Basha: Do jemi shumica e padiskutueshme në zgjedhjet e ardhshme

Lulzim BASHA

Sot gjithsecili prej jush përfaqëson dhjetëra qindra vullnete rinore dhe kjo nuk është një parullë, as një dëshirë, as propagandë e kryetarit të partisë. Ky është një realitet i vulosur me votën e lirë e të ndershme të çdo anëtari të Forumit Rinor të Partisë Demokratike që ju ka zgjedhur dhe deleguar në këtë sallë. Ky është standardi europian, kjo është Europa. Kjo është rinia e Partisë Demokratike sot, kjo është Partia Demokratike nesër. Kjo erë e re që është hapur e po fryn në Partinë Demokratike e në Forumin Rinor të Partisë Demokratike për të mos u mbyllur më kurrë është pikërisht era e shpresës dhe besimit që vjen nga vota e lirë, nga respekti për votën si liri dhe përgjegjësi, nga besimi i madh se forca e bashkuar e vullneteve të lira është po kështu një forcë e panjohur më parë në Shqipëri që do të mundë përgjithmonë vargonjtë e të kaluarës, të mykurën e do t’i hapë Shqipërisë horizontin rinor dhe europian.  Është meritë e votës së lirë, e garës, e konkurrencës që kemi evidentuar më të mirën mes jush. Nuk ka rrugë tjetër e nuk mund të ketë rrugë tjetër për të konkurruar mbi bazën e vlerave. Ndaj ky model është frymëzim, është garanci, është forcë, është kurajo, është dinjitet. Nuk jemi ne e nuk jam unë që ju kam dhënë ju një leksion apo një shembull, jo, jo. Jeni ju që i keni dhënë një leksion PD-së dhe gjithë politikës shqiptare. Një leksion demokracie dhe një mësim të vyer përmes kultit, jo të liderit, jo të kryetarit të partisë, por kultit të fjalës së lirë, mendimit të lirë, debatit të lirë, votës së lirë. Sot nuk jemi këtu për të festuar kultin e kryetarit të partisë, sot nuk jemi këtu për të festuar gjë tjetër, -sigurisht përveç martesës së Ervinit dhe Erildës – i uroj nga zemra! Por për të festuar standardin europian, për të festuar standardin perëndimor që mishëron sot e pa kthim Forumi Rinor i Partisë Demokratike të Shqipërisë. Kjo është shkolla e lirisë, është një shkollë që ka lindur nga sakrificat sublime të studentëve të dhjetorit që kishin moshën tuaj, idealet tuaja, kurajon tuaj dhe me gjakun dhe sakrificën e tyre mbrujtën demokracinë dhe rrëzimin e tiranisë komuniste. Është një përgjegjësi e madhe që rinia demokrate ka ditur ta mbajë, ta veshë me nder e ta shpalosë në beteja të mëdha e të rëndësishme të historisë tonë 25-vjeçare. 25 vite nuk është një kohë e gjatë për një komb për të ndërtuar demokracinë dhe institucionet e saj, por është një kohë e gjatë për kohën e brezave.

Përballje me stilin amerikan në zgjedhje, me 49 kandidatë të rinj në zgjedhje

Mirënjohje e madhe i shkon të rinjve të dhjetorit 1990, Azem Hajdarit, Arben Brocit, kolegëve të tyre, intelektualëve me në krye Sali Berishën, liderin historik të Partisë Demokratike.  Unë e di mirë se ata janë të mbushur me krenari dhe shpresë tek shohin rininë demokrate që jo vetëm i del përballë nivelit të sfidës me të cilën na përball kjo keqqeverisje e paprecedentë në Shqipëri dhe në Europën ish-komuniste. Por e shohim, e prekim dhe e festojmë faktin, të vërtetën e pamohueshme se ky është momenti për t’i dhënë stafetën në përgjegjësi, në vendimmarrje rinisë. Një garë të madhe e të bukur kemi lënë pas. E kam ndjekur me një emocion të jashtëzakonshëm. Në shpirtin tim dhe në shpirtin e çdo demokrati u ndez shpresa dhe frymëzimi që ju shkaktuat me garën e vërtetë, me debatet thelbësore, me kurajon, me shqetësimin e vërtetë në zemër për fatet e rinisë dhe mbarë Shqipërisë, të familjeve tuaja, të vëllezërve dhe motrave tuaja më të rritur, të prindërve tuaj, të fëmijëve, të brezit që vjen pas jush.  Provokuat një debat në zemrën dhe mendjen e çdo qytetari e në veçanti të atyre që sot me kokën ulur pyesin a ka shpresë? A rrihet më në këtë vend? Kush i del për zot? I dhatë përgjigje me debatin tuaj, i thatë me kurajon tuaj, i treguat me integritetin tuaj, i bindët me fjalën dhe veprën tuaj se ka shpresë dhe shpresa është rinia. Rinia e vlerave, rinia e vlerave europiane, rinia e cila vjen sot në PD, në opozitë jo për privilegje, as për ofiqe, por për sakrifica. Rinia që është bashkuar në këtë sallë si në dhjetëra e qindra të tjera anembanë Shqipërisë, është bashkuar në këtë bashkim të madh vlerash kur sa vijmë e shtohemi sepse jemi dhe do të jemi shumica e padiskutueshme në zgjedhjet e ardhshme.  E pashë këtë garë si një test të madh të pjekurisë tuaj. E pashë këtë garë si një konfirmim të asaj që kam besuar, se është tektonika ndarëse midis Lindjes dhe Perëndimit, midis dështimit dhe suksesit të shoqërive demokratike. Se vota vendos më mirë se individi. Se vota e lirë gabon më pak se vendimet e kulisave e planeve apo elitave dhe ju e provuat këtë. E provuat dhe dolët me sukses dhe jam i sigurt që do ta finalizoni me sukses sot në këtë sallë duke mandatuar më të mirët për detyrën e lartë në Këshillin Kombëtar. Një garë mbaroi, përgatituni për një garë tjetër. Ju e kaluat provën para çdo shqiptari, para Europës. Ndaj sot i bëj thirrje të gjithë të rinjve dhe të reja me integritet, të mirarsimuar të përqafojnë vlerat tona, të besojnë vizionin tonë, të përgatiten për një përballje të stilit amerikan e së bashku me primaret të nisim modelin e përzgjedhjes së 49 kandidatëve të ardhshëm të PD për Kuvendin e Shqipërisë, nga rinia.

Shqipëria po lëngon, papunësia rinore ka kaluar 40%

Askush më mirë se ju nuk mund t’i zgjedhë, askush më mirë se ju nuk mund të përfaqësojë. Ju do t’i përfaqësoni në kuvendin e ardhshëm rininë demokrate dhe rininë shqiptare. Është më shumë se emocion, është arsyeja, arsyeja e shëndoshë në një kohë sëmundjesh të mëdha për kombin dhe shoqërinë tonë. Ne jemi këtu në këtë sallë në një kohë kur Shqipëria lëngon. Ne jemi këtu në këtë sallë kur papunësia në vend është rritur ndjeshëm e në veçanti papunësia rinore ka kaluar 40%. Ne jemi këtu në këtë sallë kur 30% më pak të rinj se 2 vite më parë arrijnë të shkojnë në universitete për shkak të tarifave të rritura, për shkak të korrupsionit të rritur dhe klientelizmit të rritur në arsimin e lartë. Ne jemi këtu në këtë sallë kur modeli i vetëm i promovimit në politikë, në shërbimin publik, pse jo edhe në ekonomi e ofruar nga keqqeverisja e Edi Ramës dhe Ilir Metës është modeli që promovon vrasësit, trafikantët, tutorët, njerëzit e vesit. Është bërë më e vështirë në Shqipërinë e Edi Ramës dhe Ilir Metës për të rinjtë shqiptarë që të kërkojnë dhe të gjejnë një vend pune dhe një vend pune dinjitoz, me pagë dinjitoze dhe me premtimin për një jetë më të mirë për sot dhe për të ardhmen. Është bërë më e vështirë në Shqipërinë e Edi Ramës dhe Ilir Metës të studiohet, të fitohet e drejta e studimit dhe të vazhdohen studimet sepse tarifat janë 2 dhe 3-fishuar. E në këtë mënyrë çdo familje shqiptare mund të çojë me këto para në rastin më të mirë vetëm një fëmijë në shkollë. Kur tre apo katër vite më parë çonte dy apo tre fëmijë në aulat e universiteteve shqiptare. Është bërë më e vështirë për ata që përfundojnë studimet për të gjetur një vend pune sepse politika e rilindjes po mbyll qindra vende pune çdo javë e çdo muaj. Tre muajt e parë të vitit 2016 sipas të dhënave zyrtare mbi 5 mijë biznese mbyllën dyert e tyre, midis tyre qindra të rinj sipërmarrës, të cilët u dorëzuan para presionit, terrorit dhe kërbaçit fiskal, si dhe arbitraritetit të kësaj administrate.

Parcelat e kanabisit, të paprekshme nga policia

Është bërë më e lehtë për Bushët, Rroshët, për Ndokët dhe Prengët që të vënë sasi të tëra territori nën kontrollin e tyre të mbjellë me drogë dhe hashash. Është bërë e ndershme, e lakmueshme, shumë përfituese të mbjellësh parcelat me kanabis sepse policia jo vetëm nuk të prek, por të nderon. Ndërkohë që përqindjet e këtyre përfitimeve përfundojnë në xhepat e krerëve më të lartë të policisë, ministrit të Brendshëm dhe padyshim të hierarkisë së lartë politike të rilindjes të korruptuar, të inkriminuar deri në palcë. Është bërë më e lehtë për të korruptuarit në administratën publike të shkelin rregullat e shtetit dhe të prokurojnë paratë e taksapaguesve shqiptarë pa garë, pa tender, me çmimin maksimal e t’i prokurojnë me koncesione që nuk kanë asnjë vlerë për qytetarët. Siç është koncesioni i sterilizimit apo check up-i që iu merr çdo muaj 2 milionë euro shqiptarëve nga xhepi, ndërkohë që spitalet dergjen pa ilaçe. Një onkologjik pa ilaçe për sëmundjet e rënda, një Spital Traume pa antibiotik e madje edhe pa mjete anestezie aty ku kryhen dhe duhet të kryhen me dhjetëra operacione. Është bërë më e lehtë pra për vesin, për krimin, për korrupsionin. Më e vështirë për të ndershmin, për njeriun me integritetin, për të aftin, për atë që beson tek puna.  Ky është model shkatërrimi, ky është model varfërimi, ky është model poshtërimi i rinisë shqiptare. Rilindja është modeli antipopullor, antikombëtar, antirinor si i tillë është provuar katërcipërisht tash në muzgun e mandatit të tyre katërvjeçar.  Kjo qeverisje antipopullore e ka shumë problem erën që po fryn në FRPD sepse ky është një model që përqafohet çdo ditë e më shumë dhe i jep fund modelit të vjetër të kundërshtarit tonë të përzgjedhjes jo në bazë të meritës, jo në bazë të vlerës, por në bazë të vesit dhe antivlerës. I jep fund tranzicionit të stërzgjatur dhe e vendos në qendër të politikëbërjes dhe vendimmarrjes vlerat më të mira të demokracisë.

Përballje me modelin e rrënimit dhe krimit

Detyrat tona dhe detyrat tuaja nuk kanë qenë kurrë më të vështira. Beteja nuk ka qenë kurrë më vendimtare se ajo që po na thërret përsëri në sheshin e ardhshëm të përballjes elektorale. Nuk është një përballje normale mes dy formacioneve politike, as mes dy koalicioneve. Është një përzgjedhje mes modelit të rrënimit, modelit të antivlerës, modelit të krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur me krim, modeli të promovimit të më të keqes mes nesh nga njëra anë. Dhe modelit tjetër të promovimit të punës, të promovimit të lirisë, të promovimit që përfaqëson sot FRPD dhe nesër PD bashkë me aleatët në koalicionin tonë fitues.  Në këtë përballje ne vijmë me impenjimin e thellë shpirtëror, me obligimin e madh moral për t’i ofruar shqiptarëve zgjidhje. Zgjidhje për ekonominë në krizë përmes uljes së taksave, uljes së taksave dhe taksës së sheshtë më të ulët në Ballkan si një zgjidhje që do të riqarkullojë në ekonominë shqiptare miliona euro duke rritur xhiron, për të rikthyer konsumin tek biznesi i vogël, i mesëm dhe i madh, tek bankat, tek kreditimi, tek investimi. Për të çliruar energji pozitive të biznesit shqiptar e në veçanti të rinjve dhe të reja në sektorin sipërmarrës. Është impenjimi ynë për të rikthyer konkurrencën e lirë si këtu në këtë familje rinore, si në vetë PD edhe në ekonominë shqiptare. Është impenjimi ynë për të zhdukur praktikat e turpshme të harxhimit të milionave, dhjetëra miliona euro të taksapaguesve më të varfër në Europë për luksin qeveritar, për zyrat qeveritare, për xhaguarët qeveritarë dhe për perdet për shukritë qeveritarë të rilindjes. Është platforma jonë për t’i qëndruar pranë çdokujt në nevojë ekstreme, ndaj kemi shpallur si objektivat tonë socialë rimbursimin e plotë të energjisë elektrike për të gjithë familjet në ndihmë ekonomike. Ndaj kemi shpallur dhe deklarojmë sot se krahas politikës tonë të uljes së taksave dhe stimulimit të ekonomisë përmes investimeve publike që hapin vende pune dhe vende pune me paga dinjitoze, se ne do të rivendosim arsimin e lartë në piedestalin që meriton duke anuluar që javën e parë ligjin korruptiv dhe klientelist për arsimin e lartë. Duke hapur dhe rihapur filialet e universiteteve publike kudo që janë dhe duke prezantuar një sistem konkurrues të bonusit për çdo student, duke vendosur studentin, të riun apo të renë shqiptare në qendër të këtij sistemi.  Ne do të nxisim konkurrencën mes universiteteve publike dhe atyre private. Ne do ta vlerësojmë këtë konkurrencë përmes agjencive të pavarura dhe të pakapura politikisht dhe në këtë mënyrë do t’i japim arsimit të lartë shqiptar drejt një standardi europian dhe çdo të riu dhe të reje shqiptare mundësinë për të studiuar në universitet sipas dëshirës dhe vullnetit të tij dhe të saj, pavarësisht mundësive ekonomike. Ne do ta vazhdojmë politikën tonë të gërshetimit sa më të mirë të kontributeve të krijuara ndër vite me përtëritjen e PD dhe të Forumit Rinor edhe në këtë aspekt ju të rinjtë demokratë keni dëshmuar pjekuri. Në fakt keni dëshmuar se jeni brumi më i mirë i të djathtës dhe Partisë Demokratike.

Shqipëria do t’ia dalë

Mosha në politikë është pikë së pari kontributi dhe ky është një parim i madh që mban një ekuilibër jetëdhënës, përvojë me përtëritje. Ka periudha të qeta, ka periudha të suksesshme ku përvoja ka përparësi ndaj përtëritjes. Ka periudha si kjo ku jetojmë ku përtëritja dhe rinovimi dalin në plan të parë si kusht i domosdoshëm për të synuar ringritjen dhe rikthimin në pushtet. Shqiptarët duan të shohin më shumë të rinj dhe të reja në politikë. Më shumë të rinj dhe të reja që kontribuojnë krah për krah me politikanët që lënë gjurmë pozitive në karrierën e tyre, që respektohen nga zgjedhësit, që kanë akoma për të dhënë. Shqipëria jam i bindur se e çmon lart këtë përvojë pa të cilën nuk mund të imagjinohet asnjë lloj suksesi.  Por kur flasim për këtë pritshmëri e them me të njëjtën bindje se Shqipëria sot pret rininë pa të cilën e ardhmja e re nuk vjen kurrë. Pret rininë e shkolluar, rininë e edukuar, rininë e sprovuar, rininë e virtyteve më të mira shqiptare, rininë e vlerave perëndimore, rininë e mendjeve të hapura, rininë e etikës dhe kurajës, rininë e integritetit dhe modernitetit, rininë e lirisë dhe demokracisë.  Rininë e aftë që merr përgjegjësi, rininë që do të lërë pas historinë e paçavures së politikës së vjetër. Ndaj Partisë Demokratike dhe Shqipërisë po i shndrit edhe një herë fati me rininë e saj të mrekullueshme, rininë që nuk mashtrohet, rininë që nuk dorëzohet. Ka shpresë, ka rrugëdalje, ka zgjidhje. Këto janë mesazhet tona të mëdha, këto janë njoftimet e mëdha për shqiptarët nga ky Kuvend i rinisë demokrate.  Shkoni dhe përhapeni në çdo shtëpi, në çdo fshat, në çdo qytet! Shkoni dhe bëhuni misionarë të mesazhit të madh se Shqipëria do t’ia dalë, se ne do t’ia dalim!