Atentati në Elbasan, policia nuk ka asnjë të dyshuar

Një ditë pas atentatit të tipit mafioz në Elbasan, ku u plagosën dy persona, policia nuk ka asnjë të dyshuar. Ndërkohë një video e regjistruar nga kamerat e sigurisë, së një biznesi privat, tregon momentin e largimit të autorit të atentatit të së hënës në Elbasan. Ai ka veshur rroba të errëta, mban kapele dhe duart nuk i heq nga xhepat. Ora shënon 10 e 05 minuta, kur ky person po vrapon nëpër rrugica, për t’u larguar pas atentatit ndaj Bledar Muçës dhe Florens Çapjajt. Policia në përpjekje për të zbardhur ngjarjen, kërkon ndihmën e qytetarëve. Kush jep informacion të vlefshëm për autorin do të marrë një shpërblim prej 20 mijë eurosh.
Mëngjesin e ditës së hënë, rreth orës 10:00, në një nga zonat më të populluara të Elbasanit, në rrugën “28 Nëntori” një person hapi zjarr me breshëri automatiku ndaj një makine, ku ishin Florenc Çapja dhe Bledar Muça. Plumbat plagosën lehtë Muçën dhe një efektive policie, që ishte duke kaluar aty rastësisht.
Policia e Elbasanit ka siguruar portretin e autorit, i cili qëndronte i ulur në një nga lokalet e zonës. Sapo makina tip “Ford” kalon në rrugën “28 Nëntori”, ai është ngritur nga kafja dhe ka qëlluar drejt saj me breshëri kallashnikovi. Makina u godit në pjesën e parme, por xhami ishte i blinduar. 20 metra larg vendit të ngjarjes, policia gjeti armën e atentatorit një kallashanikov.
Personi që qëlloi me armë drejt Bledar Muçës, pinte kafe i qetë në një lokal buzë rrugës. Para se të kryente atentatin, askush nga dëshmitarët e vendngjarjes nuk ka dhënë detaje për identifikimin e tij pasi ai nuk ka rënë në sy. Dëshmitarë thanë se sapo ka parë Bledar Muçën dhe Florenc Çapjan që po kalonin në rrugë me makinë, atentatori ka nxjerrë nga çanta kallashnikovin duke derdhur një breshëri plumbash ndaj Muçës. Ai përfitoi nga mundësia që i dha ngadalësimi i mjetit të Bledar Muçës, për shkak të trafikut.
Lëvizjet e autorit të ngjarjes janë të qarta, ndërsa përshkrimi i tij nga dëshmitarët është i pamjaftueshëm. Rruga ka qenë e mbipopulluar nga kalimtarë të rastit që janë shpërndarë në panik, kur kanë dëgjuar të shtënat e armëve. Bledar Muça, 37 vjeç u plagos me një plumb në kokë. Miku i tij Florenc Çapja shpëtoi pa marrë asnjë plumb. Punonjësja e policisë, Matilda Kermezo, 49 vjeçe mbeti e plagosur.