ERE do të rishikojë çmimin e energjisë

Enti Rregullator i Energjisë ka njoftuar se do të ketë rishikim të çmimeve të energjisë edhe për konsumatorët fundorë në qershor të këtij viti.
Shoqëritë KESH sh.a, OST sh.a. dhe OSHEE sh.a. nuk paraqitën Planet e investimeve për vitin 2016. ERE e konsideron planin e investimeve një komponent të rëndësishëm për përcaktimin e të ardhurave të kërkuara për aktivitetet e rregulluara. Aplikimi për planin e investimeve të kompanive të rregulluara normalisht i paraprin paraqitjes së kërkesave për rishikimin e tarifave. Konsumatorët familjarë e blejnë 1 kilovatorë energji me 9.52 lekë, por me shumë gjasa, ky nivel nuk do të mund të ndryshojë një vit larg zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës, pasi qeveria do të merrte kosto politike nga ky ndryshim. Megjithëse huatë dhe kreditë e donatorëve për sistemin elektroenergjetik varen në një masë të madhe nga rishikimi me rritje i çmimeve të energjisë.
Enti Rregulltor konfirmon se, KESH sh.a., OST sh.a. dhe OSHEE sh.a. nuk kanë paraqitur aplikime për rishikimin e tarifave përkatëse për vitin 2016. Kjo lidhej, ndër të tjera, me përmbushjen e detyrimeve të ligjit të ri të sektorit e veçanërisht me hartimin e Modelit të Tregut të Energjisë si dhe hartimit të akteve të tjera nënligjore dhe rregullatore. Ligji i Sektorit të Energjisë parashikon një periudhë tranzitore për të transferuar aktivitetin e Furnizuesit Publik me Shumicë te Furnizuesi Publik me Pakicë, pjesë e OSHEE sh.a.
Në këtë periudhë tranzitore, kryerja e një analize dhe vlerësimi për të ardhurat e kërkuara për vitin 2016 nga ana kompanive publike, KESH sh.a., OST sh.a. dhe OSHEE sh.a. ishte lidhur me llogaritjen e kostove të operimit për të përmbushur aktivitetin në përputhje me kriteret që përcakton ligji, si dhe përditësimin e tarifës për periudhat e mëparshme rregullatore. Ky përditësim, sipas Entit Rregullator, ishte i pamundur të realizohej si pasojë e situatës financiare të trashëguar, e reflektuar kjo te marrëdhëniet e ndërsjella midis tre operatorëve. Ministria e Energjisë dhe Industrisë, si dhe tre kompanitë publike, kanë rëndë dakord pro shtrirjes së efektit të tarifave dhe çmimeve aktuale deri më 30 qershor 2016.