“Blick”: Fanellat shqiptare shiten si ora zvicerane!

Entuziazmi i tifozëve kuqezi në prag të finaleve të europianit, bën xhelozë zviceranët. Nga një vëzhgim i hollë i gazetarëve të “Blick” rezulton se uniforma e Kombëtares Shqiptare është më e shitura në Zvicër, edhe pse përfaqësuesja helvetike është pjesëmarrëse në “Francë 2016”. Në një vend me mbi 8 milionë e 200 mijë banorë, ku vetëm disa qindra mijëra janë me origjinë shqiptare, kryesisht nga Kosova, fanella kuqezi është më e kërkuara në treg, duke lënë të habitur edhe vetë pronarët e dyqaneve, të cilët deklarojnë se, produktet me simbolet kombëtare shqiptare shiten sikur të ishin ora zvicerane.
Por si e shpjegon “Blick” një tendencë të tillë? Në Zvicër shitjet e fanellave të përfaqësueses në prag të Botërorit Brazil 2014, ishin shumë më të larta se sot dhe kjo lidhet me faktin se kjo kombëtare ka marrë pjesë në disa turne madhorë të futbollit. E kundërta ndodh me Shqipërinë prek për herë të parë finalet e europianit. Për këtë arsye, fansat e Shqipërisë kanë më shumë entuziazëm dhe janë më të prirur për t’u veshur me simbolet kombëtare.
Do të jetë pikërisht ky entuziazëm dhe kjo dashuri e pamatë për ngjyrat e kombit arma më e fortë e të besuarve të De Biasit në Europian. Zvicra e Shaqirit, Xhakës, Mehmedit, Behramit, Xhemailit dhe Tarashajt është e paralajmëruar.