Basha-Kotzias: Ligji i luftës, e drejta çame duhet të zgjidhen

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, priti në një takim ministrin e Jashtëm grek, Nikolaos Kotzias. Basha vlerësoi shumë të rëndësishme marrëdhëniet me shtetin fqinj dhe theksoi angazhimin e Partisë Demokratike për të mbështetur dhe nxitur më tej këto marrëdhënie. Por kryetari i Partisë Demokratike nënvizoi dhe faktin se në marrëdhëniet midis dy vendeve ka çështje të mprehta që duhen trajtuar pa paragjykime dhe me kurajo për të gjetur rrugët e zgjidhjes përmes një dialogu dhe veprimi të sinqertë mes dy palëve.  Basha shprehu shqetësim se prej tre vitesh ka shumë retorikë dhe propagandë, por nuk ka asnjë veprim konkret nga ana e dy qeverive në zgjidhjen e problemeve të mbetura pezull. Çështja e statusit absurd të ligjit të luftës, trajtimi i të drejtës së popullatës çame si e drejtë themelore e njeriut, të drejtat pronësore të shqiptarëve në Greqi dhe çështje të tjera të mbetura pezull midis dy vendeve meritojnë të trajtohen e zgjidhen sa më parë, duke demonstruar vullnet të përbashkët dhe vizion europian. Anulimi i ligjit të luftës është një çështje e rëndësishme, theksoi zoti Basha, jo vetëm për shkak të perceptimit, por veçanërisht të problemeve në lidhje me sekuestron konservative për pronat e qytetarëve shqiptarë, veçanërisht atyre çamë.