Rama, peng i vrasësit Prenga, nuk e largon nga Kuvendi

461

Mazhoranca rrëzoi dje kushtin e opozitës në lidhje me amendimin e ligjit për dekriminalizimin. Vendimi i djeshëm i Komisionit të Ligjeve me votat e mazhorancës vjen pas rrëzimit së një tjetër kushti të opozitës që kishte të bënte me funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare. Krahas kushtit për komisionet hetimore parlamentare, opozita kishte vendosur disa kushte ndaj mazhorancës në lidhje me funksionimin normal të Parlamentit, të cilat kanë të bëjnë me amendimin e ligjit për dekriminalizimin, amendim i cili parashikonte largimin e menjëhershëm të çdo funksionari që gjatë kryerjes së detyrës së tij publike kapej në flagrancë duke kryer një vepër penale. Rasti nga i cili opozita mori shkas për këtë amendament ishte ai i deputetit socialist Armando Prenga, i cili pak muaj më parë u bë protagonist i një përleshjeje të përgjakshme me armë, si dhe ishte autor i plagosjes së disa personave. Por ky amendament, i cili parashikonte largimin e Prengës dhe çdo rasti tjetër të ngjashëm që mund të përsëritet si precedent në të ardhmen u rrëzua dje nga mazhoranca në Komisionin e Ligjeve. Vendimin e mazhorancës përfaqësuesit e Partisë Demokatike e cilësuan mungesë vullneti për të zbatuar këtë ligj, ndërsa zyrtarisht në Komisionin e Ligjeve brenda radhëve të mazhorancës u artikuluan qëndrime të hapura se ligji i hartuar dhe miratuar si presion i ndërkombëtarëve dhe i përshëndetur prej tyre si arritje, përmban elementë antikushtetues. Demokratët pas vendimit braktisën mbledhjen me akuzën se mazhoranca po mbron kriminelët. Amendamenti i PD synonte që ligji për dekriminalizimin të përcaktonte si rast ndalues kur një zyrtar i lartë arrestohet në flagrancë për një krim kundër jetës. Ky amendament u hartua duke marrë shkas nga rikthimi në Parlament i deputetit Armando Prenga që akuzohet dhe po gjykohet për plagosje me armë. Për anëtarët demokratë, kundërshtitë e mazhorancës për propozimin e tyre, por dhe deklaratat publike se ligji ka elementë antikushtetuesë, i cilësojnë si mungesë vullneti të hapur të mazhorancës për të respektuar dekriminalizimin. “Po tregoni sot me të gjithë oratorinë e përdorur nga ju që e keni lëmsh në fyt atë që miratuat më 17 dhjetor. Sepse po dalin deputetë të rëndësishëm për Kryeministrin siç deklaroi Kokëdhima, vetë Kryeministri po na kërcënon me çështje kushtetuese, edhe këtu në këtë komision u përmend dhe këto janë shenja që ju doni të tërhiqeni edhe nga dekriminalizimi. Ndërkohë që është e qartë se te ajo pika e tretë që është zbatimi sistematik i Gjykatës Kushtetuese nuk keni dhe nuk keni ndërmend”, theksoi ai. Mazhoranca i ka rrëzuar zyrtarisht tre kushtet e opozitës, të cilat ishin kushte për marrëdhënien e tyre me Kuvendin. Opozita vendosi marrëdhënie të kushtëzuara me Parlamentin duke kërkuar respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin e mandatit të deputetëve socialistë Rakip Suli dhe Valentina Leskaj, amendimin e ligjit për dekriminalizimin duke synuar ndalimin dhe largimin nga funksioni publik i zyrtarëve që gjatë ushtrimit të mandatit kryenin vepër penale, si dhe mundësimin e funksionimit normal të komisioneve hetimore duke eliminuar mundësinë e mazhorancës për të bllokuar punimet e këtij komisioni sa herë që hetohen afera apo pazare të qeverisë.

Tre kushtet e rrëzuara të opozitës

1. Mandatet e deputetëve Leskaj dhe Suli nuk po shkojnë në Gjykatën Kushtetuese dhe ky sipas opozitës është refuzimi i zbatimit të vendimeve të kësaj gjykate. PD pretendon se vendimi për Kokëdhimën flet njësoj për çdo mandat deputeti, është Kushtetuesja që vendos, jo Kuvendi.
2. U rrëzua nisma për ndryshimin e funksionimit të komisioneve hetimore edhe kur shumica mungon.
3. Gjithashtu u rrëzua nisma për ndryshimin e ligjit të dekriminalizimit me të cilin synohej pezullimi i funksionarëve të arrestuar në flagrancë për vrasje apo plagosje.