Shpresëvrarët dhe udhëtimi i vdekjes

Fatmirësisht, disa dhjetëra shqiptarë i shpëtuan tragjedisë në det, ku rrezikonin të mbyteshin në përpjekje për të kaluar me skafe nga Franca drejt Anglisë. Fatlumët nuk përfunduan nën det, por kjo ngjarje zbuloi një pjesë të panjohur më parë të tragjedisë shqiptare të emigracionit. Kurrë më parë shqiptarët nuk kishin marrë me vete edhe fëmijët e tyre në përpjekje për t’u larguar me skafe. Mosmarrja parasysh e rrezikut ekstrem të prindërve shqiptarë në aventurën e detit është shenja e qartë e asaj që shqip i themi “njerëzve iu ka shkuar thika në palcë”. Dëshpërimi total i këtij populli që po ikën nga sytë-këmbët për t’i shpëtuar mjerimit dhe krimit që sundon vendin, nuk ka njohur kurrë ekstreme kaq të paimagjinueshme.
Kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij e korruptuar dhe kriminale i ka braktisur qytetarët, njësoj sikurse kanë bërë klikat e korruptuara në Lindjen e Mesme apo Afrikë. Këto tre vitet e fundit janë me qindra mijëra qytetarë shqiptarë që kanë vërshuar rrugëve të Europës dhe ndjehen njësoj të kërcënuar në Shqipëri, sikurse ndjehen sirianët, irakenët, libianët në Siri, Irak dhe Libi. Kampet e refugjatëve në Gjermani, Holandë, Suedi, Francë, janë plot me shqiptarë që presin me gjak të ngrirë vendimin e autoriteteve perëndimore për statusin e tyre.
Varfëria ekonomike dhe mungesa e sigurisë kanë sjellë eksodin masiv të shqiptarëve. Korrupsioni i kësaj qeverie i kushton miliarda euro çdo vit buxhetit të shqiptarëve, që janë zhytur në një varfëri të skajshme, e cila mund të krahasohet vetëm me vitin 1990. Tenderat dhe koncesionet publike përfundojnë sistematikisht tek kryeministri, ministrat, familjarët dhe klientët e tyre, duke përjashtuar me miliona shqiptarë nga puna dhe përfitimet sociale. Situatës së rëndë ekonomike i është shtuar lulëzimi i krimit të organizuar, që kontrollohet nga kryeministri, ministri i Brendshëm dhe vrasësit e trafikantët që kanë futur në Parlament, qeveri, administratë dhe polici.
Drogë dhe armë me vlera qindra milionë euro eksportohen nga Shqipëria drejt Europës, kryesisht përmes Greqisë dhe Italisë. Janë pothuajse të përjavshme goditjet e policive europiane ndaj mafias shqiptare që është fuqizuar frikshëm vitet e fundit. Tonelata droge qarkullojnë lirisht në rrugë tokësore, detare dhe ajrore drejt vendeve të BE-së. Mediat europiane kanë pothuajse çdo ditë lajme për grupe kriminale shqiptare që goditen, arrestohen, burgosen dhe ndëshkohen nga gjykatat. Në Shqipëri, pas çdo vrasje, tritoli dhe përplasje me armë, policia e Saimir Tahirit na qetëson me lajmin se, viktimat i përkasin botës së krimit dhe kemi të bëjmë thjesht me përplasje bandash të armatosura.
Lulëzimi i krimit të organizuar është një realitet i frikshëm në Shqipëri. Janë me qindra krime të tjera ordinere që nuk raportohen në buletinët e policisë, por drama e sigurisë në këtë vend qëndron tek mijëra hektarë plantacione droge që po kultivohet nga jugu në veri të vendit. Në krye të këtyre operacioneve kriminale janë vënë drejtuesit e lartë të policisë, që njihen ndryshe si njësiti special i kanabisit i kryeministrit Rama. Qindra milionë euro përfitime që nxirren nga kultivimi dhe trafikimi është bërë një problem i madh për çdo qytet të Shqipërisë. Tashmë kapobandat dhe anëtarët e bandave kriminale nuk rrinë më në male, apo të fshihen birucave, ata janë deputetë në Parlament, ministra, drejtorë, kryepolicë. Qytetarët nuk kanë ku të drejtohen për ndihmë, për mbështetje, për siguri. Në shumë zona të vendit, puna e vetme është të kultivojnë kanabis dhe kjo punë ofrohet nga vëllai i deputetit, këshilltari i ministrit, kushëriri i drejtorit të policisë. Kështu ndodh në Tepelenë, Krujë, Mat, Librazhd, Pukë dhe në çdo rreth të vendit.
Masivizimi i prodhimit të drogërave në mbarë vendin, ka shtuar ndjeshëm edhe numrin e bandave kriminale, si edhe përplasjet e tyre të dhunshme. Tritoli shpërthen poshtë makinave, poshtë pallateve dhe hoteleve, në pragjet e shtëpive dhe kudo që bandat zgjedhin të kërcënojnë, apo eliminojnë rivalët e tyre. Ka shumë që duan ta krahasojnë Shqipërinë me Siçilinë, apo me Meksikën, kur vjen çështja tek kriminaliteti i lartë dhe shtrirja e aktiviteteve mafioze. Për ata që e njohin nga afër realitetin shqiptar, është lehtësisht e kuptueshme se kemi kohë që nuk krahasohemi dot as me Siçilinë, as me Meksikën. Në dallim prej tyre, në krye të krimit të organizuar shqiptar është kryeministri Edi Rama, ndaj dhe shpresat e vrara i detyrojnë prindërit shqiptarë të rrezikojnë edhe fëmijët e tyre për t’i ikur tmerrit që i ka zënë.