Halimi: Asnjë kompromis me mazhorancën lidhur me kompetencat e Presidentit

290

Pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit të Reformës në Drejtësi, deputeti demokrat, Eduard Halimi pohoi se opozita është e gatshme që draftin final ta miratojë javën që vjen. Deputeti demokrat, Halimi theksoi se draftit duhet t’i bashkëngjitet dhe ligji për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe ligji për hetimin e gjyqtarëve. “U bë paraqitja e drafti nga ana e dy ekspertëve. Draft, i cili synon të hedhë në letër draftin përfundimtar të ndryshimeve kushtetuese për diskutimet që janë bërë në këtë kohë. Dua të them në emër të opozitës se lidhur me komponentin 9 të korrupsioni që ka të bëjë me ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, opozita ka dhënë dakordësinë e saj në parim, pasi drafti i fundit ndryshon nga drafti i shtatorit. Ne japim dakordësinë tonë në parim. Lidhur me ngritjen e institucioneve të reja për mënyrën e funksionimit dhe luftën ndaj korporatizmit, në draftin e shtatorit dhe të janarit mungon. Ne sot morëm draftin dhe deri ditën e hënë do të shqyrtojmë nëse drafti final i paraqitur sot respekton të gjithë vendimet. Jemi gati ta votojmë që javën tjetër, së bashku me Ligjin për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe ligjin e hetimit të gjyqtarëve”, theksoi Halimi. Nga ana tjetër ai tha se, Partia Demokratike nuk do të pranojë asnjë kompromis me mazhorancën lidhur me kompetencat e Presidentit. “PD s’do të pranojë asnjë rast që të preken kompetencat e Presidentit”. Kjo është çështje e panegociueshme. Ai tha se PD do të prezantojnë sot në Kuvend qëndrimin e saj për Reformën në Drejtësi. Në mbledhjen e grupit u përcaktuan dhe folësit për seancën plenare mbi këtë çështje.