Fermerët e Beratit në faliment

413
farmer on his tractor plowing the field, rural wyoming

Fermerët e qarkut të Beratit vuajnë mungesën e vemendjes së qeverisë ndonëse po kalojnë një periudhë nga më të vështirat. Mungesa e infrastrukturës për bujqësinë, përmbytjet dhe mungesa e dëmshpërblimeve, mungesa e tregut etj, kanë bërë që shumë prej fermerëve të jenë në prag të falimentit. Ne fshatin Goriçan, fermerët kërkuan nga Partia Demokratike që të ngrejë shqetësimin e tyre. “Na kanë premtuar se do u sjellim ujin e pijshëm dhe vaditje. Por deri më sot nuk kemi parë asgjë”, tha një fermer.
“Kemi dy vite që jemi mbytur katër herë. Malli nuk po na shitet dhe para dy vitesh kur ishte Berisha kemi eksportuar në 10 vende. Sot trangulli është 200 lekë kur vjet në këtë kohë ishte 700 lekë. Malli na bllokohet në doganë”, u shpreh një tjetër fermer.
Sekretari për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji u shpreh se Partia Demokratike do të ngrejë hallin e tyre në çdo forum. Ai akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Rama për braktisjen e fermerëve për të favorizuar një grup të vogël oligarkësh.
“Ju e ndjeni në fshatin dhe komunën tuaj braktisjen totale që i ka bërë qeveria të gjithë zonave në Shqipëri. Kështu siç jeni ju është e gjithë Shqipëria dhe kam qënë në dy javët e fundit pothuaj në gjithë territorin e Shqipërisë. Problematikë është që qeveria nuk vjen siç vimë ne sot. Ne sot nuk vijmë për tu premtuar por vijmë për tu dëgjuar, për ta ngritur shqetësimin tuaj, për ti dhënë zë këtij shqetësimi, për ta çuar atë në institucione, për ta çuar atë në parlament, në media, që të vijnë që tu japim dëmshpërblimin për përmbytjet, që të vijnë e të mos kenë sjellje kriminale, që tregtari fiton më shumë se sa ju që punoni për ditë. Një shtet e ka Rama për të bërë paratë e veta për të bërë 200 milionë euro e vila në Surrel, një shtet e ka Meta, një shtet e kanë banditët që vijnë rreth e rrotull. Ay u japin edhe tendera se ndryshe ku do i nxjerrin lekët ata që u japin bandave dhe krimit?! Do i marrin nga ju dhe djersa juaj. Sepse krimi nuk punon. Kriminelët dua drogë, duan armë, duan qef por nuk duan të punojnë. E kanë gjetur të thjeshtë me Ramën se ua jep paratë që u merr ju”, tha Salianji. Edhe anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Lefter Maliqi u shpreh se demokratët po u qendrojnë afër fermerëve të kësaj zone që po vuan braktisjen e qeverisë.