Kreditë me probleme arrijnë në 19%

Me ngadalësimin e rritjes ekonomike, që u pranua dje qartë nga Banka e Shqipërisë, uljen e konsumit, shfrytëzimin e kapaciteteve të bizneseve nën mesataren dhe nivelin e ulët të kredisë së re, reduktimi i treguesit të huasë me probleme duket një mision i vështirë…
Fshirja e huave të humbura nga bilancet e bankave në dhjetor 2015 nuk ka mundur të “fshehë” situatën e përkeqësuar të kredimarrësve, kryesisht bizneseve.
Treguesi i kredive me probleme ka shënuar një rritje të fortë në tremujorin e parë të vitit, duke arritur në 18.9% në fund të marsit, duke qenë 1.2 pikë përqindjeje më i lartë se në fund të vitit 2015. Të dhënat bëhen të ditura në statistikat tremujore të Bankës së Shqipërisë të publikuara sot.
Ky përkeqësim vjen, pasi në fund të vitit 2015, huatë me probleme kishin njohur një rënie të fortë, në 17.7% (niveli më i ulët që nga tremujori i dytë 2011), kryesisht si rrjedhojë e fshirjes së huave të humbura nga bilancet e bankave.
Të dhënat tregojnë se të gjitha kategoritë e klasifikimit si hua e keqe (nënstandarde, të dyshimta, të humbura) kanë shënuar rritje në tremujorin e parë.
Huatë nënstandarde (90-180 ditë vonesë) u rritën nga 4.4% e totalit në fund të vitit 2015, në 4.8% në mars 2016.
Huatë e dyshimta (181-365 ditë vonesë) u rritën nga 3.8% në 4.4% të totalit.
Huatë e humbura (mbi 365 ditë vonesë dhe që nuk kanë shpresë rekuperimi) përbëjnë dhe pjesën e luanit, me 9.7% të totalit në huasë. Në vlerë absolute sistemit i janë shtuar neto edhe rreth 10 milionë euro hua pa shpresë arkëtimi në tre muajt e parë të vitit.
Në shkurt të këtij viti Kurum, një ndër kompanitë më të mëdha në vend, shpalli falimentin, duke lënë “zbuluar” rreth 40-45 milionë euro, që kishte marrë tek bankat tregtare në Shqipëri.
Në fund të vitit të kaluar, bankat ndoqën një politikë agresive të fshirjes nga bilanci të huave të humbura (që kishin më shumë se tre vjet që nuk arkëtoheshin), çka krijoi iluzionin se kreditë me probleme po uleshin.
Por, muajt e parë të 2016-ës treguan se ulja e këtij treguesi do të ishte e vështirë, pasi dhe ata kredimarrës që dikur ishin të mirë, po shfaqnin problem në sigurimin e likuiditeteve të nevojshme për këstet e huasë.
Me ngadalësimin e rritjes ekonomike, që u pranua dje qartë nga Banka e Shqipërisë,  uljen e konsumit, shfrytëzimin e kapaciteteve të bizneseve nën mesataren dhe nivelin e ulët të kredisë së re, reduktimi i treguesit të huasë me probleme duket një mision i vështirë.