Një bllof apo pazar i ri me koncesionarin e aeroportit të Rinasit?

Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar Ministrisë së Transporteve dhe asaj të Ekonomisë që të mos të mos zgjatet afati i eksluzivitetit për fluturimet ndërkombëtare pavarësisht kushteve të vendosura nga koncensionari për rishikimin e marrëveshjes. Vendimi i Autoritetit është marrë në dhjetor 2015 dhe u është dërguar në atë kohë palëve të interesuara, që kishin kërkuar mendimin e Autoritetit, por u bë publik vetëm dje, në mënyrë që të mos pengoheshin negociatat. Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Lati, tha për Monitor.al se “Autoriteti ka përshëndetur faktin që drafti është konsultuar me ta, por bazuar dhe në raportin e monitorimit që ka bërë më përpara Autoriteti, koncesionari kishte aftësi financiare të tilla që të mundësonte liberalizimin e Aeroportit të Kukësit, pa kosto shtesë për ekonominë, përsëri duke ruajtur mirëqenien ekonomike të koncesionarit”. Rekomandimi tjetër i autoritetit ka qenë që të “Të liberalizohen shërbimet( ground handling) sipas anekseve të kontratës koncensionare: (i) Pagesës së Shërbimit në Tokë dhe e Uljes dhe e Ngritjes, (ii) Pagesës për Pasagjerët, (iii) Pagesës së Kargos, (iv) Pagesës së Parkimit të Avionëve dhe (v) Pagesës së ndriçimit të aerodromit”. Një ditë më parë, Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto bëri të ditur se është arritur marrëveshja për heqjen e eskluzivitetit me Tirana Interniational Airport, kompanisë që ka një kontratë 25 vjeçare për menaxhimin e Aeriportit të Rinasit, funksionale që nga viti 2004. Sipas marrëveshjes së arritur  hapja e aeroportit të Kukësit do t’i shtojë 2 vite kontratës koncesionare së TIA, ndërsa në rast të vënies në përdorim të një aeroporti tjetër apo aeroporteve të tjera, si Vlora ose Saranda, Afati i Koncensionit do të shtyhet me 0.5 vite të tjera për çdo vit operimi të këtyre aeroporteve jugore.
Po sikur Aeroporti i Kukësit të mos bëhet funksional në dy vjet?!
Autoritetit të Konkurrencës iu kërkua të shprehet në lidhje me të drejtat eskluzive të shërbimit të transportit ajror ndërkombëtar të mallrave dhe pasagjerëve sa i përket draft-marrëveshjes së propozuar e cila ka si pasojë ndryshimin e zonës gjeografike të eskluzivitetit të operimit të fluturimeve ajrore ndërkombëtare tregtare(kargo dhe pasagjerë). Sipas relacionit, Në nenin 3 të Amendamentit parashikohet zgjatja e afatit të eskluzivitetit të operimit të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” të paktën me dy vite (pavarësisht nëse do të operojë ose jo ndonjë aeroport tjetër në territorin e Shqipërisë) dhe në varësi të datës së operimit zgjatjen e afatit sipas tabelës me minimalisht 0.5 vite nëse një aeroport tjetër fillon në vitin 2024 dhe maksimalisht 5 vite nëse ndonjë aeroport tjetër fillon të operojë që këtë vit. Autoriteti i Konkurrencës rekomandon hapjen e tregut dhe të shërbimeve aeroportuale në mënyrë të veçantë nga hyrja e mundshme e kompanive ajrore me kosto të ulët (low cost) por thekson se gjatë negocimit të rishikimit të marrëveshjes duhet marrë në konsideratë:
1- Performaca financiare e “Tirana International Aeroport” gjatë viteve të operimit;
2- Stanjacionin e treut sa i përket numrit të pasagjerëve(rreth 1.81 milionë në vit për 2013 dhe 2014) duke humbur avantazhet e rritjes së shpejtë të tregjeve në rajon dhe vendet e Bashkimit Evropian nga operimi kompanive me kosto të ulët;
3- Metodologjinë e përdorur për zgjatjen e afatit të paktën me dy vjet pa vendosur kusht operimin e aeroporteve të tjera;
4- Bazën e informacionit të vënë në dispozicion nga OSHA nëpërmjet një Memo të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës dhe informacionin shtesë në seancën dëgjimore të datës 23.12.2015;
Këto janë arsyet që e kanë shtyrë Autoritetin të rekomandojë të mos zgjatet afati i eksluzivitetit për fluturimet ndërkombëtare pavarësisht kushteve të vendosura nga koncensionari për rishikimin e marrëveshjes. Dyshimet janë nëse aeroporti i Kukësit do të arrijë të jetë funksional për dy vjet, për shkak të gjendjes së amortizuar në të cilën ndodhet dhe investimeve të mëdha shtesë që duhen për ta kthyer atë në punë. Nuk është bërë ende e qartë nëse Kukësin do e menaxhojë vetë shteti, apo ky i fundit, në pamundësi për të investuar do e japë me koncesion te privatët. Nuk ka të dhëna as nëse operatorët me kosto të ulët do të kenë interes të operojnë në Aeroportin e Kukësit, në gjendjen në të cilën është si dhe konkurrencën e fortë që mund të ketë nga Aeroporti i Prishtinës, ku operojnë tashmë disa low cost. Kompania ndërkohë është në shitje dhe mësohet që koncesionari ka negociuar fort për të pasur një marrëveshje sa më të mirë, në mënyrë që të mos ulë vlerën e kompanisë te blerësi i ri. Dhe për momentin duket se koncesionari ka arritur të marrë  edhe dy vjet zgjatje kontrate, ndërkohë që mbetet e paqartë nëse brenda dy viteve të ardhshme shqiptarët do të mund të fluturojnë me çmime të uëta nga Aeroporti i Kukësit.

Ekspertët kundër aeroportit të Kukësit

Heqja e eksluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare nga Rinasi i hap rrugën fluturimeve nga aeroporti i Kukësit, por ekspertët nuk janë në një mendje me qeverinë shqiptare.
Aeroporti i Kukësit u ndërtua në vitin 2004 me synimin për të shërbyer pjesërisht për tregun e Kosovës, në një kohë kur Aeroporti i Prishtinës kishte një kapacitet përpunues të ulët.
Aeroporti, i cili kushtoi 12 milionë dollarë, mbeti i ngrirë për më shumë se një dekadë. Rrjeti investigativ BIRN shkruan se ekspertët mendojnë se ndryshimet e ndodhura përgjatë këtyre 10 vjetëve e bëjnë aeroportin e Kukësit “të ndërtuar në vend të gabuar” dhe me pak gjasa për t’u zhvilluar, pavarësisht se kostot e shërbimit për avionët mund të jenë shumë më të ulëta se sa ato të Rinasit.
Që nga koha kur Kukësi është ndërtuar si aeroport, një autostradë e re lidh Tiranën me Kukësin me një udhëtim prej dy orësh, nga tetë orë që qe koha e udhëtimit në kohën kur aeroporti u ndërtua.
Gjithashtu, tregu i Kosovës ka pësuar ndryshime pasi Aeroporti i Prishtinës është zhvilluar duke rritur kapacitetet.
Përgjatë viteve, ekspertë të ndryshëm kanë sugjeruar që ekskluziviteti i aeroportit të Rinasit të hiqej duke e sulmuar këtë klauzolë në kontratën e koncesionit në bazë të ligjit për konkurrencën.
Në të gjitha vendet e zhvilluara, posedimi i një monopoli ligjor është i paligjshëm dhe qeveria mund të luftonte ekskluzivitetin në bazë të ligjit kundër monopoleve.
Por në vend të kësaj, qeveria hyri në bisedime dhe pranoi zgjatjen e kontratës së koncesionit.
Monopoli aktual konsiderohet si shkaku i një pjese jo të vogël të çmimeve të larta të biletave të fluturimeve ajrore në Shqipëri, të cilat janë krahasimisht shumë më të larta se sa fluturimet drejt vendeve fqinje, duke u bërë një ankesë permanente e operatorëve turistikë.