Kosovë, mbi 30 milionë euro vetëm nga akciza e duhanit

Për dy muaj e gjysmë në arkën e shtetit janë grumbulluar mbi 30 milionë euro vetëm nga akciza e duhanit. Krahasuar me periudhën e njëjtë janar – 15 mars të vitit të kaluar kjo shumë ka shënuar ngritje për më shumë se 12 milionë euro, pasi nga janari i këtij viti akciza në duhan është ngritur nga 28 euro për 1 000 copë që ishte në vitin 2015, në 41 euro. Sipas njohësve të ekonomisë, ngritja e akcizës së duhanit ka efekt pozitiv, sepse e mbush arkën e shtetit, ndërsa efekt negativ sepse e stimulon rritjen e kontrabandës. Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se gjatë periudhës janar 2016 – 15 mars 2016 sasia e importit të duhanit ka qenë 555.917.95 kg, që në total kap vlerën e 30.934.473,58 eurove. Sipas tij, krahasuar me vitin e kaluar, kjo shumë është rritur për më shumë se 12 milionë euro si shkak i rritjes së akcizës në duhan. “Në Kosovë gjatë periudhës janar – 15 mars të këtij viti janë importuar sasi neto kg 555.917,95 duhan. Akciza për këtë sasi të duhanit kap vlerën e 23.606.657,30, ndërkaq TVSH-ja për këtë shumë ka qenë 6.294.722,89 euro. Në total të hyrat nga akciza e duhanit janë 30.934.473,58 euro”, ka thënë Stavileci, duke shtuar se sasia e duhanit e importuar për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka qenë 18.792.335,65 euro. “Gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2015 sasia neto në kg e importuar ka qenë 407.877,67 euro, akciza 14.218.440,00 euro, TVSH-ja 3.741.038,94 euro. Në total të hyrat kapin vlerën e 18.792.335,65 eurove”, ka thënë Stvileci. Njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se vendimin e Qeverisë së Kosovës për ngritje të akcizës së duhanit duhet konsideruar pozitiv sa i përket aspektit të mbushjes së arkës buxhetore dhe destimulimit të duhanpirësve.

Në Kosovë ulet çmimi i energjisë për bizneset por jo për konsumatorët

Në Kosovë, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka vendosur që për vitin 2016 të ruajë të njëjtat tarifa për energji për konsumatorët shtëpiak (familjarë) dhe të njëjtën strukturë tarifore, ndërsa ka vendosur ulje nga 7.17% deri në 8%, të tarifave për konsumatorët industrial dhe komercial, bazuar në kostot e shërbimit për këto kategori të konsumatorëve. Ulja e tarifave për konsumatorët industrial dhe komercial ka ardhur si nevojë e fillimit të eliminimit të ndërsubvensionimit ndërmjet kategorive të konsumatorëve shtëpiak dhe jo shtëpiak. Kështu thuhet në komunikatën e lëshuar nga Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE),i cili në mbledhjen e mbajtur sot, ka vendosur se tarifat e reja të energjisë elektrike do të hyjnë në fuqi me datë 1 prill 2016, dhe do të mbesin në fuqi deri me 31 mars 2017. Bordi po ashtu ka miratuar të hyrat e lejuara maksimale për KEK, KOSTT, KEDS, KESCO, si dhe tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët tariforë me pakicë për vitin 2016. Bordi i ZRRE-së me vendimet e tij, ka vlerësuar se tarifat e aprovuara të energjisë elektrike sigurojnë të hyra të nevojshme për KEK, KOSTT, KEDS dhe KESCO për kryerjen e veprimtarive sipas legjislacionit në fuqi. ZRRE po ashtu është në proces të studimit të kostove të sistemit dhe mundësisë së ndryshimit të strukturës tarifore, që pritet të përfundojë gjatë muajve në vazhdim.