Rekordi, qytetarët tërheqin 32 milionë euro nga bankat në shkurt

Stoku i depozitave në sistemin bankar ka shënuar rënien më të madhe që prej qershorit të vitit 2015, kur sistemi vuajti nga një rrjedhje kursimesh për shkak të frikës së krijuar nga kriza e borxheve në Greqi. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, depozitat arritën në fund të shkurtit në 982 miliardë lekë, 3.9 miliardë lekë më pak se muaji i mëparshëm. Efekti rënës ka ardhur i gjithi nga tkurrja e depozitave me afat të individëve, që u reduktuan me 4.5 miliardë lekë apo rreth 1.2% me bazë mujore. Që prej shtatorit të vitit 2013, kjo kategori ka shënuar rënie të pandalshme. Vetëm gjatë vitit të kaluar, rënia e depozitave me afat të individëve në lekë ishte rreth 220 milionë euro.
Arsyeja kryesore e kësaj tendence lidhet me rënien e ndjeshme të interesave, që depozituesit marrin për kursimet e tyre. Në shkurt, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar i depozitave të reja me afat maturimi 12-mujor ishte 1.15%, në një nivel minimal rekord. Kursimtarët po zgjedhin alternativa më fitimprurëse, si fondet e investimeve apo depozitat afatgjata. Një tjetër investim me risk të lartë është ai në bursa, përmes fondeve të licencuara e atyre të palicencuara, për të cilat Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka ngritur shpesh shqetësimin. Depozitat me afat të individëve në lekë përbënin 34% të totalit në fund të shkurtit, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë.

Kredia mbetet në krizë. BSH: Rënia më e madhe vjen nga huat për biznesin

Kredia për ekonominë mbetet në krizë pavarësisht masave të Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë për rigjallërimin e saj. Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka Qendrore tregojnë se në fund të muajit shkurt stoku i kredisë për ekonominë ishte 12.4 miliardë lekë më i ulët se shkurti i vitit të kaluar.
Rënia është 2.2 për qind dhe ka ardhur e gjitha nga kredia për biznesin, i cili duket se nuk po preferon të marrë përsipër zgjerimin e aktivitetit përmes huave bankare. Të dhënat tregojnë se kredia për ndërmarrjet private ishte në shkurt 14 miliardë lekë ose mbi 120 milionë dollar më e ulët se një vit më parë, ndërsa kredia për individët u rrit më 1 miliardë lekë.
Vetë qeveria ka pranuar se ngërçi e kredive rrezikon ta mbajë ekonominë në një krizë të gjatë duke frenuar ringritjen e saj. Në Programin e Reformave Ekonomike 2016-2018, Ministria e Zhvillimit Ekonomik vëren se ndryshe nga sa pritej, kredia për sektorin privat është në stanjacion, duke u shndërruar në një kërcënim për perspektivën e ekonomisë.
“Rritja e dobët e kreditimit mbetet shqetësimi më i madh për perspektivën e ekonomisë shqiptare,” thuhet në dokumentin strategjik të miratuar pak ditë më parë nga Këshilli i Ministrave.
Sipas Bankës së Shqipërisë kriza e kredive pasqyron politikën e shtrënguar të bankave, por edhe kërkesën e dobët të biznesit dhe individëve për borxh. Kërkesat nga autoritetet rregullative të Bashkimit Evropian dhe Eurozonës, persistenca e rëndësishme e stokut të huave me probleme në bilancet e bankave dhe struktura afatshkurtër e burimeve të financimit zbehin gatishmërinë e bankave për të financuar sektorin privat me kredi afatgjatë.
Në krahun e kërkesës, ngërçi i kredisë është i lidhur me praninë e vazhduar të hendekut negativ të prodhimit si edhe të pritshmërive ende të paqëndrueshme të biznesit dhe të konsumatorëve për rritjen ekonomike të vendit.