Avokati i Popullit, Kuvendit: Të zgjidhet aksesi në furnizimin e të varfërve me energji

462

Aksesi në furnizimin me energji elektrike kualifikohet gati si e drejtë themelore nga direktivat e BE. Institucioni i Avokatit të Popullit ka depozituar pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë disa propozime mbi aksesin e furnizimit me energji elektrike për konsumatorët e cënueshëm. Nisur nga aktualiteti, ku çdo ditë e më shumë janë rritur ankesat e ndërprerjeve të energjisë elektrike në disa raste me muaj, për shkak të pamundësisë në përballimin e pagesave të saj, qasja me energjinë elektrike është bërë gjithnjë e më e vështirë për grupet e cënueshme dhe në risk, ka shpjeguar Avokati i Popullit në një raport të dërguar në Kuvend ku sqarohet gjërësisht kjo çështje. Duke iu referuar Direktivës 2009/72/EC, në lidhje me rregullat e përbashkëta të tregut të brendshëm të energjisë elektrike, përcaktohet se duhet të sigurohet një seri e të drejtave për furnizimin me energji elektrike brenda cilësisë teknike, transparente dhe jo diskriminuese dhe shteti duhet të marrë masa adekuate për mbrojtjen e konsumatorit të cënueshëm.
Gjithashtu, referuar Direktivës 2003/54/EC të Këshillit dhe Parlamentit Europian “Në lidhje me rregullat e përbashkëta për tregun e brendshëm të energjisë elektrike dhe që shfuqizon Direktivën 96/92 / EC”, kreu i I i saj, i referohet kompensimit financiar, dhe në veçanti duhet të sigurohen masa adekuate për mbrojtjen e konsumatorëve në nevojë, duke përfshirë masat për të ndihmuar dhe për të shmangur ndërprerjen e furnizimit me energji elekrike.
Duke i cituar këto direktiva, institucioni i Avokatit të Popullit vë në dukje se me ndryshueshmërinë e çmimit të energjisë elektrike, pamundësinë në pagesën e saj, kjo e lidhur me faktorin ekonomik, shumë qytetarë sot po përballen me mungesë në akses për furnizimin e vazhdueshëm me energji elektrike e ndjerë më së shumti tani në afrimin edhe të stinës së dimrit.
Sipas treguesve të nivelit të varfërisë rreth 14.3% të familjeve jetojnë në varfëri absolute (e përcaktuar në Shqipëri si numri i personave me konsum mujor real nën 4891 lekë), si dhe rreth 2.2% jetojnë në varfëri ekstreme (e përcaktuar si numri i personave që kanë vështirësi në përmbushjen e nevojave bazë ushqimore).
Sot, aktualisht rreth 7.3% e familjeve shqiptare trajtohen me ndihmë ekonomike. Në realitet nuk është ky numri i familjeve që kanë nevojë për mbështetje nga skema, pasi numri i kërkesave është shumë më i madh, vë në dukje Avokati i Popullit.
Ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike, në muajin janar 2015 u pasua me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave për mbrojtjen e shtresave në nevojë, por në shumë raste është e pamjaftueshme për konsumatorët me të ardhura të pamjaftueshme për të përballuar pagesën e saj, raporton Avokati.
“Duke gjykuar se, pavarësisht se ekzistojnë skema lehtësuese për pagesën e detyrimeve të prapambetura, apo garanci ligjore për të gjithë ata konsumatorë të cilët rezultojnë debitorë, mbrojtja sociale dhe ekonomike e grupeve të cënueshme nuk është e mjaftueshme dhe duhet të konsiderohet prioritet për shkak se, familjet në nevojë ekstreme nuk arrijnë dot të sigurojnë mbijetesën dhe jo më të përballen me faturat për pagesat e shërbimeve publike. Kjo duhet të shihet e lidhur ngushtësisht edhe me gjetjen e mundësive për shmangien e ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike për këto grupe” i kërkon Avokati i Popullit Kuvendit.
Gjithashtu, duke sjellë në vëmendje edhe agjendën e miratuar në samitin e Kombeve të Bashkuara, në muajin shtator 2015, “Për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2030”, objektivëin numër 7, e cila lidhet me sigurimin, aksesin dhe furnizimin me energji elektrike, të përballueshëm, të qendrueshëm, institucioni i Avokatit të Popullit ka rekomanduar kryerjen e një studimi nga ana e Ministrisë së Energjetikës në bashkëpunimin e Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për të identifikuar numrin e familjeve në varfëri ekstreme dhe absolute, të cilat përballen me mbijetesë dhe vuajnë për të siguruar ushqim dhe ngritjen e një sistemi data-bazë për këto familje.
Avokati i Popullit kërkon ofrimin e zgjidhjeve të menjëhershme që këto familje të mos privohen nga e drejta për akses në furnizimin e nevojshëm me energji elektrike, duke siguruar minimumin e mundshëm, ndriçimin në banesë.
Në gjykimin e Avokatit të Popullit, kjo duhet të shoqërohet me një paketë ndryshimesh ligjore me qëllim ndryshimin edhe të skemave për aksesueshmërinë në këtë shërbim për grupet vulnerabël. Është i nevojshëm krijimi i mundësive të diferencuara në mënyrën se si do të ofrohet energjia elektrike dhe krijimi i skemave lehtësuese të përballueshme për pagesat e energjisë elektrike për këto familje. Aktualisht është koha dhe duhet të krijohen programe specifike vetëm për konsumatorët në nevojë.