Blushi në lojën e Ramës

306

Bledi KASMI

Mund të konsiderohet si periferik në politikën e ditës propozimi i deputetes Hafizi për ndryshimin e Kushtetutës për zgjedhjen e Presidentit dhe referendumin për reformën në drejtësi, por është i mjaftueshëm për të kuptuar oshilacionet politike të Blushit.
Blushi kërkon që Parlamenti ti hapë rrugë referendumit për reformën në drejtësi jo me 2/3 e votave, por me 2/5 dhe për këtë ai propozon që të ndryshojë Kushtetua menjëherë. E thënë saktë, nga 94 deputetë që do të duhen për të miratuar kërkesën për referendumin në Parlament sot, Blushi thotë se duhet të mjaftojnë vetëm 56 të tilla.
Përse Blushi kërkon një reduktim të këtij numri të votave dhe a është vërtet ky një propozoim origjinal i Blushit apo është një lojë, të cilën Blushi po e luan për interes të Ramës?
Numri 56 që propozon Blushi çuditërisht përkon me numrin e deputetëve që Rama ka të sigurtë. Pra, Blushi kërkon miratimin e referendumit vetëm me votat e PS të Ramës, duke përjashuar nga procesi opozitën madje edhe LSI. Të njëjtën gjë që kërkon edhe kreu i qeverisë.
Blushi po shfaqet si një delfin. Ai është rifutur në skemat e Ramës për ta shpëtuar atë nga thirrjet për një reformë konsensuale në drejtësi me opozitën.A është ky një shërbim?
Pas një sërë kritikash në drejtim të Ramës, Blushi rezulton ndër të paktët që është toleruar dhe nuk është ndëshkuar me përjashtim nga grupi sikurse është vepruar me shumë të tjerë. Çuditërisht i janë hapur gjatë këtyre kohëve edhe dyert e mediave nën kontrollin e plotë të Ramës.
Blushi po ashtu rezulton në mënyrë të çuditshme se, megjithëse ka ngritur zërin e kritikave në Parlament dhe intervista, ai asnjëherë nuk ka kundërshtuar nismat ligjore të Ramës. Ai i ka votuar të gjitha ligjet, duke dhënë me dashje kontribut real në forcimin e pushtetit të “ rilindjes mbi atë të socialistëve” që ai propagandon lart e poshtë.
Pyetja që shtrohet është se ku ndryshon politikisht Blushi nga Prenga? Edhe Prenga edhe Blushi të dy janë deklaruar se kërkojnë të njëjtin model reforme në drejtësi të kapur nga Rama, po njësoj i kanë votuar ligjet, atëherë ku është ndryshimi politik mes tyre?
Prenga e forcon pushtetin e Rilindjes me armë, ndërsa Blushi me penë. Prenga në mënyrë kriminale, Blushi në mënyrë dinake. Asnjë ndryshim nuk kanë për Ramën. Atij i nevojitet edhe Prenga që të trafikojë vota me forcën e armëve, i nevojitet edhe Blushi që si “kritik” të punojë nën rrogoz për të peshkuar ndonjë votë përtej gardhit të mazhorancës.