Gregor Rama prej dy vitesh me dy “BMW”, një të blinduar dhe një X5

2904

Në një artikull të vitit 2005, britanikja “The Guardian” e përshkruante me këto fjalë 3-mujorin e parë të Presidencës së Viktor Jushçenkos, ish-Presidentit të Ukrainës që erdhi në pushtet pas asaj që njihet si Revolucioni i Portokallinjtë. “The Guardian” shkruante se: “Andry Jushçenko, djali i Presidentit të Ukrainës, ka përfundur në titujt kryesorë të medias vendase. Mesa duket ‘djali i revolucionit portokalli’ jeton në luks. 19-vjeçari Adrey Jushçenko, udhëton me një ‘BMW’ X5, e cila kushton diçka më shumë se 130 mijë euro. Sytë e dëshmitarëve thonë se djaloshi, injoron sinjalistikën rrugore dhe udhëton me shpejtësi deri në 100 km/h në rrugët e ngushta të Kievit”. Greg Rama, 25-vjeçar, është sot djali i parë i Kryeministrit Edi Rama dhe që prej ditës së djeshme ka përfundur në faqet e para të portaleve online (duke qenë se media vizive dhe ajo e shkruar në Shqipëri janë gjunjëzuar përfundimisht përballë presionit qeveritar), për një palë syze të veçanta “Maybah”, të cilat nëse janë reale kushtojnë jo më pak se 60 mijë euro, citon “syri.al”. Partia Demokratike reagoi për këto syze duke e cilësuar djalin e Kryeministrit “si studentin më i pasur në vend dhe ndoshta në rajon. Syzet që mban djali i papunë i Edi Ramës, janë “Maybach” që sipas medias dhe ekspertëve kushtojnë të paktën 60 mijë euro. Por nëse për syzet “jashtë serie”, edhe mund të ketë ndonjë shpjegim, ajo që vështirë se mund të shpjegohet janë dy “BMW”-të në të cilat udhëton që prej 2013-ës, “djali i kryeRilindasit”.  Njërën (“BM”” 740 e blinduar) me të cilën ngjitet e zbret sa herë shkon e vjen nga shtëpia e t’etit në Surrel dhe që e nget vetë dhe “BM””-në X5 me të cilën qarkullon nëpër Tiranë dhe që e gjezdis me shofer. Sa për telefonat e shtrenjtë është e kotë të flasim tashmë sepse, modelet më të fundit të Galaxy-ve dhe Iphone-ve edhe mund të kalojnë së pari në duart e një 25-vjeçari dhe nuk është ndonjë çudi e madhe tashmë. Greg Rama nuk është i njohur dhe shumë prezent në jetën publike shqiptare dhe mundohet të mbajë një profil të ulët, ndryshe nga djali i ish-Presidentit të Ukrainës që sapo i ati mori pushtetin iu fut salltaneteve dhe u bë “zot” i Kievit. Por ama, njësoj si i ati i Adrey Jushçenkos, edhe i ati i Gregut u mandatua nga shqiptarët pak a shumë në të njëjtën formë si mbështetje popullore si “Revolucioni i Protokallinjtë” në Ukrainë, “Rilindje” në Shqipëri. Dhe kur djali i babait të vet zbret e ngjitet nëpër Surrel me “BMW” 740-she të blinduar dhe qarkullon nëpër Tiranë vetëm me “BMW” X5, sytë e popullit shohin njësoj dhe gjykimi bëhet po njësoj, ashtu si edhe për syzet 60 mijë euroshe.