FMN zbardh borxhet e reja, huatë e prapambetura të bashkive sa 0.6% e PBB-së

Teksa qeveria shqiptare në fund të vitit që shkoi pastroi mbi 60 miliardë lekë detyrime të prapambetura, borxhe të reja po duken në sfond. Fondi Monetar Ndërkombëtar gjatë Deklaratës në mbyllje të Misionit për Konsultimet për Nenin IV dhe shqyrtimin e shtatë të Marrëveshjes së Zgjeruar, vuri në dukje se, borxhet e prapambetura të pushtetit lokal tashmë janë një rrezik i ri fiskal. FMN duke ju referuar të dhënave të Ministrisë së Çështjeve Vendore ka zbuluar disa detyrime që mund të jenë të prapambetura, prej rreth 0,6 për qind të PBB-së, sipas të dhënave deri në mes të vitit 2015.
Sipas të dhënave të qeverisë shqiptare borxhi i prapambetur i zbuluar nga një proces auditi në njësitë e reja vendore kap shumën e 65 milionë eurove.
“Rekomandohet që autoritetet t’u kërkojnë njësive të qeverisjes vendore të kryejnë auditime dhe të hartojnë plane veprimi për t’i zgjidhur këto detyrime të prapambetura, duke siguruar integritetin e procesit përmes audituesve të jashtëm. Për të zbutur risqet fiskale nga decentralizimi fiskal në proces dhe për të përmirësuar raportimin dhe monitorimin, është mirë të përshpejtohet shqyrtimi i ligjit për financat publike vendore” sugjeron FMN.
Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka këshilluar qeverinë se, për të parandaluar rikrijimin e detyrimeve të reja të prapambetura, është mirë të vihen sa më shpejt në zbatim tavanet e angazhimeve shumëvjeçare dhe zgjerimi i institucioneve përdoruese të sistemit të ri informatik të thesarit. Prioritet është miratimi i ligjit organik për buxhetin.
Fondi vlerëson si një rrezik fiskal edhe administrimin tatimor, duke këshilluar që fokusi të jetë në zbatimin në kohë i strategjisë organizative të Administratës tatimore, ku përfshihet ristrukturimi tërësor i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, si edhe miratimi i instrumenteve bashkëkohore të menaxhimit të riskut.
Fondi sugjeron se Administrata Tatimore dhe ajo Doganore duhet të bashkërendojnë më nga afër për vlerësimin e risqeve dhe ruajnë angazhimin në fushatën kundër informalitetit, që ka filluar tashmë të japë rezultatin me një rritje të lartë të numrit të bizneseve të vogla dhe punëmarrësve të regjistruar.
Një tjetër shqetësim për stabilitetin fiskal mbetet edhe Menaxhimi i Investimeve Publike dhe Partneritetet Publike-Private.
Fuqizimi i Menaxhimit të Investimeve Publike dhe rritja e besueshmërisë së kuadrit buxhetor afatmesëm të autoriteteve ka rëndësi tejet të madhe për të ulur riskun e angazhimeve të pambuluara me fonde dhe detyrimeve të prapambetura.
Në veçanti, autoritetet duhet të shqyrtojnë të gjitha projektet e papërfunduara të investimeve që nuk janë të mbuluara me buxhet dhe të identifikojnë projektet që do të anulohen, në bazë të kritereve transparente, sugjeron Fondi.
Të gjitha propozimet për partneritet publik privat (PPP) t’i nënshtrohen studimit të hollësishëm të fizibilitetit dhe analizës kosto-përfitim, studim i cili duhet të vlerësohet nga Ministria e Financave përpara se të jepet aprovimi. Ndikimi që ka çdo PPP i ri në llogaritë fiskale të reflektohet me transparencë dhe në përputhje me normat ndërkombëtare, thuhet në deklaratën e FMN.

Konsolidimi fiskal të fokusohet të informaliteti

Pas vizitës së misionit të FMN-së në Shqipëri, FMN publikoi deklaratën përmbyllëse për vëzhgimin e ekonomisë në artikullin 4.
Ekspertët e Fondit pasi analizuan situatën buxhetore rekomanduan që duke pasur parasysh nivelin relativisht të ulët të shpenzimeve publike, rregullimi fiskal duhet të fokusohet kryesisht në anën e të ardhurave. Duke pasur parasysh nevojën për shpenzime më të mëdha në fusha të tilla si infrastruktura dhe arsimi, si dhe efikasitetit relativisht të ulët të taksave në Shqipëri, strategjia e konsolidimit duhet të fokusohet në zgjerimin e bazës tatimore dhe në forcimin e pajtueshmërisë dhe administrimit të të ardhurave, keshillon FMN.
Fondi kërkon që autoritetet shqiptare të përshpejtojnë punën për kadastrën fiskale, me qëllim të aplikimit të tatimit nbi pronën në deri në fund të vitit 2017. Fondi vuri në dukje gjithashtu se qeveria duhet të pezullojë përjashtimet e tjera tatimore apo trajtimet preferenciale të taksave dhe duhet të përpiqet për të hequr përjashtimet ekzistuese.
Stafi i FMN vuri në dukje se, Shqipëria gradualisht po shërohet nga një ngadalësim i zgjatur rritjes ekonomike. Rritja e Iinvestimeve të Huaja Direkte në projekte të mëdha që kanë të bëjnë me energjinë pritet gjithashtu nxisë rritjen në afat të shkurtër. Rritja e GDP parashikohet të përshpejtohet në 3.4 për qind në vitin 2016, nga 2.6 për qind në vitin 2015. Deficiti i llogarisë korente pritet të zgjerohet. Inflacioni është i ulët dhe ka të ngjarë të jetë i tillë edhe në të ardhmen e afërt.
Ekspertët e Fondit kërkuan që konsolidimi fiskal të vazhdojë për të ulur dobësitë fiskale dhe për të siguruar qëndrueshmërinë e borxhit. Bilanci primar pritet të përmirësojë me rreth 2¼ për qind të PBB-së në vitet 2014-2016, duke arritur një suficit primar këtë vit. “Pas kësaj, autoritetet duhet të vazhdojnë me objektivin e tyre të uljes së borxhit publik nën 60 për qind të PBB-së nga 2019, e cila kërkon ulje me rreth 1 për qind të PBB-së çdo vit”. Për të ankoruar pritjet afatgjata, autoritetet duhet të miratojnë një rregull fiskal mbështetur nga një këshilli fiskal i pavarur. Për më tepër, menaxhimi i borxhit duhet të zgjasë më tej pjekurinë e borxhit publik dhe të diversifikuar bazën e investitorëve, duke ulur rreziqet që dalin për financimin e nevojave, të cilat mbeten të larta.
Pikëpamjet e shprehura në këtë deklaratë janë ato të personelit të FMN-së dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Bordit Ekzekutiv të FMN-së, thuhet ne deklarate.