Mustafaj: Vendi në situatë “çmendurie dhe antikushtetuese”, opozita ka arritur një fitore dhe duhet ta kapitalizojë politikisht

68

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj duke komentuar krizën politike në News 24, tha se vendi ndodhet në një situatë “çmendurie dhe antikushtetuese”.

Ai tha se ekonomia shqiptare është e “zhytur” në krizë dhe kjo është konfirmuar edhe nga INSTAT.

“Shteti ka rënë, pushteti është në këmbë. Situata në vend është antikushtetuese. Ekonomia jonë është përtokë, kjo e konfirmuar edhe sipas INSTAT. kur nuk funksionon ekonomia, shteti i së drejtës, çfarë situate është kjo? Sigurisht kjo është një situatë e çmendur”, tha ai.

Duke u ndalur te zgjedhjet lokale të 30 qershorit, Mustafaj tha se pjesëmarrja e ulët në votime ishte një mesazh i qartë për kryeministrin Edi Rama për t’i treguar se qeveria që ai drejton është e “deligjitimuar”.

Por si duhet të veprojë opozita pas zgjedhjeve të 30 qershorit, Mustafaj dha këtë përgjigje:

“Ne jemi në kushtet ku opozita ka vetëm rrugën për të bërë politikë. Hapësira e vetme që i ka ngelur opozitës për të bërë politikë është vetëm protesta. Qeveria u deligjitimua me rezultatin që pati në 30 qershor. Kjo qeveri tregoi është e gatshme të vjedh edhe vetëveten. Opozita ka arritur një fitore dhe duhet ta kapitalizojë politikisht.

Ligjërimi i saj  duhet të përmirësohet dhe të përshtatet me situatë, që të drejtohet edhe pjesës më të madhe, e cila është kundërshtuese e qeverisë.  Opozita duhet të përgatitet për zgjedhjet e ardhshme. Elektorati “Gri” është me rëndësi të veçantë për opozitën. Ne nuk kemi një mundësi për të kryer  me shpejtësi një studim sociologjik se kush nuk shkoi  dhe pse nuk shkoi të votonte. Protesta janë e vetmja rrugë, unë nuk shoh zgjidhje tjetër”, tha Mustafaj.