Syzet e ferrit

Frrok ÇUPI

Në këtë rast ferri i vërtetë është indiferentizmi.
Ai që e elaboroi i pari konceptin e indiferentizmit, Papa Gregori XVI, më në fund arriti në përfundimin se “burimi i shëmtuar” i indiferentizmit shpesh herë fshihet pas lirisë së ndërgjegjes. Por më në fund “vdekja e shpirtit është më e keqe se liria për të gabuar”, sipas Papa Gregorit XVI.
Më afër nesh…
Këtu mes nesh, jo në botën papnore të enciklikave, ngjallen e vdesin përditë faktet e këqija dhe pastaj syzet e ferrit me të cilat njerëzit zënë sytë. Kishin këto ditë, thuajse gjithë mediat, një lajm për një palë syze dielli të një djaloshi (edhe ky me emrin Gregor, si Papa i idesë së indiferentizmit), syze dielli që kushtojnë gjashtëdhjetë mijë euro. Ky është djali i kryeministrit të Republikës. Qëllimi pse mediat e botuan lajmin dhe foton, me sa kuptova, ishte për t’i treguar publikut se në çfarë luksi dhe shpërdorimesh financiare jetojnë njerëzit e kastës qeverisëse.
Po pas kësaj?…
Disa thanë pse u morën me të birin. Disa të tjerë thanë “lërë atë punë”, se para këtij djaloshi ishin kapur të tjerë, o biznesmenë o deputetë të Kuvendit, që mbanin të tillë syze dielli me vlerë gjashtëdhjetë mijë euro.
U tha me njëfarë dhimbjeje njerëzore se ky djalë e meriton më në fund një gjë; gjithë jetën është poshtëruar nga babai i tij, sipas dëshmive të mediave dhe politikanëve.
Mëkati vërtitet në rreth, si në Ferrin e Dantes.
Duket si një rreth i burimit të shëmtuar të indiferntizmit. Një jetë njeriu rri strukur diku në pamundësi për të reaguar derisa vjen një ditë “Iks”, dhe pastaj ngjall mëshirë. Njeriu i mëshiruar, kur reagon, reagon në mënyrë të gabuar, bën karshillëk me abuzimin e të atit me pushtetin. Njerëzit rrotull nuk duan të kuptojnë thelbin e të keqes që i rrethon, që në fakt nuk janë një palë syze dielli. Por e keqja është shumë e madhe, shumë e thellë. Ajo përfaqësohet me “syzet e ferrit” të indiferentizmit të të gjithëve…
Të të gjithëve?… Vallë në një fatkeqësi të tillë ndodhemi? Vallë kaq keq kemi rënë, saqë të gjithë mund të quhemi indiferentë? Ndoshta edhe jo, ndoshta nuk duhet thënë “të gjithë”.
Pse, vallë, nuk duhet thënë?
Sepse një pjesë e madhe njerëzish kthehen në shtëpi apo ulen nëpër kafe dhe shfryjnë plot duf.  “Uf, po këta hajdutë, nuk na lanë gjë pa vjedhur. Na thanë “shëndetësi falas”, po tani po na vjedhin edhe paratë e ilaçeve…. Po këta që burgosin njerëzit pa bukë e për vete vjedhin xhepat tanë… Po ç’paska qenë kjo rracë!”. Vetëm kaq. Jashtë shtëpisë dhe jashtë kafesë, asnjë gjethe peme nuk lëviz… Vallë këta nuk u dashkan quajtur indiferentë? Këta janë indiferentët klasikë që i japin “liri ndërgjegjes së tyre”, por që ndërgjegjja nuk e kapërcen indiferentizmin.
… Ndoshta vërtet jo të gjithë duhen quajtur indiferentë.
Po pse, vallë? Pse jetojmë në kohë rreziqesh, në kohë mafie dhe vrasjesh?… Ja, le të justifikoj një njeri që këto ditë u burgos për krimin e “indiferentizmit”. Këto ditë një roje i një pike karburanti në Elbasan është vënë në pranga “për indiferentizëm”. Të paktën në fjalorin e përditshëm kështu mund të quhet. Sipas akuzës së policisë që ka kryer burgosjen, roja i karburantit ka parë një vrasës tek ka vrarë një njeri dhe nuk e ka kallëzuar krimin… Mund të ketë ndodhur, por edhe mund të mos ketë ndodhur. Sepse çfarë ka parë njeriu, e dinë veç sytë e tij, askush tjetër. Domethënë e di ndërgjegjja e tij, që mund të jetë si ndërgjegjja e të tjerëve për të pasur të drejtën që të gabojë. Por edhe mund të ketë parë vrasësin e të mos e ketë treguar. Në këtë rast a quhet fajtor? Shteti në këtë vend nuk siguron as lirinë për të treguar krimin, as hapësirën për reagim. Ka ndodhur disa herë që sy njerëzish kanë parë krime, kanë takuar kriminelë, por nuk janë arrestuar. Muaj të kaluar vetë ministri i Brendshëm kishte pritur në zyrë një njeri të skeduar si autor në vepra penale. Por nuk ndodhi gjë. Ndërsa në këtë rast, shteti burgos viktimën e tij. E detyroi të ishte indiferent dhe e burgosi si indiferent…
A janë të gjithë indiferentë?
Po ta thuash këtë, bëhesh i pabesueshëm. Me të drejtë i pabesueshëm, sepse rrugët e reagimit tani janë të shumta. Teknikat e reja të komunikimit i kanë dhënë mundësi njeriut që t’i fshihet në njëfarë mënyre dhunës shtetërore dhe kamxhikut të policisë. Askush nuk do të donte që të shikonte në rrugë njerëz të gjakosur nga dhuna policore, sigurisht… Por kush e di sa po zhvillohet “nën gju”, dmth, në rrjetet dhe mediat sociale, reagimi kundër padrejtësisë, kundër korrupsionit, kundër vjedhjeve qeveritare dhe krimit?…
Sa herë e kam bërë këtë pyetje me vete. Deri tani janë dhënë shifra zyrtare që të trullosin; shifra se si nën kujdesin e qeverisë kanë “humbur”: Një herë 500 milionë euro në CEZ, një herë 920 milionë euro për një aferë tjetër, disa herë qindra milionë për shëndetësinë, për udhëtime dhe luks qeveritar, për të paguar media të huaja që t’i bëjnë reklamë qeverisë, për t’i mbyllur gojën medias në vend, për të mbledhur para që të blihen zgjedhjet e ardhshme… Të gjitha këto ndodhin në sytë tanë. Ndërsa në sytë tanë nuk shfaqet reagimi. Mos vallë po zhvillohet ky reagim nën gju, në mediat dhe rrjetet sociale?
Sa herë e kam pyetur veten… Por aq herë, mëngjes për mëngjes, më është shfaqur Parku i Madh i Tiranës që po rrënohet në një aferë korruptive të qeverisë. Mëngjes për mëngjes, aty në Park shikoj mbi njëqind policë që ruajnë krimin, dhe vetëm një djalë që fle natën në roje të Parkut. Djali është një aktivist i Shoqërisë Civile, që është betuar të mbajë gjallë tharmin e reagimit qytetar. Aty  ngryset e zgjohet mbi një platformë betoni ku bën hije edhe një statujë me një grua me bucelë. Ai dhe gruaja janë civilë e në shërbim të Parkut.
Edhe një njeri tjetër civil u shtua këto ditë. Presidenti i Republikës vizitoi Parkun tek po vdes dhe djaloshin që mëngjes për mëngjes ringjallet nga gjumi, ngre batanijet e i hedh në këmbë të policëve. Presidenti e quajti vandal aktin e shkatërrimit të Parkut. Por vetëm kaq civilë ka këtu: Një djalosh aktivist, një grua në bronz dhe Presidenti i Republikës.
Nuk e di a mund të themi se “të gjithë janë indiferentë”. Ndoshta jo. Se atëherë do të ndodheshim në ferr. Zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, Nancy Reagan, e cila “passed away” pak kohë më parë, pat thënë se “indiferentizmi është armiku dhe vdekja e njeriut”.
Vallë veç kaq pak njerëz jetojnë apo jetuan “pa syze”?!