555 milionë lekë më pak nga taksat e biznesit

Rritja e konsiderueshme e taksës për tabelat reklamuese dhe identifikuese për bizneset e kryeqytetit, në fund të vitit që lamë pas, ka sjellë efekt bumerang në buxhetin e Bashkisë së Tiranës. Në rishikimin e bërë rreth dy javë më parë, vendim i cili është miratuar në Këshillin Bashkiak, në 5 muajt e parë të vitit kanë rezultuar ndryshime të konsiderueshme në mënyrën se si bizneset e përdorin tabelën identifikuese apo reklamuese në krahasim me vitin 2015. Kështu, nga evidentimi që Bashkia ka bërë në terren, rezulton se në planin e të ardhurave për vitin 2016 duhet të reflektohet një ulje prej 355 milionë lekësh, si rezultat i bizneseve që kanë zvogëluar tabelat identifikuese dhe 200 milionë lekë si rezultat i zvogëlimit të tabelave reklamuese nga sipërmarrjet. Që do të thotë se këtë vit, plani i të ardhurave nga kjo taksë do të përgjysmohet, duke u ulur në total me 555 milionë lekë, shifër që do të reflektohet edhe në buxhetin e dy viteve të ardshme. Konkretisht të ardhurat nga tabelat identifikuese/sinjalizuese ishin parashikuar në masën e 360 milionë lekë, ndërkohë që me ndryshimet janë llogaritur në 5 milionë lekë. Ndësa të ardhurat për taksën nga tabelat reklamuese ishin parashikuar në vlerën e 700 milionë lekëve, ndërsa tashmë janë parashikuar në 500 milionë lekë. Në fund të vitit që lam pas, në paketën fiskale u vendos që taksa për tabelat informuese deri në 2 metra katrorë, të ishte zero, ndërsa për hapësira mbi 2 metra2 të jetë në nivelin e 45 mijë lekë për m/2 në vit. Ndërsa taksa e tabelës për qëllime reklamimi, u vendos 45 mijë lekë m2 në vit për tabelat e thjeshta dhe 90 mijë lekë m2 në vit për tabelat elektronike.