Brukseli paralajmëron Ramën: Reforma të jetë gjithëpërfshirëse

Image processed by CodeCarvings Piczard ### FREE Community Edition ### on 2015-02-26 12:39:12Z | http://piczard.com | http://codecarvings.comۇ

“Rast i humbur”. Kështu u cilësua nga Komisioni Europian takimi i djeshëm mes Ramës dhe Bashës. E pyetur nga “ABC News”, zëdhënësja e KE-së, Maja Koçijançiç deklaroi se takimi i dy ditëve më parë midis Kryeministrit dhe liderit të opozitës ishte vërtet një rast i humbur. “Qëndrimi ynë për reformën nuk ka ndryshuar. Ne duam që reforma të aprovohet. Ne shpresojmë që kontaktet dhe bisedimet për këtë reformë të rifillojnë. Për ne është një reformë e rëndësishme dhe gjithçka që ka thënë komisioneri Hahn dhe përfaqësuesja e lartë mbetet e vlefshme”, deklaroi Koçijançiç. Sipas saj, një reformë e thellë dhe gjithëpërfshirëse e gjyqësorit ka qenë një kërkesë e hershme e qytetarëve shqiptarë. Koçijançiç tha gjithashtu se kjo reformë është esenciale për hapin e ardhshëm të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Deklarata e zëdhënëses së KE-së është edhe një “ndalje vrulli”, ndaj Kryeministrit Edi Rama, i cili dje, menjëherë pas dështimit të takimit me kreun e PD-së, Lulzim Basha, paralajmëroi dërgimin për miratim të kësaj reforme në Parlament.

Djegie mandatesh nëse blihen deputetë

Kryetari i PD, Basha ka bërë transparencë të plotë para grupit parlamentar mbi bisedimet dhe negociatat për Reformën në Drejtësi jo vetëm me qeverinë, por edhe me ndërkombëtarët. Lulzim Basha u ka deklaruar deputetëve demokratë një ditë pas takimit me kreun e mazhorancës se, këmbëngulja e demokratëve për emërimet me formulën e vendeve të rezervuara është e bazuar në një marrëveshje të muajve më parë.
Mediat citojnë të jetë sqaruar se kjo formulë është propozuar pikërisht nga eksperti i OPDAT-it të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që në nëntor dhe është pranuar nga Kryeministri Rama gjatë negociatave me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan. Basha u sjell deputetëve në vëmendje drekën me Berishën në rezidencën e ambasadorit amerikan, ku u është thënë të zgjedhin një prej opsioneve ndër të cilat figuronte dhe ajo me vende të rezervuara.
Mediat kanë riprodhuar dje edhe një pjesë të bisedës së bërë sipas të cilave oferta ka qenë e qartë:
“Ju zgjidheni një që siguron moskapjen politike dhe ne do e detyrojmë Ramën ta pranojë. Më 3 shkurt, Lu çoi e-mail që janë 5 opsione ndër të cilat dhe vendet e rezervuara. Më 14 shkurt, ambasadorit i kthehet përgjigje me e-mail që ne jemi për vendet e rezervuara. Më 17 shkurt kjo i komunikohet Partisë Socialiste. Të gjitha janë me e-mail me ambasadorin Lu dhe nqs është e nevojshme do të publikohen”.
Ndihmës sekretarja e Shtetit, Nuland dhe zyra e Kancelares Merkel janë të qartë për këtë pozicion të Partisë Demokratike.
“Ne kemi qenë të qartë në këtë proces, ne kemi kërkuar konsensus. Si sekretarja Nuland dhe këshilltari i Kancelares Merkel që fola të hënën në orën 2 e 15 minuta në telefon janë të qartë: Këtë formulë e ka propozuar Rama, e ka konfirmuar Venecia e ne po kërkojmë atë që është rënë dakord”.
E ndërsa u ka sqaruar gjithë situatën mbi çështjen që ndan palët, formulën e emërimeve në drejtësi, Basha ka paralajmëruar deputetët e tij e të opozitës në tërësi se, çfarë ndodh qoftë dhe me një rrjedhje vote majtas për këtë reformë.
“Unë jam i sigurt që asnjë deputet i PD nuk trafikon votën, por po ndodhi kjo, atëherë është fundi i parlamentarizmit. Ne jemi opozitë që kërkon konsensus, por në qoftë se edhe një deputet i PD-së voton, ne kalojmë në përballje totale deri në djegie mandatesh, derisa të zgjidhen institucionet e reja me zgjedhje të lira e të ndershme. Nëse mazhoranca trafikon qoftë dhe një deputet të opozitës, opozita djeg mandatet”.
Ditët e fundit Kryeministri Rama kërkon që emërimet në drejtësi të bëhen me 94 vota, ndërsa demokratët kanë propozuar që për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, anëtarët jo gjyqtarë zgjidhen nga Kuvendi, sipas metodës së kuotave të rezervuara, ku 2 anëtarë përzgjidhen nga lista e mbështetur nga shumica parlamentare, 2 anëtarë përzgjidhen nga lista e mbështetur nga pakica parlamentare dhe 1 anëtar zgjidhet me tre të pestat e votave me propozim të shoqërisë civile, që përzgjidhet nga lista e kandidatëve të renditur nga Gjykata Kushtetuese.