Clinton përqendrohet tek Trump

Me zgjedhjet paraprake që po përfundojnë, zonja Clinton pritet ta përqendrojë vëmendjen ndaj rivalit republikan Donald Trump, biznesmeni i pasur që po kritikohet si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët për deklaratat përçmuese ndaj minoriteteve, veçanërisht ndaj një gjykatësi federal me prejardhje nga Meksika, i cili po shqyrton një çështje ligjore për një nga bizneset e zotit Trump.
Donald Trump mbrojti qëndrimin e tij në një fjalim dje në mbrëmje, por pa iu drejtuar drejtpërdrejt këtij debati:
“Synimi im është gjithmonë t’i bashkojë njerëzit, por në se detyrohem të luftojë për diçka që vërtet e kam të shtrenjtë, kurrë nuk do të epem dhe vendi ynë asnjëherë nuk do të epet”.
Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se, Presidenti Obama kishte telefonuar të dy kandidatët Clinton dhe Sanders dhe e uroi zonjën Clinton për sigurimin e delegatëve të nevojshëm. Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu se, “me kërkesën e senatorit Sanders”, Presidenti dhe senatori do të takohen të enjten në Shtëpinë e Bardhë, një lëvizje nga presidenti për të dëgjuar disa nga shqetësimet politike të kandidatit, por ndoshta edhe për ta bindur atë të tërhiqet. Gara për në Shtëpinë e Bardhë kalon tani në konventat kombëtare të partive në korrik – Clinton do të emërohet zyrtarisht në Kuvendin e Partisë Demokrate në Filadelfia, kurse republikanët do të zgjedhin zyrtarisht Trumpin në Cleveland.