1 miliard euro në vit, në xhepat e qeveritarëve

261

Gjergji PAPA

Debati për Reformën në Drejtësi nuk mund të zbehë problemet e mëdha dhe të rënda që po kalon vendi. Ekonomia shqiptare është në gjendje kritike si rezultat i politikave të gabuara të qeverisë Rama dhe korrupsionit në çdo fushë të menaxhimit të financave publike. FMN, në raportin e ditëve të fundit për politikat fiskale, konstaton se qeveria ka dështuar në fushën fiskale me taksën progresive dhe rritjen e taksave, duke e çuar Shqipërinë në vendin me taksat më të larta në rajon. Këto politika fiskale, thekson FMN, me rritje taksash, me parashikime tejet të gabuara mbi të ardhurat dhe mosrritje të të ardhurave e kanë përkeqësuar rendimentin fiskal dhe janë me pasoja të rënda për buxhetin dhe ekonominë e vendit. FMN shprehet se pavarësisht se taksat janë rritur gjatë dy viteve të fundit, të ardhurat nga taksat janë në të njëjtat nivele me ato të vitit 2009. Përgjatë këtyre tri viteve, nga kjo foltore, kemi denoncuar praktikat korruptive të qeverisjes, në fushën e Partneritetit Publik Privat, por që në fakt janë koncesionet korruptive të kësaj qeverie. Koncesionet më abuzive janë ato të shëndetësisë, që i marrin buxhetit të shtetit 300 milionë euro, pa i dhënë asnjë shërbim qytetarit shqiptar. Buxheti i shtetit për shëndetësinë u jepet privatëve dhe vidhet nëpërmjet koncesioneve dhe nga ana tjetër flaken në rrugë qindra punonjës të personelit shëndetësor. Vetëm dje janë larguar nga puna 40 punonjës të Spitalit të Korçës dhe pritet shkarkimi dhe i 25 punonjësve të tjerë. Janë kryefamiljarë, pjesa më e madhe kanë 25 vjet që punojnë në atë institucion. Vetëm me atë rrogë modeste si sanitare mbanin familjet e tyre me bukë. Kam kontaktuar me disa prej tyre. Ato ishin të traumatizuara nga dëshpërimi dhe frika për atë çka i pret: skamje, varfëri, pamundësi për të ushqyer fëmijët e tyre, papunësi. Papunësia është rritur në nivelin 17.7% dhe Kryeministri ofendon qytetarët e tij: “Shqiptarët janë dembela, se punë ka, por nuk duan të punojnë”. Sa turp! Cili është ai që nuk do të punojë dhe të sigurojë të ardhura për mirëqenien e familjes dhe të fëmijëve? Dhe vazhdon më tej: “Punë ka, por nuk ka profesionistë, diplomat janë pa vlerë”. Por si mund të zhvlerësosh punën plot përkushtim të pedagogëve, mësuesve të shkollave profesionale, studentëve dhe nxënësve për dije? Flet për profesionistë dhe në punë futen vetëm të paaftë, pa diplomë dhe me precedentë penalë, mjafton që të jenë militantë të PS dhe LSI. Si mund të tallesh me korçarët dhe Korçën e traditave në zanatçinj, ustallarë, artizanë dhe të thuash që në Korçë ka 6500 vende pune të lira, por nuk paska profesionistë? Situata e rëndë ekonomike në vend është rezultat i drejtpërdrejtë i përkeqësimit të klimës së biznesit nga kjo qeveri, siç e vërtetojnë edhe anketat e ndryshme të dhomave të tregtisë. Dhe bizneset e huaja preferojnë të largohen dhe të investojnë në vendet fqinjë, sepse tek ne, taksat u rritën, akcizat u rritën, energjia elektrike u rrit dhe nafta është më e shtrenjta në rajon. Si pasojë e rritjes së çmimeve, paga reale është 15% më e ulët dhe konsumi ka rënë ndjeshëm. Janë pakësuar investimet prodhuese, veçanërisht ato në infrastrukturë. Jo vetëm që nuk ka asnjë projekt të ri në rrugë, por dhe në ato që janë në proces nuk po punohet fare se nuk ka fonde. Investimet publike në muajin maj shënuan nivelin më të ulët, 1.8 miliardë lekë, nga 4.8 miliardë lekë të planifikuara në buxhet. Si 5-mujor qeveria ka investuar vetëm 14 miliardë lekë, që është niveli më i ulët që nga viti 2008. Krahasuar me 5-mujorin e vitit të kaluar, investimet publike këtë vit janë 21% më të ulëta. Para një muaji ngrita një shqetësim shumë të madh të banorëve të fshatrave të Korçës dhe të rrethit të Kolonjës, për të cilët, rruga Korçë-Ersekë është bërë një ferr i vërtetë. Por shqetësimi im si duket ka rënë në vesh të shurdhër, qeveria nuk ka ndërmend të akordojë ndonjë fond dhe gjendja e rrugës vazhdon të mbetet skandaloze. KLSH deklaron se gjatë vitit 2015, dëmi ekonomik që i është shkaktuar shtetit, ka arritur në 1 miliard euro. Pra, 1 miliard euro në vit, që përfundojnë në pasuri në xhepat e qeveritarëve të korruptuar në vend që të përfundojnë në rroga më të larta, pensione më të larta, shërbime më të mira dhe investime publike. Për këto arsye shqiptarët vazhdojnë të largohen nga vendi i tyre. Sipas Bankës Botërore, Shqipëria rezulton vendi me nivelin më të lartë të emigracionit në rajon, duke humbur avantazhin konkurrues, kapitalin njerëzor dhe krahun e lirë të punës. Le ta miratojmë me konsensus këtë reformë dhe askujt të mos i shkojë mendja se mazhoranca do të sigurojë vota nga deputetët e PD. Është thënë dhe nga disa media. U përmend edhe këtu në seancë javën e kaluar nga zoti Balla se, u është thënë deputetëve të PD të ndërpresin kontaktet me deputetët e PS se do të përjashtohen nga grupi. Gënjeshtra absurde. Deputetët e PD janë politikanë të përgjegjshëm për fatet e vendit të tyre dhe në unitet të plotë do të votojnë vetëm një reformë konsensuale, sipas Venecias, të pakapur politikisht, as nga mazhoranca e sotme, as nga mazhoranca e nesërme. Deklaratat për zgjedhje të parakohshme dhe referendum popullor, tani që reforma është futur në kalendar nuk janë gjë tjetër vese jo të sinqerta dhe forma presioni. Unë kam qenë prej kohësh për zgjedhje të parakohshme, por jo vetëm për krizën politike, për mosgjetjen e konsensusit nga mazhoranca, që po e çon drejt dështimit Reformën në Drejtësi, por edhe për krizën e gjithanshme politike, ekonomike dhe sociale që ka mbërthyer vendin. Por zgjedhjet e parakohshme nuk mund të organizohen nga kjo qeveri, që është vërtetuar me fakte si mjeshtre e manipulimit dhe e vjedhjes së votave. Duhet një qeveri teknike që të përgatitet dhe të çojë vendin drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Është praktikisht e pamundur që Reforma në Drejtësi të kalojë në referendum popullor. Kjo është thjesht një demagogji populiste e atyre që e kanë hedhur këtë ide. Reforma në Drejtësi është kaq komplekse sa populli nuk mund të shprehet vetëm me një “po” ose “jo” për të. Ne duam një përfundim me sukses të kësaj reforme dhe nuk i mbyllim derën asnjë shansi për të arritur konsensusin gjatë këtyre ditëve. Drejtësi e reformuar do të thotë drejtësi e pakapur politikisht. I bëj thirrje deputetëve të PS dhe Kryeministrit, nëse vërtet e duan Reformën në Drejtësi, ta pranojnë dhe ta zbatojnë rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias dhe me konsensus ta miratojmë sa më parë këtu në Kuvend këtë reformë.