Solskjaer zbulon të vërtetën për situatën e Pogba

76

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, ka thënë se Paul Pogba nuk ka qenë asnjëherë problematik dhe se mediat bëjnë propagandë kundër mesfushorit francez.

Agjenti i Paul Pogbas, Mino Raiola, tha se 26-vjeçari dëshiron të largohet nga Manchester Unitedi dhe shpreson se së shpejti do të ketë një zgjidhje të përsosur për të gjitha palët.

Pogba, i cili për momentin është me skuadrën e Manchester Unitedit në Australi për turneun parasezonal, tha në qershor se kjo verë mund të jetë momenti i duhur që ai ta gjejë një sfidë të re diku tjetër.

Megjithatë, Solskjaer insiston se klubi ende nuk ka marrë asnjë ofertë për asnjë lojtar, përfshirë këtu edhe Pogban.

Në konferencën e tij të parë për shtyp në Perth të Australisë, Solskjaer iu referua një video që u publikua dje në media, të cilat raportonin se Pogba dhe bashkëlojtari i tij, Jesse Lingard, ishin zënë gjatë stërvitjes.

“Është propagandë kundër Paulit, ai është një profesionist jashtëzakonisht i mrekullueshëm, kurrë nuk ka bërë asnjë problem, ai e ka një zemër të artë”, u shpreh norvegjezi.

“Jesse dhe Paul po ecnin dje nëpër stërvitje dhe kjo u portretizua si zënkë mes këtyre dy djemve dhe unë e di se ju jeni këtu për të shitur lojtarë dhe lajme, mirëpo ata janë profesionistë”.

“Pauli kurrë nuk e ka vendosur veten jashtë skuadrës, gjithmonë e ka dhënë më të mirën e tij dhe unë nuk mund të them asgjë tjetër përveç se agjentët flasim vazhdimisht, gjatë gjithë kohës”.

“Unë nuk mund të rri këtu dhe të flas për Paulin dhe për atë që agjentët thonë. Në kontratën e tij janë edhe disa vjet të mbetura dhe ai ka qenë i mrekullueshëm”.

Manchester Unitedi e ka transferuar anësorin uellsian, Daniel James, nga Swansea City dhe mbrojtësin anësor anglez, Aaron Wan-Bissaka, nga Crystal Palace.

Përderisa Ander Herrera, Antonio Valencia dhe James Wilson janë larguar nga klubi si transferime të lira, Solskjaer bëri të ditur se ata nuk kanë marrë oferta për asnjë lojtar tjetër.

“Për aq sa e di unë, ne nuk kemi marrë oferta për asnjë lojtar. Ne jemi Manchester Unitedi, nuk kemi nevojë të shesim dhe të paguajmë më shumë. Duhet t’i kesh lojtarët e duhur për çmimin e duhur dhe nëse e shikon skuadrën tonë, kemi shumë lojtarë të mirë”.

Manchester Unitedi i ka bërë ofertë për një kontratë më të mirë David De Geas në tentim për ta mbajtur në Old Trafford portierin spanjoll dhe Solskjaer u shpreh i sigurt se klubi do ta kryente këtë punë.

Solskjaer gjithashtu pret që Alexis Sanchezi, i cili u lëndua gjatë disfatës së Kilit nga Argjentina në përballjen për vendin e tretë të Kupës së Amerikës, do të jetë i gatshëm për t’u stërvitur kur të kthehet në klub pas tri javësh.