Pa konsensus me opozitën, Reforma në Drejtësi nuk kalon

335

Paketa e ndryshimeve kushtetuese nuk do të shkojë në Parlament për votim nëse nuk gjendet konsensusi për to. Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, njëkohësisht nënkryetar i Komisionit për Reformën në Drejtësi përmes një prononcimi për mediat thekson rëndësinë e përputhjes së çdo pike të reformës me rekomandimet e dhëna nga Komisioni i Venecias. “Minimumi janë dhjetë pika kardinale që pa u zgjidhur ato nuk mund të ecet. Ai draft pa e zgjidhur këtë çështje, që do të zgjidhen me kompromis. Ne mund të kemi ndërmend një zgjidhje, pala tjetër një zgjidhje, në fund fare shkruajmë një të tretë së bashku. Pa e zgjidhur këtë çështje ai draft ka probleme të mëdha dhe këtë e thotë Komisioni i Venecias”, thotë Bylykbashi. Përveç Reformës në Drejtësi, Bylykbashi ka thënë se duhet edhe një reformë e plotë kushtetuese në të gjitha hallkat e saj, duke garantuar një sistem të qëndrueshëm. “Vetë fjala e plotë nënkupton shumë. Ne sot jemi përpara, për fat të keq me ndryshime masive, drastike që po i bëhen Kushtetutës sot, jemi përpara një zhbilancimi shumë të fortë të gjithë arkitekturës kushtetuese, nuk po flas vetëm për sistemin në drejtësi. Pjesa e sistemit në drejtësi është më vete problematike, por është një nga tre kolonat. Dhe asnjë nga tre kolonat nuk funksionon e vetme, e shkëputur. Nëse një pjesë zgjidhet keq dhe fillon dhe jep probleme në harkun e disa viteve, kjo do të marrë me vete dhe dy kollonat e tjera të pushtetit, ekzekutivin dhe legjislativin”, është shprehur Bylykbashi. Duke folur për reformën zgjedhore, deputeti demokrat ka theksuar problematikën e financimit të partive, duke shprehur edhe propozimin e PD, si dhe u shpreh kundër listave të hapura të kandidatëve në garë. “Ne po bëjmë një propozim që është shumë i fortë. Kemi shkuar deri aty sa të propozojmë 100% të financimit publik, të mos ketë financim privat. Belgjika e ka bërë këtë lloj sistemi pas një numri skandalesh në vitet ’90, skandale shumë të forta financiare, politike. Financim politik korruptiv me probleme të rënda. Korrupsioni politik është themeli i gjithë të këqijave. Ne po propozojmë që politika të mos jetë pre e parasë, aq më keq kriminale, qoftë korruptive apo krimi i organizuar, ta pastrojmë”, thekson ai. Kjo bëhet duke ulur koston e politikës dhe shqiptarët nuk kanë pse paguajnë një çmim të lartë. Mund të paguajmë shumë para nga buxheti i shtetit, por është akoma më shumë paraja që vjen nga privati. Ne listat e hapura në një version të tyre i kishim deri në vitin 2005 dhe ajo që u provua, komenti i një eksperti ndërkombëtar nga më të mirët, ka qenë: “Ajo që kam parë në Shqipëri me këtë votim preferencial që bëni ju është mënyra më e shëmtuar e vjedhjes, ku shoku vjedh shokun”. Pse? Sepse kandidatët e partisë fillonin dhe konkurronin me njëri-tjetrin dhe jo me kundërshtarin.