Aeroporti i Rinasit monopol edhe furnizimin e avionëve me karburant, AK nis hetimet

370

Pavarësisht se duke filluar nga data 01 janar 2015 ka përfunduar ekskluziviteti i tregtimit të karburanteve për avionë në zonën gjeografike të aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, ky treg mbetet monopol i shoqërisë Air BP, si i vetmi operator që ofron këtë shërbim në tregun e transportit ajror të pasagjerëve. Nisur nga kjo situatë Shoqata e Hidrokarbure është ankuar pranë Autoritetit të Konkurrencës gjatë muajit prill të këtij viti, në të cilën parashtrohen disa shqetësime mbi pamundësinë e ndërmarrjeve që operojnë në tregun e importit dhe të shitjes së karburanteve për të tregtuar karburante për avionë. Shoqata kërkon ndërhyrjen e Autoritetit të Konkurrencës në lidhje me mundësinë që duhet t’u jepet edhe kompanive të tjera të marrin tokë në përdorim për të ofruar infrastrukturën e duhur për furnizimin e avionëve me karburant edhe kompanitë që mund të bien dakord me kompanitë ajrore të kenë mundësi të fusin autobotet në territorin e aeroportit, mbështetur në kontrata që mund të lidhin me kompanitë ajrore. Shoqata ka kërkuar gjithashtu se nëse kjo arrihet, kriteret dhe kushtet që do t’u ofrojë kompanive të tjera të mos jenë diskriminuese, si dhe koncesionari të mos ketë të drejtë të kërkojë fitim mbi karburantin për efekt të monopolit që ka mbi territorin e aeroportit. Komisioni i Konkurrencës nisur nga këto fakte sapo ka mbyllur një hetim paraprak për të gjetur ekzistencën ose jo të kufizimeve, shtrembërimeve apo pengimeve të konkurrencës. Me një vendim të mëparshëm të vitit 2009 Komisioni i Konkurrencës përjashtoi nga ndalimi marrëveshjen midis TIA shpk dhe AIR BP Albania deri kur numri i udhëtareve të kalojë 2 milion pasagjerë në një vit kalendarik. Ky kriter duket se është përmbushur në fund me 2014. Sipas të dhënave mbi importin e karburantit për vitin 2015 (nga DPD) rezulton se tregu i importit të karburantit për avion, i klasifikuar me kodin 27101921 karburant avionësh zë 2% të tregut te karburanteve, ku gjatë këtij viti kanë realizuar importe ndërmarrja AIR BP Albania me 91% te tregut dhe ndërmarrja AFT SHA me 9% të tregut total për karburantin e mjeteve fluturuese, avionë dhe helikopterë.  Nisur nga kriteret e parashikuara në nenin 8 të Ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndërmarrja BP zotëron pozitë dominuese në tregun përkatës për shkak të pjesës së tregut që zotëron (91 % për tregun e furnizimit me karburant të avionëve dhe helikopterëve dhe 100 % të tregut të furnizimit me karburant të avionëve) dhe barrierave të hyrjes në tregun përkatës në kushtet kur aktualisht në Shqipëri funksionon vetëm një aeroport që zotëron eksluzivitetin për fluturime ndërkombëtare. Karburanti përbën një zë të rëndësishëm në kostot operacionale të shoqërive ajrore duke ndikur në rritjen e kostove të shërbimeve aeroportale të ofruara nga TIA, të cilat janë më të larta krahasuar me tarifat e ofruara në aeroportet e disa vendeve të rajonit për shoqëritë ajrore dhe për pasojë, ndikojnë në rritjen e çmimit të biletave të pasagjerëve dhe mallrave nga/drejt aeroportit ndërkombëtar të Tiranës. Sa më sipër, në kushtet e eksluzivitetit të furnizimit me karburant të avionëve në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës për shkak të monopolit të furnizimit nga ana e Air BP Albania në aeroportin e vetëm që ofron fluturime ndërkombëtare, kjo shoqëri zotëron pozicion dominues sipas nenit 8 të Ligjit, “Për mbrojtjen e konkurrencës”.