Basha: Pro reformës që jep drejtësi, dënon krimin e korrupsionin qeveritar

315

Partia Demokratike do të votojë një Reformë në Drejtësi që jep drejtësi dhe dënon krimin dhe korrupsionin e lidhur pandashmërisht me qeverinë. Kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratës së Edi Ramës se PS-ja është gati për ta votuar Reformën në Drejtësi brenda javës. Me anë të një njoftimi për mediat, Basha thotë se “Rama ka 2 vite që gënjen ndërkombëtarët” duke zvarritur Reformën në Drejtësi.
“E ha turpin me bukë lideri global. Gati PS të votojë që këtë javë? Ka 2 vjet që gënjen. A nuk u tha të njëjtën gjë dhe Fules, Junckerit, Merkelit, Mogherinit, Kerryt, Hahnit?! Për 2 vite Edi Rama e vonoi, zvarriti dhe sabotoi me qëllim çdo përpjekje për një reformë të mirëfilltë në drejtësi që lufton dhe nuk mbron krimin dhe korrupsionin. Mesa duket vazhdon vallen maskëçjerrë dorëpërdore me Koçon, Beqajn, Ahmetajn nga njëra anë, Shullazin, Tahirin, Ndokën, Prengën dhe Frrokët në anën tjetër. Partia Demokratike ka luftuar dhe do të luftojë, mbrojë dhe votojë një Reformë në Drejtësi që jep drejtësi dhe dënon krimin dhe korrupsionin e lidhur pandashmërisht me qeverinë e këtij që në 2 vjet iu vodhi 2.2 miliardë euro shqiptarëve”, shprehet Basha.
Në praninë e ambasadorëve të SHBA dhe BE, u mblodh dje Komisioni ad hoc për Reformën në Drejtësi. Drafti rreth 45 faqesh është propozuar nga ekspertët e EURALIUS e OPDAT, për të cilin ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu kërkoi miratimin sa më të shpejtë të tij.
Sipas ndryshimeve të propozuara, në nenin 125 të draftit, thuhet se Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, tre prej të cilëve emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë emërohen nga Kuvendi dhe tre anëtarë emërohen nga mbledhja e përbashkët e Gjykatës së Lartë dhe e Gjykatës së Lartë Administrative, një institucion ky i ri. “Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Kur në votimin e parë Kuvendi nuk siguron shumicën e kërkuar prej tre të pestave, brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës së kandidatëve, kandidati i renditur më lart konsiderohet i emëruar”, thuhet në pikën 2, ku theksohet se ky propozim bazohet mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias. Sipas propozimeve, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese emërohen për 9 vite në këtë post pa të drejtë riemërimi.
Për sa i përket përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, ekspertët ndërkombëtarë propozojnë që ai të zgjidhet me votim të fshehtë për një periudhë 3-vjeçare, pa të drejtë rizgjedhjeje. Në këtë pikë, parashikohet në mënyrë të detajuar mënyra se si zgjidhet. Neni 25, parashikon ndryshimet për Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën e Lartë Administrative. Në këtë pikë, ekspertët theksojnë rastet kur mund të krijohen Gjykatat e posaçme dhe të Shkallës së Parë dhe të Apelit për veprat e korrupsionit kundër funksionarëve të lartë. Në këtë listë, përfshihet edhe Presidenti dhe ish-Presidenti, si dhe Kryeministri dhe ish-Kryeministri, si dhe kryetari i Kuvendit dhe ish-kryetari. Në draftin e paraqitur, parashikohet edhe mënyra se si zgjidhet prokurori i Përgjithshëm, i cili sipas propozimeve bëhet me 3/5-t e votave në Kuvend. Deri në miratimin nga Kuvendi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) përzgjedh 3 kandidatura që shkojnë për t’u emëruar. Prokurori i Përgjithshëm, emërohet për një periudhë 7-vjeçare pa të drejtë riemërimi.