Qeveria nuk ka pas toka të lira dhe as para për pronat

506

Procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave mbetet një çështje e ndjeshme, për qeverinë dhe mjaft delikate për të zgjidhur. “Nuk ka ende një inventar për vendimet e marra gjatë periudhës 1993 deri në shtator 2013. Gjithashtu, ka të dhëna të pamjaftueshme për detyrimin financiar të shtetit për kompensimin e të gjitha pronave të shpronësuara”, konstaton qeveria në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe integrim 2015-2020. Gjithsesi, për herë të parë në 20 vjet, Shqipëria ka tani një numërim të saktë të dosjeve në arkivat e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe vendi është shumë pranë vlerësimit të kostos së plotë të kompensimit të pronarëve të pronave të shpronësuara. Megjithatë, mungesa e një fondi real, fizik dhe financiar e ka penguar procesin e kompensimit të ish-pronarëve. Gjatë periudhës dyvjeçare 2013-2014, i është kushtuar vëmendje automatizimit ose dixhitalizimit të indeksimit të të dhënave, skanimit të vendimeve administrative dhe gjyqësore, si edhe materialeve hartografike. Aktualisht, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) po punon për krijimin e Regjistrit Elektronik të Kompensimeve, i cili do të përmbajë të gjitha vendimet ekzistuese që njohin të drejtën e pronës/kompensimit.
Të dhënat do të merren nga 1993 deri më tani. Ky regjistrim ka përfunduar në dhjetor të 2014 dhe finalizimi i proçesit të regjistrimit shihet si një hap i rëndësishëm për nxjerrjen e kostos të përgjithshme financiare të kompensimit, thuhet në dokumentin qeveritar për reformën e pronësisë. Me urdhër të Kryeministrit nr. 154, datë 17 prill 2014, “Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për identifikimin e pronave shtetërore që do të përdoren për kompensime fizike”, u ngrit një grup pune për të identifikuar tokat bujqësore që do të vihet në dispozicion të AKKP-së për kompensimin financiar të pronarëve të pronave të shpronësuara. Megjithëse proçesi i legalizimeve ka nisur në 2004, ai nuk ka përfunduar ende. Legalizimi i ndërtimeve rezultoi në përfundimin e rreth 52.115 ndërtesave deri në fund të majit 2015, plus edhe 420.000 ndërtesa të tjera, të cilat janë në proçes legalizimi.
Në pesë vitet e ardhshme në fushën e të drejtave të pronësisë synohet mbrojtja e të drejtës së qartë të pronësisë dhe eliminimi e pasigurisë ligjore dhe shihet nga qeveria si një çështje e ndërthurur dhe parakusht për konsolidimin e shtetit ligjor, zhvillimin ekonomik, tërheqjen e investimeve të huaja, dhe për plotësimin e kritereve për integrim në BE. Megjithatë, problemet vazhdojnë të ekzistojnë, duke qenë se mekanizmat për sigurimin e të drejtave të pronësisë i bëjnë bisht zgjidhjes përfundimtare të saj, thuhet në dokumentin qeveritar. Reforma për Tokën është gjithashtu një nga sektorët kyç të reformave të qeverisë. “Strategjia sektoriale për reformën në të drejtat e pronësisë 2012-2020”, është miratuar në qershor 2012, ndërkohë që është parashikuar përgatitja e një dokumenti të ri. Reforma në sektorin e tokës është me natyrë afatgjatë. Hapat fillestare në këtë proçes afatgjatë përfshijnë përfundimin e regjistrimit fillestar të pasurive të patundshme, i cili do të garantojë siguri të plotë të titujve të pronësisë. Gjatë këtyre viteve të fundit, regjistrimi fillestar ka përfunduar në 2.633 zona kadastrale, ose në rreth 86% të numrit të përgjithshëm prej 3.058 zonash. Gjithashtu, regjistrimi fillestar përfundoi për 3.298.000 tituj pasurish të patundshme (82,5% të numrit të përgjithshëm). Regjistrimi fillestar mbetet të përfundojë plotësisht me mbështetjen e sistemit, duke qenë se përditësimi i të dhënave sapo ka filluar. Aktualisht, vetëm 330 mijë tituj pronash të patundshme ose 10% të numrit të përgjithshëm janë përditësuar.