Reagon Bashkia Kamëz: Veliaj dordolec bastard, hoqi nga ndihma ekonomike 6 mijë familje

Bashkia Kamëz ka reaguar sot ndaj kreut të Bashksië së Tiranës, Erion Veliaj për racizmin ndaj banorëve të Kamzës. Në një njoftim për shtyp të Bashkisë Kamëz thuhet se, Veliaj vijon gjuhën e tij raciste dhe diskriminuese ndaj qytetarëve dhe Bashkisë së Kamzës. “Kjo gjuhë bastarde që përdor kryetari i Bashkisë së Tiranës ka në nëntekst largimin e vëmendjes nga punët e mëdha që ka qyteti i tij. Ky dordolec duhet të mbajë gojën e të mos i fyejë banorët e Kamzës dhe Paskuqanit, këta banorë punëtorë dhe të zgjuar, pasi me djersën e tyre këto 25 vite ndërtuan një jetë nga fillimi duke e nisur nga zero, duke punuar e fituar paranë me djersën e ballit dhe jo si ti dhe Mjaft-istët dhe G99-shat që me zero ditë pune na u bënë ministra, kryetar bashkie, uzurpuan administratën, u bënë milionerë dhe menjëherë iu sulën të ardhurave duke u hequr edhe ndihmën ekonomike, vetëm në Kamëz 6 mijë familjeve, pra duke u hequr bukën e gojës. Këtë gjë nuk ta falin banorët e Kamzës”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Sipas Bashkisë Kamëz, Veliaj nuk po bën gjë tjetër, por po ecën nën gjurmët e padronit të tij Edi Rama dhe po nxitin një konflikt që asnjë në këto 25 vite nuk e ka bërë, pra që të dy janë antiveriorë. “E kanë shprehur këtë gjuhë urrejtjeje dhe më parë siç Rama shefi i Veliajt, duke i ironizuar në një takim elektoral veriorët, kur tha që na vijnë nga Alpet; i quajti shpellarë, Veliaj vandalë se nuk na ditkan ku është liqeni etj. Erioni le të merret me investimet në territorin e Bashkisë së Tiranës në kufi me Kamzën siç është lumi i Tiranës, që e ka kthyer në një geto të vërtetë. E vetmja gjë që ka në vizionin e tij është rritja e taksave, që ky kryebashkiak i Tiranës përdor çdo ditë ndaj qytetarëve dhe bizneseve të Tiranës. Ndërsa kërkon të merret edhe me administrimin e Kamzës, pyesim se çfarë bëre mirë deri tani ti Erion, që të ta lëmë edhe Kamzën që ta bësh “dritë”?!
Nuk duam të përmendim mynxyrën, duke lënë në harresë të gjitha njësitë administrative që janë pjesë e kryeqytetit, si rezultat i reformës administrative-territoriale. Je i vetmi pushtetar që ngrihesh dhe u bën presione institucioneve gjyqësore dhe ndërsa ne mendojmë që ti duhet t’i drejtohesh drejtësisë për shkelje të rënda të Kushtetutës, vjen e bën dordolecin duke futur hundët në punët e njësive të tjera administrative. Edhe si ministër Erion vetëm për një gjë u bëre mediatik, për dasmën mbi kala! Qytetarët e Kamzës kanë ditur dhe dinë të orientohen drejt në zgjedhjet e tyre”, thuhet në njoftimin për shtyp të Bashkisë Kamëz.