“Blick” shkruan shqip për Kombëtaren kuqezi

Efekti shqiptar në Euro 2016. Pjesëmarrja historike e Kombëtares në evenimentin më të rëndësishëm kontinental, por edhe interesi i jashtëzakonshëm që kuqezinjtë nxisin te bashkëkombasit në emigrim, është shoqëruar me një vendim të paprecedent në Zvicër. Gazeta më e madhe helvete, Blick, u paraqit me një risi të dukshme në faqen e parë. “Gjatë gjithë javës se ardhshme gazeta “Blick” ju informon në gjuhën shqipe” shkruhej në edicionin e së hënës së 6 qershorit.
Në faqet sportive të së përditshmes do të publikohen në shqip lajmet më të fundit rreth Kombëtares së drejtuar nga Gianni De Biasi, që nisi grumbullimin në Perros-Guirec të Francës. Edicioni special do të vazhdojë përgjatë gjithë javës, periudhë në të cilën përfshihet edhe dita e shtunë, kur Shqipëria debuton në Euro 2016 pikërisht përballë Zvicrës.
Vendimi lidhet me numrin e madh të shqiptarëve që jetojnë në Zvicër, ku bëhet fjalë për 250 mijë persona. 70 për qind e tyre janë nga Kosova, 25 për qind shqiptarë të Maqedonisë dhe pjesa e mbetur nga Shqipëria, apo bashkëkombas nga nga Lugina e Preshevës dhe troje të tjera që ndodhen në Serbi. Përfaqësimi i parë në histori i Kombëtares në Kampionatin Europian është shoqëruar me entuziazëm të jashtëzakonshëm kudo ku ka shqiptarë, e mbi të gjitha në Zvicër. Gjatë fundjavës së kaluar, gazeta “Schweiz am Sonntag” shkruante se fanella e Shqipërisë dhe simbolet e tjera kuqezi në dyqane po shiten me ritme marramendëse.