“Ofshet” e popullit i kanë lënë Zotin qeverisjes

Pirro GUREMANI

Çfarë nuk po shohim e çfarë nuk po dëgjojmë në këtë vendin tonë dhe si një profeci po kuptojmë se sa të drejtë paska pasur Edi Rama kur ka thënë “nuk keni parë gjë akoma”. Është populli i tërë dhe ata “një milionët” e votave që po mbarset me “ofshet” e dhimbjes nga keqqeverisja e një njeriu që nuk paska të ngopur me vuajtjet që po i shkakton popullit të tij që po e trajton si një skllav në duart e mafiozëve të qeverisjes dhe kriminelëve të rrugëve.
“Ofshet” e popullit janë të rrezikshme jo thjesht për një nejri, por edhe për një grup njerëzish që i sjellin atij vuajtje në jetën e tij. Çfarë ka mbetur më për të provuar një shoqëri si kjo e jona që po përballet me fasadat dhe mashtrimet, me vjedhjet e paskrupullta dhe me pedonalet e qyteteve që nuk i hyjnë në punë askujt, po përjeton mungesën e shpresës se ka ndonjë dritë jeshile, por njëherazi po përjeton krimin, burgun, drogërinë, hajdutërinë e bankave dhe hajdutërinë me koncesione.
Shpesh kemi dëgjuar ndër njerëz që thonë se “ruaju nga ofshet e popullit, se janë të rrezikshme”. Po mund të kuptojë këtë fjalë të urtë një njeri si Edi Rama që në krye të qeverisjes po na prezantohet si harbut dhe i pangopur me pasuri, pasanik dhe i pashpirt, që manifeton si në fasadë piktura tallëse deri edhe me personalitete të botës politike, në një kohë që haptaz tallet me fukarallëkun e një popullti që po flet me vete nga varfëria.
Një djalë mbyti me duar nënën e tij, sepse e kishin hequr nga puna dhe mendja si një kokërr gruri e çoi në zullumin më të madh të jetës së tij sa të mbyste atë që i kishte bërë kokën. I ka ikur mendja popullit që tanimë nuk di se çfarë të bëjë dhe ku është kufiri mes së drejtës dhe të padrejtës, ku qëndron e mria në raport me të keqen, sepse padrejtësia po bëhet normë dhe e keqa po bëhet pjesë e jetës së shqiptarëve.  Dhe këto të gjitha kanë një kosto të rëndë për një popull që nuk po orientohet se kë voton dhe kë sjell në pushtet dhe më pas shpërthen në “ofshe” mallkimesh që nuk dihet se kur zënë vend. Janë “ofshet” e një nëne që jep shpirt dhe një babai që nuk ka se me se të ushqejë familjen, janë “ofshet” e një gruaje që dhunohet dhe vritet në sytë e fëmijëve, por edhe të një plaku e plake që nuk po mbushin barkun me bukë dhe nuk gjejnë ilaçe shërimi për shëndetin e tyre që gjithnjë e më shumë rëndohet. Dhe të gjitha këto janë momentet e jetës së një populli që i është sosur durimi.
Nëse mësuam se çfarë janë “ofshorët” që do të thotë para të hajdutëve pa djersë dhe përvetësim i pasurisë kombëtare në forma korruptive, historia ka treguar se asgjë në këtë botë nuk ikën pa marrë hak dhe pa dhënë llogari, se vërtet ka një Zot që shikon dhe gjykon dhe i jep drejtësinë gjithkujt që është në të keqen me popullin e tij. Veçanërisht ka një këshillë popullore që thotë “ruaju nga “ofshet” e të varfërit dhe të nëpërkëmburit”.
Para ca kohësh dëgjova ministren Mimi Kodheli që tha një batutë pak a shumë të tillë që “i kam lënë Zotin”. Nuk ka rëndësi se kujt ia tha, por fakti që këtë fjalë me ofsh e tha një ministre që është pjesë e një qeverisjeje që nënshtron një popull dhe vjedh qytetarët e tij, i vret me kriminelë dhe i poshtëron deri edhe me forma moderne, nuk ka Zot që e dëgjon këtë lutje të kësaj ministreje, se ajo i kthehet në të kundërt se helikopteri i kësaj ministrie mori dy jetë njerëzish pa shkak dhe në enigmë të plotë dhe ministra kërkon të gjejë shpëtim tek Zoti. Jo nuk ngjit, por kthehet në të kundërtën e saj.
Ajo çfarë po shohim e po dëgjojmë në këtë Shqipërinë tonë është baza më e sigurtë se këtë qeverisje do ta zërë haku i popullit për mashtrimin dhe humbjen e shpresës, për krimin dhe varfërinë që e zhyti në depresion. Ne e kemi besuar pa mëdyshje të madhin Faik Konica kur ka thënë se, “Populli shqiptar ka disa veti shumë të mira … por një bandë maskarenjsh, rryshfetxhinjsh, hafijesh dhe dallaverxhinjsh kanë zënë të gjithë pozitat kyçe në politikën e vendit dhe është fare e pamundur t’i shkulësh”. Ndoshta këtu mund të nisë zbatimi i filozofisë së shkuljes së kësaj bande me ose pa kollare me çdo mjet, se “ofshet” e njerëzve nuk mund të shkojnë kot dhe nuk bëhen më “ofshoret e Panamasë për llogaritë e qeveritarëve të pabesë dhe të pashpirt.