Rama i jep Kokëdhimës 1 milion euro në tenderin pa garë

401

Në shtator 2013 Koço Kokëdhima, i cili zotëronte 90 për qind të aksioneve, i shiti aksionet me pjesë tek shtetasit Alban Mësonjësi, Besnik Lulaj dhe Janaq Jorgji. Të tre janë bashkëpunëtorë të afërt të tij. Alban Mësonjësi ka qenë me detyrë jurist dhe drejtor në kompanitë e Kokëdhimës. Besnik Lulaj është një partner i vjetër në biznes, ndërsa Janaq Jorgji është një vartës i Kokëdhimës
Kriteri për përzgjedhjen e fituesve ishte çmimi më i ulët, por ish-kompania e Kokëdhimës është kualifikuar me pikët maksimale, ndonëse oferta e saj ishte e barabartë me fondin më të lartë të mundshëm
Një kompani e lidhur me (ish)-deputetin Koço Kokëdhima ka fituar një tender të OSHEE-së duke përfituar gjithë fondin e vënë në dispozicion prej afro 1 milion eurosh, pa garë, pa konkurrentë. Në buletinin e prokurimeve, kompania “Remonti Elektrik Elbasan” është shpallur fituese për të kryer riparim transformatorësh në shumën e 134 milionë lekëve.
Sipas portalit “Hashtag.al”, kompania sot nuk është më në pronësi të ish-deputetit Kokëdhima. Ai e ka shitur atë në shtator të vitit 2013, menjëherë pasi ka marrë mandatin e deputetit. Por shitja e aksioneve nga ana e z. Kokëdhima ka një tipar interesant. Blerësit e saj janë tre ish-drejtorë në ndërmarrjet e Kokëdhimës, të cilët tashmë figurojnë si pronarë në kompaninë e “Remontit Elektrik Elbasan”.
Në shtator 2013 Koço Kokëdhima, i cili zotëronte 90 për qind të aksioneve, i shiti aksionet me pjesë tek shtetasit Alban Mësonjësi, Besnik Lulaj dhe Janaq Jorgji. Të tre janë bashkëpunëtorë të afërt të tij. Alban Mësonjësi ka qenë me detyrë jurist dhe drejtor në kompanitë e Kokëdhimës. Besnik Lulaj është një partner i vjetër në biznes, ndërsa Janaq Jorgji është një vartës i Kokëdhimës që aktualisht rezulton dhe drejtues i “Radio+2”. Tre aksionerët e rinj kanë kombinuar më pas aksionet ndërmjet tyre.
Kriteri për përzgjedhjen e fituesve ishte çmimi më i ulët, por ish-kompania e Kokëdhimës është kualifikuar me pikët maksimale, ndonëse oferta e saj ishte e barabartë me fondin më të lartë të mundshëm.
Edhe pse Koço Kokëdhima ka humbur pak ditë më parë mandatin, ish-kompania e tij, tashmë e drejtuar nga të besuarit e tij, po lulëzon në suksesin pa konkurrentë dhe me fonde maksimale në tenderat publikë.
Në lidhje me këtë tender ka reaguar dje edhe ish-Kryeministri Berisha, i cili përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook shprehet: “Hajduti i shtetit, sivëlla Kokëdhima shpërblehet me 1 milion euro për humbjen e mandatit! Kompanisë së tij, Ardian Çela i OSHEE-së i jep falas pa asnjë procedurë tenderi të publikuar ndokund, pra pa garë e pa konkurrencë, 1 milion euro. Për hollësi lexoni denoncimin që ‘Hashtag Albania’ i bën kësaj afere të pistë të kusarit të shtetit, të cilit i hoqi mandatin Gjykata Kushtetuese pasi e gjeti se kishte vjedhur 150 herë para të shtetit duke përdorur mandatin e deputetit”.
Edhe Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut ka lëshuar akuza të forta kundër Koço Kokëdhimës në lidhje me terrorin që ai po ushtron në qytetin e Himarës përmes IKMT, duke prishur objektet e bizneset e qytetarëve të ndershëm me qëllim ndërtimin e bizneseve të tij. PBDNJ Dega Himarë ka bërë të ditur se, në mënyrë të përsëritur, me veprime selektive nga ana e qeverisë, shkatërrohen objekte të ligjshme në Himarë, ku dora e ekzekutimit IKMT vepron në mënyrë të kundraligjshme, të cilat kanë vetëm një qëllim: të dëmtojnë në mënyrë të përsëritur dhe të pakorrigjueshme veprimtarinë ekonomike dhe demografinë të komunitetit helen në Himarë.