Deflacioni gjunjëzon ekonominë, rritja e përgjithshme e çmimeve vetëm 0.3% në mars

419

Për të dytin muaj radhazi, ndryshimi vjetor i çmimeve shënoi ritmet më të ulta të rritjes, duke qenë më afër deflacionit se inflacionit, duke reflektuar një situatë të vobekte të konsumit. INSTAT raportoi se në muajin mars 2016 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 0,3%. Një vit më parë, ky ndryshim ishte 2,2%. Por teksa deflacioni duket se po nxitet nga rënia e çmimeve të transportit, veshjeve dhe qirave, nga ana tjetër çmimet e shportës, sidomos ato të perimeve janë rritur me ritme dyshifrore. Çmimet frutave u rritën në muajin prill me 28% dhe çmimet e zarzavateve me 8%. Rënia e inflacionit në nivelet më ulta të dekadës duket se ka ardhur nga rënia e çmimeve në shërbimet e transportit me -0,28 pikë përqindje Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me rënie -0,18 pikë përqindje dhe çmimet e veshje, këpucëve dhe shëndetit kanë kontribuar me nga -0,09 pikë përqindje secili.
Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit. Rritja vjetore në muajin mars është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,81 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,19 pikë përqindje. Por tregjet me pakicës kanë raportuar një situatë të vështirë të shitjeve për muajt e parë të vitit. Aq sa është lajmëruar edhe Drejtoria e Përgjithshme e Taimeve, e cila lajmëruar edhe një kontroll tjetër në terren për të verifikuar xhirot. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,13 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Hotele, kafene e restorante” kanë kontribuar respektivisht me + 0,05 dhe + 0,03 pikë përqindje.
Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin mars 2015, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 4,8% pasuar nga grupi, “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,6%, grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike me 2,2%, etj.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 28,1%, pasuar nga nëngrupi “zarzavate përfshirë patatet” me 8,7%, nëngrupi “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 1,5%, nëngrupi “vajra dhe yndyrna” me 0,6% etj. Çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë e vezë” u ulën me 3,7%, pasuar nga nëngrupet “bukë e drithëra” me 2,2%, “kafe, çaj e kakao” me 1,3%,etj. Ndërsa, ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transport” me 4,5%, pasuar nga grupet “Shëndeti” me 2,2%, “Veshje dhe këpucë” me 2,4%, etj. Ndryshimi mujor i indeksit është 0,4%. Krahasuar me muajin shkurt 2016, rritja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije alkoolike” me 1,1%. Ulja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mobilim” me 0,3%.

Kredia mbetet në krizë. BSH: Rënia më e madhe vjen nga huatë për biznesin

Kredia për ekonominë mbetet në krizë, pavarësisht masave të Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë për rigjallërimin e saj. Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka Qendrore tregojnë, se në fund të muajit shkurt stoku i kredisë për ekonominë ishte 12.4 miliardë lekë më i ulët se shkurti i vitit të kaluar. Rënia është 2.2 për qind dhe ka ardhur e gjitha nga kredia për biznesin, i cili duket se nuk po preferon të marrë përsipër zgjerimin e aktivitetit përmes huave bankare. Të dhënat tregojnë se, kredia për ndërmarrjet private ishte në shkurt 14 miliardë lekë ose mbi 120 milionë dollarë më e ulët se një vit më parë, ndërsa kredia për individët u rrit me 1 miliard lekë. Vetë qeveria ka pranuar se ngërçi i kredive rrezikon ta mbajë ekonominë në një krizë të gjatë, duke frenuar ringritjen e saj. Në Programin e Reformave Ekonomike 2016-2018, Ministria e Zhvillimit Ekonomik vëren se, ndryshe nga sa pritej, kredia për sektorin privat është në stanjacion, duke u shndërruar në një kërcënim për perspektivën e ekonomisë. “Rritja e dobët e kreditimit mbetet shqetësimi më i madh për perspektivën e ekonomisë shqiptare”, thuhet në dokumentin strategjik të miratuar pak ditë më parë nga Këshilli i Ministrave. Sipas Bankës së Shqipërisë, kriza e kredive pasqyron politikën e shtrënguar të bankave, por edhe kërkesën e dobët të biznesit dhe individëve për borxh. Kërkesat nga autoritetet rregullative të Bashkimit Evropian dhe Eurozonës, persistenca e rëndësishme e stokut të huave me probleme në bilancet e bankave dhe struktura afatshkurtër e burimeve të financimit zbehin gatishmërinë e bankave për të financuar sektorin privat me kredi afatgjatë. Në krahun e kërkesës, ngërçi i kredisë është i lidhur me praninë e vazhduar të hendekut negativ të prodhimit si edhe të pritshmërive ende të paqëndrueshme të biznesit dhe të konsumatorëve për rritjen ekonomike të vendit.