A u manipuluan shenjat e gishtave të Frrokut për të bllokuar ekstradimin?

354

Të dhëna të reja tronditëse po dalin në lidhje me lehtësitë që Edi Rama i ka ofruar deri në fund aleatit politik, Arben Frroku, të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit Lamaj. Partia Demokratike drejtoi dje disa pyetje në lidhje me manipulimin nga ana e autoriteteve shqiptare të shenjave të gishtave të Arben Frrokut, lidhjen e kësaj ngjarjeje me vonesën e procedurës për ekstradimin e Frrokut nga Holanda drejt Shqipërisë, si dhe manipulimi i kartelës së Frrokut nga ana e policisë shqiptare.
“A janë manipuluar nga autoritetet shqiptare shenjat e gishtave të Arben Frrokut në kartelën që shoqërojnë kërkesën për shpalljen në kërkim ndërkombëtar? A është dëmtimi ose manipulimi i shenjave të gishtave një nga arsyet se përse u vonua procedura e ekstradimit nga Holanda, të Arben Frrokut? A është urdhëruar policia të dërgojë në Holandë kartelë të re për Frrokun me shenjat reale të gishtave, pas denoncimit të z. Berisha?”, tha Alibeaj në deklaratën e tij për shtyp.
Alibeaj bëri të ditur se në rastet kur shenjat e gishtave në kartelën e dërguar nga autoritetet e Interpolit janë të pavlefshme, atëherë Policia e Shtetit që ka kërkuar shenjat nuk mundet kurrsesi që të nisë procedurat e ekstradimit.
“Kur kartela me shenjat e gishtave që krerët e policisë dërgojnë në qendrën e Interpolit është e pavlefshme, atëherë policia e një vendi tjetër nuk mund të nisë procedurat e ekstradimit pasi konfirmimi i identitetit bëhet i pamundur. Edhe 1 javë kohë i duhej aleatit të Edi Ramës, t’i shpëtonte policisë holandeze e të fitonte sërish lirinë. Këto nuk janë thjesht dyshime për një rast të lidhjes së krimit me pushtetin, por janë pikëpyetje që vënë në dyshim Edi Ramën dhe qeverinë e tij”, tha Alibeaj.
Ai i bëri thirrje Prokurorisë të hetojë çdo detaj të këtij rasti, ndërsa tha se nëse vërtetohet manipulimi i gjurmëve të gishtave, Prokuroria duhet të nxjerrë autorët para ligjit. “Çfarë drejtësie mund të presim nga një Kryeministër që i shërben deri në fund krimit dhe krijon lehtësi për vrasësin e dënuar përjetë të një oficeri të lartë policie, që nga arratisja e tij e deri në rastin kur ndalohet nga një shtet europian. Është e qartë për çdo shqiptar se një Kryeministër që mbron krimin është garancia më e mirë se vendi nuk mund të njohë e të ketë drejtësi. Prokuroria duhet të reagojë menjëherë e të hetojë me imtësi këtë rast. Nëse vërtetohet manipulimi i gjurmëve të gishtave, Prokuroria duhet të nxjerrë para ligjit autorët dhe urdhëruesit”, tha Alibeaj.

Niset në Holandë kërkesa për ekstradimin e Frrokut

Niset në Holandë kërkesa për ekstradimin e Arben Frrokut, i akuzuar për vrasjen e komisar Dritan Lamaj. Materiali voluminoz prej 120 faqesh dorëzuar nga Prokuroria e Përgjithshme është përgatitur brenda pak ditësh nga Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë pranë Ministrisë së Drejtësisë. Do të jenë autoritetet holandeze, të cilët do të vendosin për ekstradimin e Frrokut. Arrestimi i Arben Frrokut në Holandë, u mësua më 28 prill, ku qëndronte me dokumente të falsifikuara nën emrin “Renato Tsepa”. Frroku ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas vendimit të Gjykatës së Apelit që e dënonte atë me burgim të përjetshëm. Ai është akuzuar nga drejtësia shqiptare për vrasjen e ish-shefit të komisariatit të policisë Dritan Lamaj, ngjarje e ndodhur më 24 shkurt të vitit 2013.