70 për qind e bizneseve amerikane kundër taksave të Ramës për 2015

Pakënaqësia ndër bizneset në lidhje me taksat, si rrjedhojë e barrës së shtuar të tyre është rritur dukshëm katër vitet e fundit.
Sipas indeksit të Dhomës Amerikane të Tregtisë (DHAT) përqindja e bizneseve që mendojnë se taksat janë pafavorshme ose shumë të pafavorshme arriti në rreth 70% në vitin 2015 nga pak se 31 për qind që ishte ky tregues më 2012. Të dhënat janë të detajuara në botimin e Indeksit të Biznesit të Dhomës Amerikane, publikuar pak ditë më parë. Ky indeks (në total) shënoi përkeqësim të ndjeshëm në 2015-ën, ku treguesi “niveli i përgjithshëm i taksave të zbatuara” rezultoi shqetësimi kryesor për biznesin.
Pas vitit 2013, përqindja e bizneseve që mendojnë se taksat janë të pafavorshme ose shumë të pafavorshme është rritur me shpejtësi, duke arritur në 56% në 2014-ën dhe 69.7% në 2015-ën.
Në të kundërt, pesha e bizneseve që e shohin nivelin e taksave si të favorshëm është ulur ndjeshëm. Më pak se 4% e bizneseve i konsideronin taksat të favorshme ose shumë të favorshme në 2015-ën, nga gati 28% në 2012-ën. Edhe neutralët janë ulur nga 41.2% në 2012-ën në 26.5% në 2015-ën.
Sipas një analize krahasuese nga statistikat zyrtare të vendeve, Shqipëria ka ngarkesën fiskale më të lartën në rajon.
Në lidhje me ngarkesën totale të taksave për biznesin, Shqipëria duket më pak atraktive në krahasim me vendet e tjera të rajonit, duke qenë se renditet vetëm pas Serbisë për shkallën më të lartë të tatimit mbi fitimin, tatimit në burim dhe kontributit social të punëdhënësit.
Norma totale e taksave mbi fitimet në Shqipëri shkon 36.5% më 2016, në Maqedoni kjo ngarkesë nuk është më shumë se 12.9%, në Malin e Zi 21.6%, në Bosnjë 23.3%, në Kosovë 15.2% dhe në Serbi 39.7%.
Shqipëria në fillim të vitit 2014, u përfshi në politikat e konsolidimit fiskal për shkak të borxhit publik, i cili në atë kohë kishte kaluar kufijtë e përfshirë në ligj.
Qeveria e re që erdhi pas zgjedhjeve 2013 vendosi të aplikojë një politikë të rritjes së taksave, kryesisht mbi fitimet e kompanive dhe të ardhurat e individëve. Kështu tatimi mbi fitimin u rrit nga 10 për qind në 15 për qind. Por në këtë nivel u rrit tatimi mbi të ardhurat personale, dividentin dhe mbi qiratë.
Gjithashtu u rrit niveli i akcizës për karburantet dhe cigaret, pagesa të  cilat bëhet nga konsumatorët nëpërmjet çmimeve fundore. Si rezultat i këtyre ndryshimeve, Shqipëria ka humbur avantazhin konkurrues me rajonin ku taksat mbi fitimet e biznesit janë më të ulëta.