë mundur Francën 1-0, shkruan “Daily Mail”.